Ndërkohë që PS e LSI janë në koalicion parazgjedhor, nënshkruar disa ditë më parë zyrtarisht në konferencën e PSE-ve në Shkodër në prani të të majtëve evropianë, vështirësinë më të madhe do ta ketë Bregu, e cila sado e fortë që është dhe që do të tregohet do të gjendet mes dy femrave të forta të majta, Kodheli dhe Kryemadhi.
Të cilat në koalicion me njëra tjetrën, do të jenë në krye të listave për PS dhe LSI, që gjithsesi do të jenë dhe në njëfarë mënyrë në garë me njëra tjetrën. Dhe nuk është se nuk kanë begraund të fortë politik që të tria këto kandidate, që kanë zëvendësuar burra në krye të listave, pasi në zgjedhjet e vitit 2009 kanë qenë Paloka në krye të listës së PD, Jaku në krye të listës së PS dhe Bushi në krye të listës së LSI, ndërsa këtë radhë stafetën e kanë marrë femrat e këtyre partive, dhe ata që kanë udhëhequr listat zgjedhjet e kaluara mund të mos jenë.
Kështu, Bregu, pas një karriere në media, kalon në politikë përmes KOP-it para vitit 2005, për të hyrë në Kuvend po këtë vit, për të qenë që nga viti 2006 në krye të Ministrisë së Integrimit, ndërsa ka mbajtur dhe zëdhënësin e këshillit të Ministrave dhe të fushatës elektorale për PD, në kohë zgjedhjesh. Ndërsa ka ngjitur të gjitha shkallët e karrierës në parti, aktualisht është anëtare kryesie.
Ndërsa Kodheli ka qenë nënkryetare e bashkisë së Tiranës, prefekte e Tiranës kur Nano ishte kryeministër, deputete e Kuvendit nga viti 2009, anëtare kryesie dhe një ndër zërat më të fortë afër kryetarit të PS, jo vetëm për problemet ekonomike. Ndërkohë që Monika Kryemadhi ka qenë nënkryetare e FRESSH që e re, më vonë kryetare e FRESSH dhe gjithnjë në kryesinë e LSI.
Vetëm një mandat ka qenë deputete, në atë 2001-2005, për të kryesuar këtë vit listën në qarkun e Lezhës. Njëherësh në listat pas tyre pritet të jenë për PD Dajçi prefekti aktual i Lezhës, pasi tij ish-deputeti socialist Gjovalin Kadeli, i cili disa javë më parë u largua nga PS në shenjë proteste ndaj moskandidimit të tij në këtë qark dhe aleancës me LSI, pritet të jetë dhe Paulina Hoti, ndërkohë që numrat e tjerë më pas janë thjeshtë për të plotësuar listën me 7 kandidatë.
Ndërsa për PS, pas Kodhelit në krye të listës pason i dyti deputeti aktual Armando Prenga, prurja e re Arben Ndoka dhe deputeti Ndrecë Deda, numri i mundshëm që mund të arrijnë këto parti në zgjedhje. Ndërkohë që pritet dhe një investim i fortë në këtë qark, i cili përbën dhe portën e veriut, për të vendosur në lidhje me zgjedhjet në qarqet e tjera.
Tre femrat e forta të tre partive kryesore në vend mendohet të dhurojnë spektakël politik, ndërsa pritet të jetë një fushatë e “qëruar” nga ana e fjalorit, ku përmes sharmit të tyre të qetësohet sadopak fushata në këtë zonë të vështirë për të gjitha palët politike. Ndërkohë që në mbështetje të tyre do jenë të gjitha skalionet më të forta të tre partive politike.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)