Por sot në Kolegjin Zgjedhor, u hodh shorti që zgjodhi trupën e gjyqtarëve që do gjykojnë padinë e opozitës.
Dhe nëse Kolegji Zgjedhor do të marrë në konsideratë ankimimin e opozitës për çregjistrimin e listave të kandidatëve, situata futet e në një krizë ligjore dhe e vetmja mënyrë për ta zgjidhur atë është një marrëveshje politike përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancë të jashtëzakonshme në parlament. Këtë mendim ndajnë dy ish kryetarët e KQZ, Çlirim Gjata e Kristaq Kume për situatën e krijuar pas ankimit në kolegj të listave shumëemërore të kandidatëve
Denar Biba: PAA nuk eshte subjekt zgjedhor, nuk ka te drejte te ankimoje ne KQZ
Nëse nuk ke dorëzuar listat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, automatikisht nuk mund të konsiderohesh si subjekt zgjedhor dhe për shkak të ligjit nuk legjitimohet asnjë ankimim në Kolegjin Zgjedhor.
Kryetari i KQZ, Denar Biba ka shpjeguar sot se, legjislacioni parashikon që ankimim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm ata “të cilët paraqesin listë kandidatësh” (nenet 145/1 e 63/1 të KZ).
E tillë rezulton dhe PAA, që nuk ka dorëzuar lista për kandidatë në KQZ. Ndaj automatikisht kërkesa e kësaj partie, pjesë e opozitës në Kolegjin Zgjedhor për rrëzimin e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në datën 18 Qershor nuk qëndron.
Neni 2
Përkufizime
20. “Subjekte zgjedhore” janë partitë politike, koalicionet dhe kandidatët e propozuar nga zgjedhësit, si dhe kandidatët për kryetarë të organeve të qeverisjes vendore, të regjistruar në përputhje me këtë Kod.
Neni 63
Subjektet zgjedhore dhe kandidatët
1. Subjekt zgjedhor është një parti politike ose një koalicion partish politike, të cilët paraqesin listë kandidatësh, sipas rregullave që përcaktohen në këtë Kod.
Neni 145
E drejta e ankimit në gjykatë
1. Subjektet zgjedhore kanë të drejtë të bëjnë ankim në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit, Tiranë kundër vendimeve të KQZ-së, kur ato cenojnë interesat e tyre të ligjshëm brenda afatit të përcaktuar në nenin 152 të këtij Kodi.
Shpjegimin Biba e bëri nisur nga rasti i Partisë Agrare Ambjentaliste (PAA). Por duke nisur nga rasti i sotëm ndaj ankimimit të opozitës në Kolegjin Zgjedhor mbi rrezimin e dates 18 Qershor si dita kur do te zhvillohen zgjedhjet parlamentare, atëherë automatikisht dhe kjo kërkesë nuk qëndron, pasi as PD nuk konsiderohet subjekt zgjedhor sepse nuk ka paraqitur listat me kandidatët për deputetë në KQZ.
Sipas Bibës, nisur nga ligji i lartpërmendur, PAA nuk mund të konsiderohet subjekt zgjedhor sepse nuk ka paraqitur listat zgjedhore.
“Dëgjova për ankimin e paraqitur nga Partia Agrare Ambjentaliste (PAA) në Kolegjin Zgjedhor të Gjykatës së Apelit Tiranë, me objekt: “Kundërshtimi i vendimeve të KQZ...”.
Është fakt i njohur botërisht dhe i provuar faktikisht që PAA, ndonëse ka paraqitur kërkesë në KQZ për t’u regjistruar në zgjedhjet për Kuvendin, të datës 18 qershor 2017, në vijim ka paraqitur kërkesë për t’u çregjistruar dhe nuk ka paraqitur listë kandidatësh as më herët e, as në datën 29 prill 2017, që ishte edhe afati i fundit i parashikuar nga Kodi Zgjedhor (KZ), i përllogaritur publikisht sipas formulës së përdorur më së paku që nga zgjedhjet e vitit 2009.
Automatikisht, PAA nuk mund të konsiderohet si subjekt zgjedhor, për shkak të ligjit dhe, për pasojë, nuk legjitimohet që të paraqesë ankim në Kolegjin Zgjedhor, pasi ankim kanë të drejtë të bëjnë vetëm “subjektet zgjedhore” dhe të tillë janë vetëm ata “të cilët paraqesin listë kandidatësh” (nenet 145/1 e 63/1 të KZ)", thote Biba.
Ky zbërthim i ligjit nga Denar Biba bëhet 3 orë pasi Kolegji Zgjedhor hodhi shortin për trupën që do të gjykojë padinë e opozitës.
