TIRANE- Konfiguracioni parlamentar i vendosur në zgjedhjet e vitit 2009 duhet se do të ndryshojë, duke e ndarë dhe më tej "hartën" parlamentare në favor të partive të reja politike. Njëri ndër nismëtarët e grupit të punës së partisë Fryma e re Demokratike, ish-zv.presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Aleksandër Biberaj është shprehur se së shpejti do të marrë jetë grupi parlamentar i kësaj partie. Çka do të thotë se përpos kryetarit të grupit nismëtar Gazmend Oketa që është deputet në Kuvendin e Shqipërisë, atij do t'i bashkohën dhe gjashtë deputetë të tjerë, të cilët do të lëvizin nga PD drejt FRD. "Na e kanë konfirmuar disa deputetë të PD kalimin në grupin tonë parlamentar. Nuk mund të them emra, pasi vendimi i tyre është individual, por dhe kohën për të lëvizur do ta zgjedhin vetë. Por ne shumë shpejt do të formojmë grupin tonë parlamentar dhe kjo është shumë e sigurtë", ka qënë deklarata e Biberajt për gazetën "Shqiptarja.com". Duke e cilësuar lëvizjen e këtyre deputetëve drejt derës së hapur të FRD si një lëvizje cetrifugale, ku një forcë shtyn dhe një tërheq, njëri ndër drejtuesit kryesorë të partisë së re të Topit, Aleksandër Biberaj nënvizon faktin se afrimi i deputetëve por dhe e intelektualëve, studentëve dhe e njerëzve të thjeshtë drejt FRD bëhet dhe për shkak se PD është si një anije që fut ujë nga të gjitha anët. Megjithëse nuk ka precizuar kohën kur do të ndodhë ky 'eksod' i madh deputetësh nga PD, ai është i sigurtë se kjo do të ndodhë shumë shpejt, duke fuqizuar fort FRD dhe duke e futur atë në radhët e partive parlamentare, me një fuqi reale dhe imponuese në Parlament dhe në politikën shqiptare. "Ardhja e deputetëve të PD në grupin parlamentar të partisë sonë do fillojë javën e ardhshme apo pak më vonë, kjo mbetet në dorën e vetë deputetëve. PD po fut ujë në të gjitha anët. Unë e them siguri se do të ketë lëvizje të forta nga ajo parti, e njerëve të pastër, intelektualëve, studentëve dhe kontributorëve me integritet që kërkojnë të kontribuojnë realisht për të ardhmen e vendit në gjirin e vendeve të përparuara të BE. Por dhe që kërkojnë një politikë ndryshe, që të përputhet me interesat e shqiptarëve dhe me idealet për të cilat janë sakrifikuar që nga lëvizja e Dhjetorit, por që nuk e kanë parë për 22 vite me radhë produktin për të cilin kanë luftuar dhe e kanë ëndërruar", tha Biberaj. Ai ka nënvizuar se FRD po shtrihet me shpejtësi në të gjithë vendin, ku strukturat e partisë po ngrihen dhe fuqizohen dita ditës. Pas Vlorës, ku është nëj bërthamë e fortë e kësaj partie, struktura solide po ngrihen dhe në qytetet e tjera duke filluar me Durrësin, Elbasanin, Vlorën dhe Shkodrën, pa lënë gjithnjë pas dore Tiranën, ku kjo parti ka një bazë me të vërtetë solide të mbështetjes. Por një "intervenim" të fortë në radhët e të djathtës FRD ka shënuar dhe në qarkun e Lezhës, ku në mënyrë fare të papritur është vënë re një mbështetje e jashtëzakonshme e njerëzve të zhgënjyer nga PD, por dhe nga aleatët e saj, të cilët janë njehsuar me të, duke paralajmëruar lëvizje masive në drejtim të FRD. Njëherësh një ndër elementët bazë ka qënë dhe ajo përgatitjeve të lëvizjeve të mëdha nga këshilltarët bashkiakë dhe komunalë, që mund të prishin tërësisht balancat e vendosura deri më tani dhe duke e kaluar PD dhe aleatët e saj në minorancë, por dhe duke shënuar në këtë mënyrë tkurrjen e PD dhe në bazën qeverisese të pushtetit vendor. Një shembull se Shqipëria përpos krizës nga Greqia po "importon" dhe ndryshimin e konfiguracionit politik, ku partitë që kanë qeverisur me rotacion për vite me radhë duke i lëshuar vendin njëra tjetrës, tashmë sipas sondazheve kanë rënë në vend të dytë dhe të tretë, duke lënë hapësirë për forcat e reja politike, me ambicje dhe strategji të të reja të qasjes ndaj elektoratit.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)





