Presidenti Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump do të përballen më 27 qershor, për 90 minuta në një studio në Atlanta të kanalit televiziv CNN.
Debati historik do t’u japë mundësinë kandidatëve t’u përgjigjen shqetësimeve dhe pikëpyetjeve të votuesve, si dhe u jep mundësinë të fitojnë pikë përballë kundërshtarit politik në zgjedhjet për president që pritet të kenë një rezultat të ngushtë.
Do të jetë mbrëmja më e shumëpritur deri më tani për zgjedhjet presidenciale të këtij viti: një ripërballje historike mes presidentit demokrat Joe Biden dhe pararendësit të tij, ish-presidentit republikan Donald Trump.
Përballja mes dy kandidatëve më të moshuar për president shënon gjithashtu herën e parë në histori që debati bëhet mes një presidenti në detyrë dhe një ish-presidenti. Debati madje zhvillohet ndërsa ata ende nuk kanë marrë emërimin si kandidatë zyrtarë për president të partive të tyre.
Kanë kaluar katër vjet që kur ata u shfaqën për herë të fundit së bashku në të njëjtën skenë. Këtë radhë anketat tregojnë për një garë tepër të ngushtë.
“Ky mund të konsiderohet debati më i rëndësishëm presidencial i të gjitha kohërave. Gara është tepër e afërt... Dy kandidatët nuk mund të ishin më diametralisht të kundërt, si për sa i përket stilit ashtu edhe politikave. Vendi është i ndarë dhe i polarizuar. Pra debati merr rëndësi të madhe. Të dyja kampet elektorale e kuptojnë këtë”, thotë eksperti i debateve presidenciale nga Universiteti i Miçiganit, Aaron Kall.
Plani i presidentit Biden do të jetë të hidhet në sulm ndaj ish-presidentit Trump, për të nënvizuar se votuesit do të duhet të vendosin mes një udhëheqësi të vendosur dhe një kandidati të shpallur fajtor për vepra penale dhe që përbën rrezik për demokracinë.
Por, ky do të jetë edhe shansi më i mirë për presidentin që të hedhë poshtë idenë se është në moshë shumë të madhe dhe se nuk mundet të përballojë një mandat të dytë.
“Çështja e moshës do të shfaqet sërish. Presidenti Biden fitoi terren përkundër këtyre kritikave gjatë fjalimit për Gjendjen e Vendit që mbajti në muajin mars, ku ia doli mirë dhe u shfaq energjik. Por duke qenë 81 vjeç dhe me mundësinë e një mandati të dytë, atij i duhet të tregojë se është i fortë në krahasim me Trump-in, se zotëron faktet dhe nuk bën gabime verbale apo gafa”, thotë zoti Kall.
Ekipi i ish-presidentit Trump e shikon debatin e së enjtes si një mundësi për ta sulmuar presidentin Biden për situatën e inflacionit dhe emigracionin. Do të jetë gjithashtu një mundësi për t’u treguar votuesve se ish-presidenti Trump mund ta mbajë situatën nën kontroll edhe nën trysni.
“Ai duhet të shfaqet me një pamje presidenciale dhe që del mbi mosmarrëveshjet. Në këtë mënyrë, ai mund t’i eliminojë pikëpyetjet që njerëzit mund të kenë për temperamentin, apo aftësinë e tij për të shërbyer për një mandat tjetër”, thotë zoti Kall.
Sidoqoftë mangësitë e të dy kandidatëve do të ofrojnë një mundësi të jashtëzakonshme për kundërshtarin politik.
Rregullat për debatin e 27 qershorit janë gjithashtu të pazakonta. Kandidatët kanë rënë dakord për të debatuar pa praninë e publikut në studiot e CNN-it. Mikrofonat do të jenë të mbyllur dhe do të hapen vetëm kur të jetë radha për të folur. Kandidatët nuk do të lejohen të kenë blloqe shënimesh me vete dhe në sallë do t’u jepet një stilograf dhe bllok për të mbajtur shënime, si dhe një shishe uji.
E gjitha kjo do të zhvillohet përpara një audience kombëtare, që do të ndjekë për herë të parë një përballje të dytë mes tyre. Debati i dytë do të mbahet në shtator dhe deri atëherë çdo sukses apo gabim do të ketë pasoja të rëndësishme./VOA