Beteja e librave

Beteja e librave
Këtë javë politika në Shqipëri betohet për paqe dhe konsesus. Ka pak më shumë në javë që në Tiranë, megjithatë,ka nisur një betejë e re. Paqe në Kuvend në miratimin e ligjeve me tre të pestat dhe reformën elektorale dhe beteja e librave po aq sa e autorëve. Dhe meqenëse në këtë vend, paqja nuk është lajm, kurse beteja është lajmi normal, kjo kokëposhtësi në rendin e ngjarjeve, ka ngjallur hutim në vend të shpresës dhe shpresë të hutuar për të nesërmen. Botimet e Helena
Kadaresë, Edi Ramës, Ben Blushit, Blendi Fevziut, Spartak Ngjelës, Sokol Ballës apo dhe një cikël poezish të Sokol Olldashit, patën të garantuar vëmendjen
e publikut jo thjesht për përmbajtjen e tyre sesa për autorësinë që mbanin. Në Tiranën që është e madhe dhe metropol për Shqipërinë, por një provincë e humbur
në krahinën e madhe Evropiane, kjo betejës pati shijen, forcën dhe ngulmimin e modës: çfarë është në modë duhet të përqafohet nga të gjithë pa asnjë dallim
dhe pa asnjë dyshim. Njëlloj si festa e Shën Valentinit: është dita e të dashuruarve dhe hajde të dashurohemi! Njëlloj si festa e Halloween-it, hajde të trembemi!
Edhe atëherë kur dashuria është makth, edhe kur të jetuarit në trembje, është rregull dhe jo përjashtim i një dite të vitit.

Po beteja e librave? Duke nisur me Kurbanin e Ramës, libri pati shansin e rrallë, që veç lëvdatave, u “kritikua”, u ironizua dhe sulmua fort, ashtu siç pothuaj nuk ka ndodhur kurrë me ndonjë libër, nga njëri prej personazheve të tij. Sali Berisha, edhe kryeministër, edhe personazh i librit, që pa dalë botimi në treg, zgjodhi gjuhën me kunja për të demonizuar edhe autorin, edhe produktin e tij. Sepse kryeministri, njëlloj si autori, kuptoi se libri nuk ishte rrëfimi për të shkuarën e autorit, por një skedar i hapur për të ardhmen, sidomos të ardhmen politike të vetë autorit dhe të personazheve të tij. Dhe në të ardhme, hakmarrjes së heshtur të librave, nuk i shpëton dot askush. Grekët vërtet e fituan Trojën me luftë, por libri i madh i një greku të vërber, ka sjellë në sytë e gjithë botës, fitoren e Trojës: nëpërmjet trishtimit dhe dhembjes për rënien e saj.
Libri i Helena Kadaresë gjithashtu provokoi trazim. Por dhe ai nuk i shpëtoi keqkuptimeve. Më shumë se interesi për të njohur jetën e çiftit të famshëm shqiptar të letrave, kurioziteti brutal dhe shpesh edhe barbar i publikut, kërkoi t’i afrojë ata tek pjesa e mediokritetit të jetës së zakontë: kur shkoi, me kë shkoi! Duke harruar se jeta e një shkrimtari, sidomos e një gjeniu, nuk mund të matet me parametrat e rëndomtë njerëzorë: çfarë për dikë mund të jetë mëkat, për një shkrimtar është normalitet dhe çfarë është mëkat për shkrimtarin, është normalitet për qytetarin anonim.
Megjithatë, kjo betejë librash në Tiranë, nuk e ka sharmin e betejave normale që ka njohur kryeqyteti shqiptar në këto 20 vite. Nga ndeshjet me armë përballë armëve, tek përleshjet me gurë kundër armëve e deri tek uria si një armë në luftë. Beteja e librave ka një tjetër përmasë. Tek “Dashuri në kohën e kolerës” Gabriel Garcia Marquez, përmend brengën e madhe të Doktor Urbinos, i cili kishte ndërtuar një teatër opere në qytetin e tij, brengën që ai nuk arriti të shohë të thyejnë bastunet në kokën e njëri-tjetrit ithtarët e muzikës së Vagnerit me ata që parapëlqenin muzikën e Verdit. Tirana e sotme i ka të gjitha. Ka Doktorin e saj. Ka kolerën e vet që ndërkombëtarët e quajnë ngërç, opozita krizë, kurse pozita mrekulli ekonomike. Nuk ka bastunë, nuk ka Vagner, nuk ka aromën e vjetër klasike të redingotave apo frakeve, por ka tallava politike. Tallava pafund. Në betejë dhe në paqe. Sepse... ka pothuaj një javë që ka një lloj paqeje të veçantë në Tiranë. Që nisi të hënën me Kuvendin dhe pohimin për miratimin e ligjeve me tre të pestat dhe nisjen e punës për reformën elektorale. Që vazhdoi me bekimin e kësaj paqeje në linjën Bruksel – Uashington. Që natyrisht nuk i shpëtoi duelit të zakonshëm: “...aleanca juaj e fundit e plehut është e dëshpëruar dhe e pashpresë“, siç godet i pari Berisha nga Kashari dhe “Të pasurit do shpëtojnë nga gjobat, mjedisi nga plehrat dhe Shqipëria nga kënga e gjelit majë plehut”, siç ja kthen Rama nga Tirana.
Kështu, mes luftës dhe paqes, është duke u mbyllur dhe ky vit. Por që në dëshpërimin e të mbeturit në fund të realitetit dhe të qenurit në krye në vallen tallava të premtimeve, afroi megjithatë një shpresë: në Tiranë ka dhe luftë për libra.

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Është ndarë prej bashkëshortit? Françeska Murati tregon si qëndron e vërteta

Është ndarë prej bashkëshortit? Françeska Murati tregon si qëndron e vërteta