TIRANE- Rrëzimi i tavanit paraditen e së mërkurës në shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja, “Asim Vokshi” ka rrezikuar seriozisht jetën e 25 nxënësve të vitit të dytë. Ka qenë momenti i pushimit të madh kur një pjesë e madhe e sipërfaqes së tavanit është shkëputur dhe ka rënë, ndërsa ka plagosur lehtë një prej vajzave. Sipas drejtorit të shkollës, Prelë Vata kjo ngjarje është duke u hetuar nga inspektorët e Drejtorisë Arsimore Tiranë të cilët me anë të teknikëve dhe inxhinierëve do të vlerësojnë edhe cilësinë e punimeve të kryera. “Ngjarja ka ndodhur gjatë paradites së të mërkurës, kur nxënësit kanë qenë duke dalë në orarin e pushimit të madh. Në klasë ndodheshin vetëm 10 nxënëse por vetëm njëra prej tyre është plagosur lehtë në pjesën e shpatullës, ndërsa është mjekuar nga infermierja e shkollës.

Ajo është në gjendje të mirë shëndetësore dhe sot (dje) ka frekuentuar shkollë” ka pohuar për gazetën drejtori i shkollës. sipas tij, nëse kjo ngjarje do të kishte ndodhur vetëm pak minuta më parë do të ishte një katastrofë e vërtetë pasi mund të kishte rrezikuar seriozisht jetën e nxënësve. “Jam i lumtur që kjo ngjarje kaloi kaq lehtë, nëse do të kishte ndodhur vetëm 5 minuta më parë për ne do të kishte pasur probleme shumë serioze pasi sipërfaqja e shkëputur e tavanit, ishte tepër e madhe” pohon Vata. Ky i fundit ka njoftuar të gjitha instancat shtetërore për të bërë verifikimet e duhura, ndërkohë që po ashtu është thirrur edhe firma e cila ka kryer punimet për të bërë rikonstruksionin e pjesës së tavanit të dëmtuar. “Kam thirrur drejtuesit e firmës e cila ka kryer punimet dhe aktualisht janë duke punuar.

Firma ka dorëzuar projektin e rikonstruksionit që në vitin 2011 dhe garancia e saj ishte vetëm një vit, por sot në këtë kushte është po ajo firmë që po bën rikonstruksionin e pjesës së dëmtuar” ka pohuar drejtori i shkollës. Ndërkohë që në klasën e vitit të dytë një grup punëtorësh ishin duke kryer suvatimet në pjesën e tavanit, një grup tjetër punëtorësh kanë kontrolluar të gjitha klasat dhe ambientet e tjera nëse kishte rrezik për dëmtime të tjera të tilla. “Jemi duke kontrolluar çdo pjesë të tavanit duke filluar nga korridoret dhe klasat, kabinetet e mësuesve nëse ka “barqe” tavani në mënyrë që të mos ketë përsëritje të tilla të rasteve” ka pohuar një prej punëtorëve të firmës.

Nga ana tjetër një pjesë e prindërve janë shprehur të indinjuar për rastin në fjalë pasi sipas tyre, jeta e fëmijëve të tyre është e rrezikuar në çdo moment të ditës kur ata qëndrojnë në shkollë. Gjatë këtyre viteve ky nuk është i pari rast kur tavanet e shkollave, kopshteve apo çerdheve dëmtohen. Dhe në të gjitha rastet nuk është gjetur shkaku i dëmtimit të tyre, por duket qartë se aty ka të bëjë cilësia jo e mirë e punimeve të kryera nga firmat ndërtuese.

Pavarësisht këtyre fakteve, të cilat janë me dhjetëra deri më tani, askush nuk është vënë para ligjit, si nga Bashkia e Tiranës e cila merr në dorëzim punimet ashtu edhe nga firmat ndërtuese të cilat i kryejnë ato. Rasti më flagrant ka qenë ai në shkollën “Petro Nini” ku një pjesë e tavani u rrëzua vetëm gjashtë muaj pas rikonstruksionit total që iu bë godinës. 
 
Raste të ngjashme
 
Në 24 mars të vitit 2011 është rrezuar tavani në shkollën “Petro Nini: pas orës së gjashtë të mësimit. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë të lënduar.
 
Në 8 janar 2008 në shkollën “Teli Ndini” në Vlorë është shkëputur një pjesë e suvasë së tavanit ku ka rrezikuar jetën e 29 nxënësve të shkollës.
 
Në 17 mars 2011 po e njëjta situatë ka ndodhur në Gjirokastër ku 17 fëmijë të një kopshti kanë shpëtuar mrekullisht pas shembjes së tavanit
 
Në klasat e kinoklubit  të Qytetit Studenti në 4 prill të vitit 2012 është rrezuar sërish tavani duke rrezikuar jetën e studentëve që ndodheshin në auditorë.

Edhe ne bibliotekën e Durrësit është rrezuar tavani dy vjet më parë duke rrezikuar jetën e një studenteje e cila, mori plagë në pjesën e shpatullës.


 Shkrimi u publikua sot (17.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)