Fati i '18 Qershorit', Kolegji Zgjedhor caktoi trupin gjykues
Kolegji Zgjedhor vendosi sot me short trupën gjykuese që do të shqyrtojë kërkesën e PAA, mbështetur nga Partia Demokratike dhe opozita për rrëzimin e datës 18 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare, pasi listat e kandidatëve për deputetë sipas tyre janë dorëzuar jashtë afateve.
Nga shorti rezultoi që anëtarët e trupës gjykuese që do të shqyrtojnë padinë e opozitës do të jenë; Tomor Shkreli, Gjin Gjoni, Sotiraq Lubonja, Ridvan Hado dhe Artur Malaj.
Ankesa e opozitës në Kolegjin Zgjedhor, flasin Gjata e Kume
Nëse Kolegji Zgjedhor do të marrë në konsideratë ankimin e opozitës për ç'regjistrimin e listave të kandidatëve, situata futet e në një krizë ligjore dhe e vetmja mënyrë për ta zgjidhur atë është një marrëveshje politike përmes ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nëpërmjet një seance të jashtëzakonshme në parlament. Të njëjtin mendim ndajnë dy ish-kryetarët e KQZ, Çlirim Gjata e Kristaq Kume për situatën e krijuar pas ankimimit në Kolegj të listave shumëermërore të kandidatëve. Sipas tyre në këto kushte jemi përballë një situatë të paparashikuar në ligj.
Ish-drejtuesit e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve thonë se në kushtet e pranimit të kërkesës së opozitës nga Kolegji, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve i mbetet e vetëm opsioni për të shpallur të pavlefshëm proçesin zgjedhor më 18 qershor.
Në këto kushte sipas tyre 18 qershori bie si datë zgjedhore.
Por nëse merret versioni i rrëzimit të padisë së opozitës, dhe listat e kandidatëve mbeten në fuqi sipas vendimit të KQZ , Çlirim Gjata mendon se zgjedhjet mund të bëhen më datën 18 qershor.
Çlirim Gjata
Zoti Gjata, cfarë duhet të presim ne në këto kushte?
Duke interpretuar në gërmë ligjin, Kolegji Zgjedhor duhet të pranojë kërkesën dhe të ç’regjistrojë të gjitha listat e partive sepse janë jashtë ligjit, sepse janë 1 ditë me vonesë. Data e 50 është 28 Prilli në darkë ka mbaruar afati.
E dyta, çfarë ndodh nëse ç’regjistrohen listat? Ajo që ndodh është se zgjedhje më 18 Qershor nuk ka se zgjedhje pa emra pa njerëz nuk ka, nuk mund të çosh kartona. Se çfarë do të çosh më 18 Qershor kur nuk ke më kandidatë? D.m.th bie 18 Qershori.
Ajo që e bën situatën shumë të ndërlikuar është, se ligji nuk parashikon asgjë se cfarë ndodh nëse ç’regjistrohen kandidatët.
Jemi as pak më ndryshe se Kavaja, por në Kavajë u tërhoq kandidati. Nuk ka asnjë shpjegim ligjor se cfarë do të bëhet me Kavajën dhe ka mbetur KQZ, nuk ka ende një shpjegim ligjor se çdo të bëjë me Kavajën.
Po kështu dhe këtu tani, nëse ç’regjistrohen ata bie 18 Qershori dhe nuk ka asnjë zgjidhje për këtë. Thuhet se duhet të presim 18 Qershorin që të shpallet pavlefshmëria e zgjedhjeve, por që ta bësh këtë do ribëhen sërish zgjedhjet, por kur, kur nuk ke as kandidatë se nuk shtohen kandidatë të rinj, se
Është i mbyllur 18 Qershori për kandidatët. Ku do i gjesh kandidatët që ti cosh në datën e dytë?
A ka një zgjidhje ligjore për këtë?
Nuk ka asnjë zgjidhje ligjore për këtë. As Presidenti nuk e gjen dot bazën ligjore për të caktuar datën tjetër. Pra nuk ka ligj për këtë. E vetmja zgjidhje është esktraligjore. Sepse as NIshani as Meta nesër nuk gjejnë dot bazë ligjore për këtë. E vetmja zgjidhje është që n.q.s bien listat, Presidenti, ose Nishani ose Meta, apo të dy bashkë të detyrojnë partitë të bëjnë një marrëveshje politike.
Për ndërhyrje në Kodin Zgjedhor?
Po për Kodin Zgjedhor. E vetmja zgjidhje është kompromisi politik, vajtja në seancë të jashtëzakonshme në Parlament për miratimin e Kodit Zgjedhor. Pastaj sesi arrihet tek kompromisi politik, kjo është lojë politike pastaj.
