Beteja për një sistem të drejtë  dhe treg social të energjisë elektrike sapo ka filluar. E deklaruar disa herë, si e nisur nga qeveritë e mëparshme, reforma në energjikëka qenë një butafori e rrezikshme. Viti i kaluar njohu një nivel shumë të ulët të faturave të mbledhura dhe tëarketuara nga sistemi i shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri. Përpjekjet për të shtuar arkëtimet rreshtën qëllimisht. Për periudhën janar-qershor nuk u bë qëllimisht asnjë kontroll dhe proces-verbal pranë familjeve shqiptare që nuk paguanin, vetëm për t’u marrë votën më 23 qershor. Rezultati ishte katastrofik. Borxhet e vepruesve në sistemin energjitik shqiptar u shtuan kapicë, për të kapur 1.1 miliardë dollarë! Sistemi ishte në rrezik shpërbërjeje të plotë.

Duhej një ndërhyrje shumë e fortë dhe ajo po kryhet tani. Vala e arrestimeve në shumë rrethe të vendit, për ata borxhlinj të mëdhenj të energjisë, i ka mbushur sportelet e ish-Cez Shpërndarje me qytetarë në rradhë të gjata për të paguar. Dhe morali i gjithë kësaj është sa i trishtët, aq edhe i shëndetshëm për ekonominë tonë. Sheh rrushi-rrushin dhe piqet! Qindra e mijëra familje shqiptare që nuk paguanin prej vitesh, apo prej muajsh, tani janë trembur nga arrestimet dhe nxitojnë të paguajnë. Pra, nuk është se nuk kanë para, por thjesht u ka volitur të jenë në borxh me shtetin.

Dhe këtë gjendje borxhliu e ka nxitur qeveria e mëparshme, sidomos në periudhën janar-qershor 2013, kur nuk bëri asnjë kontroll të mirëfilltë nëpër lidhjet dhe sahatet elektrike dhe nuk mori asnjë masë! Dhe mijëra familje u mësuan se kjo gjendje do të vazhdojë gjithmonë, pse edhe qeveria e re do të na e ketë nevojën për votë, dhe do të na lerë të marrim energji e të mos paguajmë. Kjo nuk ndodhi dhe tani me miliona dollarë borxhe të vjetra e të reja po arkëtohen. Është mirë që këto para të ruhen për periudhën nga 1 janari 2014, kur çmimi i energjisë do të rritet shumë për pjesën e 300 kilovatëvetë parë të harxhuar çdo muaj, dhe me mijëra familje në gjendje realisht të vështirë ekonomike, do të vuajnë.

Ministri i Mirëqenies dhe Mbrojtjes Sociale bën mirë që del dhe garanton se këto familje në nevojë, që ditën e parë të zbatimit të sistemit të ri, do të ndihmohen drejtpërsëdrejti nga pagesa e pensionit dhe e ndihmës sociale. Kjo duhet bërë me shumë seriozitet e saktësi dhe nuk mjafton vetëm deklarata e një ministri. Që tani duhen ngritur grupe speciale pune, për të garantuar pagesën e menjëhershme që në fund të janarit 2015, të kompensimit për energjinë elektrike që dhjetra mijëra familje në nevojë do të paguajnë më shumë. Është mëse e vërtetë se struktura e sotme e çmimit të energjisë elektrike është e padrejtë, jo-ekonomike dhe favorizon të pasurit e sipërmarrësit krejtësisht kot, për zonën e 300 kilovat-orëve të para të harxhimit.

Kjo strukturë pjell orë e çast abuzimin dhe korrupsionin me faturimin e energjisë, pse faturistët kërkojnë para nga familjet që kanë dhe nga bizneset, që t’u faturojnë vetëm kilovat-orë të harxhuar të kësaj zone të mbrojtur. Reforma e një janarit 2015 është e drejtë, por do të humbë moralin dhe drejtësinë e saj, nëse të gjitha familjet në nevojë që preken prej saj, nuk dëmshpërblehen dhe kompensohen menjëherë. Këtu, krahas prerjeve të lidhjeve pa leje dhe arrestimeve të borxhlinjve të mëdhenj, është sfida reale e qeverisë së sotme.

Ajo, nga të gjithë qytetarët që e paguajnë ndershmërisht energjinë, përshëndetet dhe garanton edhe dobinë e 150 milionë dollarëve kredi që po jep Banka Botërore për sistemin tonë energjitik. Të 45 milionëdollarët më tëpër që janë arkëtuar në një vit e dy muaj të drejtimit të kësaj qeverie, nuk janë asgjë në energjitikë, në këtë treg mbi 4 miliardë dollarë në vit në Shqipëri. Arkëtimet e shtuara të këtyre javeve duhet të vazhdojnë normalisht këtej e tutje, sepse bisturia e reformës nuk duhet dhe nuk mund të ndalet. Beteja për energjinë shqiptare sapo ka filluar dhe opinioni publik i vendit, pavarësisht lojës politike të njërës parti apo tjetrës, duhet ta mbështesë, si të vetmen zgjidhje që fëmijët tanë të kenë një energji të matshme, që nuk do t’u mungojë dhe ku të gjithë pa përjashtim e paguajnë.  


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 2 Nëntor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)