Biden, përpjekje për të zbutur shqetësimet e partisë rreth gjendjes së tij shëndetësore

Biden, përpjekje për të zbutur shqetësimet e partisë rreth gjendjes së tij shëndetësore

Presidenti amerikan Joe Biden do të takohet të mërkurën me disa nga 23 guvernatorët demokratë në kuadër të përpjekjeve që të sigurojë kolegët kryesorë politikë se ai është në gjendje të mbetet kandidati i partisë për zgjedhjet e vitit 2024. Shqetësimet për këtë u rriten pas paraqitjes së dobët në debatin e parë televiziv me kandidatin e pritshëm republikan për President, Donald Trump.

Takimi i zotit Biden me guvernatorët vjen ndërsa këshilltarët e tij kanë bërë përpjekje të sigurojnë donatorët më të mëdhenj të fushatës, ligjvënësit dhe mbështetësit kryesorë të Partisë Demokratike se ai është në gjendje të konkurrojë kundër zotit Trump dhe mund ta mposhtë atë në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Të mërkurën në mëngjes, ekipi i zotit Biden publikoi një memorandum që tregonte se kandidati demokrat, pas debatit televiziv, kishte shënuar rënie të vogël në sondazhet kombëtare përballë zotit Trump.

Megjithatë, sondazhe të tjera të pavarura kanë treguar që ish Presidenti Trump po fitonte terren, pas debatit. Debati, i organizuar nga rrjeti televiziv amerikan CNN, u pa nga 51 milionë njerëz.

Në një takim për mbledhjen e fondeve të martën në mbrëmje, në periferi të Uashingtonit, zoti Biden ofroi një shpjegim për paraqitjen e tij në debat. Ai tha se kishte mungesë gjumi dhe përmendi si arsyetim edhe orarin e gjatë të udhëtimeve, në javët para mbajtjes së debatit.

Presidenti udhëtoi në Evropë ku mori pjesë në ceremonitë për 80-vjetorin e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë në Normandi të Francës dhe më pas në Itali për një takim të grupit të shtatë vendeve më të zhvilluara të botës. Ai gjithashtu ka udhëtuar brenda Shteteve të Bashkuara në takimet me mbështetësit ndërsa zhvillohet gara zgjedhore për president.

Fakti është se nuk veprova në mënyrë të zgjuar. Vendosa të udhëtoj nëpër botë disa herë, duke kaluar rreth 100 zona kohore ... përpara ... debatit. Nuk i dëgjova këshilltarët e mi dhe kur u ktheva, pothuajse më zuri gjumi në skenë”, tha ai. “Ky nuk është justifikim, por është një shpjegim”.

Një pjesë e vogël e zyrtarëve demokratë kanë filluar të shprehin publikisht shqetësimet e tyre nëse kandidati Biden ka mprehtësinë mendore dhe forcën fizike për të përfunduar fushatën dhe për të shërbyer për një mandat tjetër katërvjeçar, i cili do të përfundonte në fillim të vitit 2029, kur ai do të ishte 86 vjeç.

Lloyd Doggett, ligjvënës i Dhomës së Përfaqësuesve nga Teksasi, që deri tani ka fituar 15 mandate, të martën u bë zyrtari i parë demokrat që i bëri thirrje publike zotit Biden të tërhiqej. Ai tha se zoti Biden duhet “të marrë vendimin e dhimbshëm dhe të vështirë për t'u tërhequr”.

Ligjvënësi Doggett tha se “vendimi im për t’i bërë publike këto shqetësime të forta nuk u mor lehtë dhe as nuk e zvogëlon në ndonjë mënyrë respektin për gjithçka që ka arritur presidenti Biden”.

Megjithatë zoti Doggett përmendi paraqitjen e dobët gjatë debatit të kandidatit Biden dhe dështimin e tij për të “mbrojtur në mënyrë efektive arritjet e tij të shumta”.

