Biden pritet të heqë Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin

Biden pritet të heqë Kubën nga lista e vendeve që mbështesin terrorizmin

Presidenti i SHBA Joe Biden

Presidenti i SHBA Joe Biden njoftoi Kongresin për qëllimin e tij për të hequr statusin e Kubës si vend që mbështet terrorizmin, njoftoi Shtëpia e Bardhë. Vendimi është pjesë e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Kisha Katolike për lirimin e të burgosurve politikë në Kubë.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane, të cilët folën në kushte anonimiteti, thanë se "dhjetëra" të burgosur politikë dhe të tjerë që konsiderohen nga Shtetet e Bashkuara të ndaluar në mënyrë të padrejtë do të lirohen deri në mesditën e 20 janarit. Shtetet e Bashkuara do të lehtësojnë gjithashtu disa sanksione ekonomike ndaj Kubës, si dhe do të anulojnë një memorandum të vitit 2017 të lëshuar nga presidenti i atëhershëm Donald Trump që ashpërsonte qëndrimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Kubës.

Vendimi i Presidentit demokrat, mandati i të cilit përfundon javën e ardhshme ka të ngjarë të përmbyset që në fillim të javës së ardhshme pasi republikani Trump të marrë detyrën dhe Marco Rubio të marrë postin e Sekretarit të Shtetit.

Rubio, familja e të cilit u largua nga Kuba në vitet 1950 përpara revolucionit komunist që solli Fidel Castron në pushtet, ka qenë prej kohësh një mbështetës i sanksioneve ndaj vendit komunist.

Rubio do të paraqitet para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë të mërkurën për seancën e konfirmimit të tij dhe pritet të flasë për ardhjen e familjes së tij nga Kuba në Amerikë.

Zoti Trump emëroi Mauricio Claver-Carone, një ish ndihmës të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë dhe mbështetës i fortë i sanksioneve kundër Kubës, në postin e të dërguarit të tij të posaçëm për Amerikën Latine.

Në ditët e fundit të administratës së parë të republikanit Trump, më 11 janar 2021, Shtëpia e Bardhë riktheu statusin e Kubësi si një vend mbështetës të terrorizmit, që ishte hequr në periudhën e afrimit midis Kubës dhe Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të dytë të Presidentit Barack Obama. Në vendimin e saj, administrata e kaluar e zotit Trump përmendi mbështetjen e Kubës për udhëheqësin e Venezuelës, Nicolas Maduro, refuzimin për të ekstraduar rebelët kolumbianë në Kolumbi, dhe strehimin e amerikanëve të kërkuar nga autoritetet në Shtetet e Bashkuara.

Grupet dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, duke përfshirë Konferencën e Peshkopëve Katolikë të Shteteve të Bashkuara, i kanë bërë presion administratës së Presidentit Bidenit që të marrë këtë vendim për të lehtësuar vuajtjet e popullit kuban si pasojë e izolimit ekonomik të Kubës.

Kongresi dhe administrata e ardhshme e zotit Trump do të kenë mundësinë të rishikojnë dhe të ndryshojnë vendimet e zotit Biden, megjithëse zyrtarët e lartë të administratës amerikane thanë se administrata e Presidentit Biden kishte vendosur se nuk kishte "asnjë provë të besueshme" se Kuba aktualisht është e angazhuar në mbështetjen e terrorizmit ndërkombëtar./VOA 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë