Kremtohet e Premtja e Zezë në Berat, epitafët bashkohen në rrethrrotullimin mes lagjeve muzeale
Besimtarët ortodoksë të qytetit të Berat kanë kremtuar sot të Premten e Zezë, një nga ditët më të rëndësishme të kalendarit fetar, që simbolizon vuajtjet dhe kryqëzimin e Jezu Krishti.
Ritet fetare janë zhvilluar në Katedralen “Shën Dhimitri” dhe në Kishën e Goricës “Shën Spiridhoni”, ku qindra besimtarë janë bërë pjesë e ceremonive përkujtimore. Shërbesa në Katedralen “Shën Dhimitri” është drejtuar nga Imzot Asti, së bashku me klerikët At Johan Qako dhe At Petraq Simsia, të cilët kanë kryer meshën dhe ritualet e kësaj dite.
Pas përfundimit të shërbesës së mbrëmjes, është zhvilluar rituali i shëtitjes së Epitafit. Fillimisht, epitafi ka bërë xhiron në oborrin e Katedrales “Shën Dhimitri”, ndërsa më pas besimtarët kanë kaluar poshtë tij, në një akt simbolik përulësie dhe besimi.
Më pas, epitafi, i shoqëruar nga besimtarët, ka përshkuar shëtitoren kryesore të qytetit, duke vijuar një traditë të përvitshme në Berat. Në të njëjtën kohë, edhe epitafi i Kishës së Goricës “Shën Spiridhoni” ka ndjekur itinerarin e tij për t’u bashkuar me të parin tek Ura e Varur.
Pas kryerjes së riteve në këtë pikë simbolike, të dy epitafët janë rikthyer në kishat përkatëse.
E Premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishti në kryq dhe i paraprin festës së Pashkëve, e cila kulmon me meshën e mesnatës së së Shtunës dhe shpalljen e Ringjalljes. Ceremonitë e Pashkëve do të vijojnë edhe këtë vit në Katedralen “Shën Dhimitri”, në qendër të qytetit të Beratit. Kjo ceremoni është ndjekur me kërshëri nga qytetarët e Beratit dhe vizitorë vendas e të huaj.
Lajmi kryesor:
E premtja e Zezë/ Procesioni i Epitafit në Tiranë e rrethe, besimtarët lutje e mesazhe paqeje në vigjilje të Pashkës











