Gazetarja e A1 REPORT Entela Bajrami ka fotografuar këto çaste, teksa punëtorët e kontraktuar nga Bashkia e Tiranës lyejnë shtyllat.
Kjo lëvizjes e kryebashkiakut Basha vjen vetëm një ditë pasi kreu i qeverisë Rama postoi në rrjetet sociale foton e një shtylle ndriçimi përballë Pallatit të Kongreseve, të cilës i kishte dalë boja ndërsa dukeshin edhe shenjat e mbetura nga letrat (njoftimet) e hequra.
Akuzat e Ramës ndaj kryebashkiakut Basha përsa i përket infrastrukturës në Tiranë, në rastin konkret lidhen me punimet e parealizuara nga Bashkia ne sheshin “Nënë Tereza”.
Statusi i Ramës
“T'ia thotë dikush Bashkisë të lyejë shtyllat e bulevardit se boll u krenuan me punët e të tjerëve për vizitën e madhe”, shkruante Rama në Twitter
Përgjigjja e Bashës
Por nuk mungoi shumë dhe kryetari i Bashkise së Tiranës, Lulzim Basha, njëherësh kundërshtari politik i Ramës si kreu i Partisë Demkratike, reagoi po përmes një statusi në rrjetet sociale.
“Bashkia rregullon Sheshin Nënë Tereza, Vajmedeti që e la në pikë të hallit për 11 vjet del e bën selfie. Bashkia financon altarin, Vajmedeti që refuzoi ta financonte poston fotot e projektit. Tani që Bashkia nis lyerjen e shtyllave, del Vajmedeti dhe bërtet: të lyhen shtyllat! Cfarë mjerimi...”
Akuzat politike qeveri-Bashki per punimet ne sheshin "Nene Tereza"
Të enjten kryebashkiaku Basha inspektoi punimet që vijojnë në sheshin “Nënë Tereza” dhe tha se ndryshe nga qeveria, po bëhet ajo që nuk bëjnë të tjerët. “Flasim me vepra jo me llogje”, u shpreh Basha. Sakaq, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro tha se projekti për rehabilitimin e Sheshit Nënë Tereza është një projekt i qeverisë i planifikuar më herët dhe që mori spunto për tu përshpejtuar nga vizita e Papa Franceskut qe pritet te mberrije ne Shqiperi me 21 Shtator. Ajo sqaroi se Bashkia, me një fond të vecantë, është përgjegjëse për restaurimin e shatërvanit dhe shkallëve, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e punimeve është në mbarëvatjen e qeverisë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)