Biblioteka e ish-diktatorit
Nexhmija: Si e shkatërruan

Biblioteka e ish-diktatorit <br />Nexhmija: Si e shkatërruan
Sipas rrëfimit të Nexhmije Hoxhës, biblioteka e Enver Hoxhës përmbante rreth 25 mijë tituj librash. Përveç këtyre, secili nga të tre fëmijët kishte afërsisht nga 5 mijë libra, shumë nga të cilat ua kishte falur babai i tyre, sipas interesave profesionale. Në bibliotekë u vunë librat që kishte ruajtur familja e Enverit nga koha e studimeve në Liceun e Korçës e në Monpelie të Francës. Libri më i vjetër në gjuhën frënge ishte "Le conte de Lisle antique" me shënimin: "Enver Hoxha - Gjirokastër-1926". Bashkë me këtë ishin një tok librash, të gjitha në frengjisht, të viteve 1936-1939.

Pjesa më e madhe e librave të bibliotekës ishte në gjuhën frënge, sepse këtë gjuhë zotëronte plotësisht Enver Hoxha. Pasurimi i bibliotekës në këtë gjuhë u favorizua edhe nga një marrëveshje që ishte lidhur mes Komitetit për marrëdhënie kulturore me jashtë (pranë Ministrisë sonë të Jashtme) dhe një zyre përkatëse që ekzistonte në Paris, më duket pranë Ministrisë së Jashtme, që merrej me përhapjen e kulturës franceze. Enver Hoxha ndonjëherë bënte porosi edhe drejtpërdrejt për të blerë ndonjë libër në treg. Lexonte në gazetën "Le Monde" ose në revista, si në "La Pensé" dhe në "Literature Française" që ishte vënë në qarkullim ndonjë libër i ri politik, filozofik ose edhe letrar, që dëshironte ta kishte sa më parë, e porosiste dhe i vinte nga ambasada shqiptare në Paris.

Në Bibliotekën e Enverit gjendeshin biografitë, autobiografitë, memoaret e persona-liteteve më të shquar botërorë të lidhur me Luftën e Dytë Botërore e më pas, duke filluar me Memoaret e Uinston Çërçillit, që i kishim në dy variante: ato shumëvë-llimshe, ku përshkruan jetën e tij që nga koha e rinisë së vet, kur ka marrë pjesë në luftën kundër boerëve në Afrikën e Jugut, dhe 2-3 vëllimet e veçanta për Luftën e Dytë Botërore, ku flet edhe për përshtypjet e tij nga takimet me Stalinin.

Për Rusveltin, ishin dy vëllimet e shkruara nga sekretari i tij i shquar e besnik, Hopkins, që ishin shumë tërheqëse dhe ishin vlerësuar lart nga qarqet politike, kritikët dhe nga opinioni publik, siç kam lexuar në shtyp.
Shkatërrimi

Biblioteka e Enver Hoxhës e kalonte kuadrin e një biblioteke personale a familjare. Sipas Nexhmije Hoxhës, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, me një vendim qeveritar, kryeministri i PD-së, Aleksandër Meksi, urdhëroi që gjithë literatura politike e marksiste e bibliotekës së Enver Hoxhës të dërgohet për karton. Nuk dihet ç'kanë bërë me 5 vëllimet voluminoze (në formatin e enciklopedive të mëdha) të procesverbaleve të Kominternit (Internacionales Komuniste), që me kërkesë të Enverit i qenë dërguar nga Moska. Ishte kopje e vetme në Shqipëri, e vyer jo vetëm për komunistët, por për çdo studiues, historian e njeri me kulturë.

Zonja Hoxha thotë se ende nuk e ç'u bë me librat në gjuhën ruse,të autorëve Pushkin, Tolstoi, Dostojevski, Gorki etj, ku përfunduan vëllimet e fjalorit enciklopedik francez "Larousse" (Larus), që nga botimi më i vjetër, i madh, i rëndë, si dhe të gjithë tipet e mëvonshme të "Petit Larousse" (Larus i vogël), më të përsosur në përmbajtje e më praktikë në përdorim, madje, edhe në format xhepi. Nuk dihet ku kanë shkuar Enciklopeditë angleze, italiane, ruse, albumet e mëdha me riprodhime të pikturave nga Muzetë më me famë të Europës, albumet me riprodhime të ilustruara të ndërtimeve më të bukura e interesante botërore, si ato të antikitetit, piramidat e Egjiptit, tempujt e Athinës, kështjellat e Mesjetës e pamje të tjera me vlera të veçanta historike e artistike të popujve të ndryshëm?

Nexhmije Hoxha thotë se ish-kryeministri i PD-së, Aleksandër Meksi, për të mbuluar djegiet e grabitjet e Bibliotekës së Enver Hoxhës, me shkresë të veçantë urdhëroi që librat e kësaj biblioteke të dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare. Mirëpo aty, sipas saj janë dërguar vetëm 2675 libra dhe ajo thotë se ka parë që ato janë disa libra të dorës së dytë e të tretë.

Hoxha kujton se në prill të vitit 2000 e njoftuan të merrte librat që kishin mbetur në shtëpinë ku kishin banuar, n ëish-Bllok. "Ato i gjeta të hedhura në bodrum, ku rrezikoheshin nga uji që kishte dalë. Ishin rreth 3-4 mijë copë, siç më thanë. Unë i mora pa ndonjë inventar, "derr në thes", siç thotë një fjalë e popullit. Mbetem me shpresë se do të më kthehen edhe librat që padrejtësisht janë në Bibliotekën Kombëtare. Se çfarë mund të bëj unë më vonë me librat e Bibliotekës së Enver Hoxhës, kjo më përket mua të vendos. Jemi akuzuar për shumë vendime arbitrare që qenkan bërë nga ana e pushtetit popullor, por ama asnjë libër i Kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit'hat Frashërit (alias Lumo Skëndo) nuk humbi e nuk u dogj, por biblioteka e tij personale u dorëzua e plotë e u ruajt me kujdes në Bibliotekën Kombëtare"-thotë ajo.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

 Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset

Shëngjin/ Zjarri përparon drejt Ranës së Hedhun, flakët i janë afruar zonës së banuar, rrezikohen bizneset