Rënia e ndjeshme e temperaturave ka sjellë reshjet e para të dëborës në verilindje të vendit. Mali i Gjallicës në Kukës është zbardhur që prej pasdites së djeshme, ndërsa dëbora ka përfshirë edhe bjeshkët dhe disa fshatra malore.

Në fund të tetorit, temperaturat në zonat e larta të Kukësit kanë zbritur disa gradë nën zero, duke sjellë reshje dëbore në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.

Sipas raportimeve të barinjve që ndodhen ende në stane me bagëtitë e tyre, dëbora ka zbardhur edhe bjeshkët e Gjalisë, në lartësinë 1530 metra mbi nivelin e detit.

Reshjet kanë përfshirë gjithashtu fshatin Shishtavec në Kukës, si dhe bjeshkët dhe majat e larta të Valbonës, në Tropojë.

Ndërsa në zonat malore ka rënë dëborë, në qytetet Kukës, Krumë dhe Bajram Curri ulja e temperaturave është shoqëruar me reshje shiu dhe mjegull.

Deri më tani nuk raportohen probleme nga reshjet. Aktualisht, moti paraqitet i qetë dhe reshjet e shiut e të dëborës kanë pushuar edhe në zonat e larta malore.