Biden dhe Trump përpjekje për armëpushim në Gazë para 20 janarit

Biden dhe Trump përpjekje për armëpushim në Gazë para 20 janarit

Lufta në Rripin e Gazës

SHBA - Ndërsa Presidentit Joe Biden i mbaron mandati më 20 janar, ndihmësit e tij po punojnë me ekipin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të mundësuar një armëpushim në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Patsy Widakuswara, analistët thonë se ultimatumi i zotit Trump për armëpushim nuk ka gjasa të ndryshojë çështjet e pazgjidhura në tryezën e negociatave.

Vdekjet dhe shkatërrimi vazhdojnë të jenë një realitet i përditshëm për palestinezët në Gazë, pavarësisht se Shtetet e Bashkuara kanë bërë trysni për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Presidentit Biden i mbaron mandati më 20 janar.

“Po shohim disa përparime. Shpresojmë se do të kemi një shkëmbim të burgosurish. Hamasi po e pengon këtë shkëmbim. Por unë mendoj se mund të arrihet. Duhet ta realizojmë”, tha Presidenti Joe Biden.

Ekipi i presidentit amerikan po vazhdon koordinimin me administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. I dërguari i Presidentit Biden, Amos Hochstein, po vazhdon përpjekjet diplomatike në rajon. Këtë javë, i dërguari i zotit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, po zhvillon bisedime me zyrtarët e Katarit, të cilët janë ndërmjetës të Hamasit.

“Në fakt, unë besoj se po punojmë së bashku në një mënyrë vërtet të mirë. Por është presidenti, reputacioni i tij, gjërat që ai ka thënë, ato që e drejtojnë këtë negociatë”, tha Steve Witkoff, i dërguari i presidentit të ardhshëm amerikan për Lindjen e Mesme.

Në fillim të javës, zoti Trump përsëriti ultimatumin e tij për një marrëveshje që do të lironte pengjet izraelite të mbajtura nga Hamasi.

“Nëse ata nuk lirohen deri sa të marr detyrën, tmerri do të pasojë në Lindjen e Mesme”.

Analistët thonë se ultimatumi i zotit Trump nuk ka gjasa të ndikojë tek Hamasi, pasi grupi i cilësuar terrorist nga Shtetet e Bashkuara, vazhdon të goditet nga fushata ushtarake izraelite. Ata thonë se nuk ka gjasa të ndikojë tek çështjet e pazgjidhura në tryezën e negociatave.

Zëri i Amerikës bisedoi me ish negociatorin amerikan për Lindjen e Mesme, Aaron David Miller, i cili aktualisht punon me institutin “Carnegie Endowment for International Peace”.

“Numri i të burgosurve që do të lirohen, sa pengje, prova që janë gjallë, vendndodhja e pengjeve të gjalla, sa do të lirohen në fazën e parë [të armëpushimit]? Këto janë çështje që kanë shumë pak të bëjnë me politikën e ardhshme të administratës Trump.”

Të enjten, Presidenti Biden përshëndeti zgjedhjen nga parlamenti libanez të zotit Joseph Aoun si presidentin e ardhshëm të vendit, duke i dhënë fund një vakumi shumëvjeçar të qeverisjes dhe një lufte mbi njëvjeçare midis Izraelit dhe Hezbollahut./ VOA

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Igor: 11/01/2025 17:13

    Ju qe shkruani kete lajm jeni qesharaket e botes a nuk ju vjen turp te qeshni me nji popull te varfer qe rezikon zhdukjen,Amerikanet enxisisn Izraelin qe ta vazhdoj luften ne Gaza derisa te farosen i gjith populli i pa fajshem ata financojne vrasjen e femijve dhe grave qe skan aspak lidhje me hamasin ,jo vetem ne Gaza por tani lufta dote hapet ne Siri me lejen e perendimit FASHIST.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Mijëra njerëz protestojnë kundër konventës së partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani

Mijëra njerëz protestojnë kundër konventës së partisë së ekstremit të djathtë në Gjermani