Ligjvënësi nga Teksasi i tha Radios Publike Kombëtare se ndonëse ai është i vetmi ligjvënës demokrat që bëri këtë thirrje publike, ai shtoi se po shpreh qëndrimet edhe të të tjerëve. Ai shtoi, “nuk kam marrë asnjë qortim nga zyrtarët kryesorë të partisë”.

Zyrtarët e lartë demokratë, megjithatë, kanë shprehur mbështetje për zotin Biden pas debatit, duke thënë se ai duhet të kundërshtojë me forcë shqetësimet në rritje midis kolegëve të tij partiakë.

Senatori nga Nju Jorku, Chuck Schumer, udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, tha të martën se besonte se presidenti 81-vjeçar ishte i aftë për të kryer edhe një mandat.

Unë jam me Joe Biden-in”, tha ai, duke i bërë jehonë komenteve të zyrtarëve të tjerë të lartë të partisë.

Por Nancy Pelosi, ligjvënëse nga Kalifornia dhe ish-kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve, tha se ndërsa e mbështet zotin Biden si kandidat, pyetja nëse paraqitja e dobët në debat ishte një rast i vetëm apo bëhet fjalë për një gjendje të rënduar të Presidentit, është një pyetje legjitime. Ajo shtoi se ka dëgjuar qëndrime ‘të përziera’ nga donatorët nëse kandidati Biden ishte në gjendje të vazhdonte garën e tij për një mandat të dytë si President.

Televizioni amerikan ‘ABC News’, i cili grumbullon të dhënat e sondazheve dhe informacione të tjera për të bërë parashikimet e tij zgjedhore, tha se kandidati demokrat Biden kishte shënuar rënie në sondazhet kombëtare, pas debatit. Megjithatë, televizioni njoftoi se ka arritur në përfundimin se “katër muaj para ditës së zgjedhjeve, rezultati i tyre është ende i paqartë”.

Nuk ka asnjë shenjë që zoti Biden po shqyrton seriozisht tërheqjen nga gara, që do të përsëriste përballjen e vitit 2020 me zotin Trump.

Senatori Sheldon Whitehouse nga shteti ‘Rhode Island’ i tha një televizioni lokal në shtetin verilindor se ai ishte “i tmerruar” nga paraqitja e zotit Biden gjatë debatit. Ai i kërkoi Shtëpisë së Bardhë garanci për “gjendjen e Bidenit ... se kjo ishte vërtetë një anomali dhe jo gjendja në të cilën ai është tani”.

Senatori demokrat nga Vermonti Peter Welch tha se fushata e kandidatit demokrat Biden po mban “një qëndrim shpërfillës ndaj njerëzve që ngrejnë pyetje për diskutim”.

Presidenti Biden e ka pranuar se paraqitja e tij ishte e dobët kundër kandidatit republikan Trump gjatë përballjes 90-minutëshe televizive. Ky ishte debati i parë televiziv nga dy që janë planifikuar për këtë fushatë zgjedhore. Debati tjetër pritet të mbahet më 10 shtator.

Por një ditë pas debatit, ai u duk energjik gjatë një tubimi zgjedhor në shtetin e Karolinës së Veriut, edhe pse ai pranoi se “e di që nuk jam një djalë i ri. Nuk eci me aq lehtësi si më parë, nuk flas aq mirë sa dikur, por di të bëj një gjë: di të them të vërtetën!”

Kandidati demokrat Joe Biden shtoi se ai nuk do të garonte për një mandat të dytë nëse nuk besonte "me gjithë zemër dhe shpirt se mund t’ia dal”.

Disa informacione për këtë artikull janë marrë nga agjencia e lajmeve ‘Reuters’./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjegjesia?



×

Lajmi i fundit

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie

E ardhmja e PD-së/ Nesturi: A do tërhiqet Berisha ndonjëherë? Luan Baçi: Ne morëm vulën, askush nuk u ndie