Unë jam jurist, është aritmetikë.
Po nëse Kolegji Zgjedhor miraton shqyrtimin dhe pranon vendimin e KQZ për listat dhe në kushtet kur opozita kundërshton listat, cfarë ndodh?
Ligjërisht jemi këtu ku jemi tani, jemi në krizë politike pa opozitë. Do jemi në debat politik, deri tani bëmë debat ligjor
Po nëse Koligji rrëzon KQZ për regjistrimin e listave të kandidatëve?
Kriza politike vazhdon por tani dhe krizë ligjore. 18 Qershori, formalisht qëndron por nuk ka fuqi politike që prodhon institucione nesër, hyjmë në krizë ligjore, pra detyrimisht palët duhet të ulen dhe të zgjedhin modalitete të tjera.
Po mund të arrihet marrëveshje?
Kjo do vullnet pastaj
Po Presidentët?
Ata janë ‘armët’ për të mbledhur partitë për të arritur konsensus. Duhet të diskutohen të gjitha kërkesat. Përvec krizës politike hyjmë në krizë ligjore.
Po kreu i KQZ, Denar Biba thotë që animimi i PAA nuk qëndron sepse nuk rezulton subjekt zgjedhor
Nuk dua të debatoj në distancë me z Biba, por mendimi im është që kjo ka të bëjë me legjitimimin dhe këtë e përcakton gjykata dhe ky pretendim mund të ngrihet në Gjykatë dhe gjykata vendos nëse kërkesa e PAA është legjitime apo jo. Por më lejoni të them se jo vetëm që është regjistruar atje, por partitë kanë përfaqësuesit e tyre me emër në KQZ dhe KQZ është e detyruar të të dëgjojë.
Kristaq Kume
Zoti, Kume, Kolegji Zgjedhor ka hedhur shortin për të shqyrtuar kërkesën ankimore të opozitës për listat e kandidatëve për deputetë pasi sipas tyre janë regjistruar me vonesë. Jemi në kushtet kur Kolegji mund të rrëzojë KQZ, cfarë mund të ndodhë në këtë rast, si mund të shkohet në zgjedhje?
Në rast se KQZ do të dakortësohet me aktpadinë e bërë për të vlerësuar se vendimmarrja e KQZ për listat është një vendimmarrje nul, kjo do të thotë, ka si rrjedhojë më pas mosbërjen dot të zgjedhjeve në datën 18 Qershor. Pastaj mbetet vetëm një rrugë, shtrimi, diskutimi, e trajtimi i çështjes në Kuvendin e Shqipërisë. Ky Kuvend duhet të vendosë me shumicë të cilësuar 84 vota për atë cfarë duhet të bëhet pas kësaj për të bërë të mundur zgjedhjet e radhës.
Për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor?
Po për të ndërhyrë në Kodin Zgjedhor. Nëqoftëse do të bihet dakort që zgjedhjet pas kësaj të bëhen jo përpara shtatorit të ardhshëm, por dhe pas datës 9 Shtator, por dhe pas kësaj date, datë kur mbaron mandati i Kuvendit aktual duhet të ndërhyhet në Kushtetutën e Shqipërisë. Mund të ndërhyhet jo në një mënyrë, por në disa. Mundet ose të ndërhyhet duke vendosur një dispozitë të përkohshme që rregullon këtë problem, sepse kemi precedent të këtij lloji në Kushtetutën e vendit tonë, ose mund të gjendet zgjidhje tjetër, po prapë në Kushtetutë. Por nëse partitë bien dakort në tavolinë, cdo zgjidhje vjen duke shkuar në Kuvendin e Shqipërisë. Nqs duhet ndërhyrë në Kodin Zgjedhor duhet shumicë e cilësuar, nëse duhet në Kushtetutë duhen më shumë sic është parashikuar. Por për mendimin tim nuk është problemi bëhet ose jo një shumicë e tillë, sa kohë që zgjidhja të mos jetë vetëm nga njëri kah, i maxhorancës, por pozitë-opozitë.
A po shkojmë drejt një krize ligjore?
N.q.s Kolegji Zgjedhor do të vendosë pro aktpadisë së bërë, problemi pas kësaj vjen vetëm duke ndërhyrë në ligj.
Kreu i KQZ Biba ka thënë që PPA nuk është subjekt zgjedhor
Për dijeninë time është regjistruar, ka kërkuar të ç’regjistrohet, dhe kjo parti politike është subjekt zgjedhor, ka të drejtën të ankimojë. Mosdepotizimi i listës së kandidatëve nuk e penalizon, nuk e ç’bën subjekt zgjedhor.