TIRANË- Bie nga kati i gjashtë i një pallati në lagjen Medar Shtylla, portieri i Partizanit Aldo Teqja, 24 vjeç. Ai është dërguar në spitalin e Traumës ku është jashtë rrezikut për jetën. Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar Policia e Shtetit dhe Klubi i Partizanit. Ngjarja ka ndodhur pak pas përfundimit të ndeshjes kundër Teutës. Ndërkohë që miq dhe familjarë të tij kanë shkuar jashtë ambienteve të spitalit në mbështetje të tij.
Sipas policisë Teqja është hedhur nga kati i gjashtë i pallatit në gjendje të rënduar psikologjike, ndërsa sipas Klubit të tij të futbollit ngjarja ka qenë aksidentale.
"Klubi njofton se pjestari i ekipit Aldo Teqja siç edhe është raportuar në media ka pësuar një aksident menjëherë pas përfundimit të takimit Partizani - Teuta. Aktualisht portieri Teqja gjendet i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë nën mbikqyrjen e mjekëve, fatmirësisht jasht rrezikut për jetën. Mjekët e spitalit janë duke monitoruar gjendjen e Lojtarit. Prezent në ambientet jashtë spitalit janë shokët e skuadrës, stafi dhe drejtues të Klubit", njofton Klubi i Partizanit.
Aldo Teqja
Njoftimi i policisë
Rreth orës 19:40 në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike, është vetëhedhur nga kati i 6-të i banesës shtetasi A. T.,24 vjeç,i cili u dërgua në spital për ndihmë të specializuar mjeksore.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas lajmit për rënien nga kati i gjashtë i pallatit të portierit të Klubit të Partizanit. FSHF njofton se Teqja ka pësuar një aksident ndërkohë që tashmë ai është jashtë rrezikut për jetën.
"Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë opinionin publik se po monitoron me shumë kujdes situatën e portierit Aldo Teqja, i cili ka pësuar mbrëmjen e sotme një aksident.
Pas komunikimit me mjekët, familjarët dhe drejtuesit e Klubit Partizanit, duhet t’ju bëjmë më dije se gjëndja ish-portierit të përfaqësueses U-21 është jashtë rrezikut për jetën dhe në monitorim të vazhdueshdueshëm nga mjekët.
Jemi pranë familjes në këtë moment të vështirë dhe dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë si institucion për të ndihmuar rikuperimin e shpejtë të Aldos", njofton FSHF.