Kryeministri Edi Rama nga Durrësi, teksa po akuzonte opozitën për ‘baltosjen’ e punës së qeverisë, zbuloi se së shpejti do të ketë një takim me kancelarin gjerman Fredrich Merz. Një takim i mundshëm mes Ramës dhe Merz, rrëzon aludimet e Partisë Demokratike, të cilët pretendojnë për një prishje të marrëdhënieve të Ramës me qeverinë gjermane.
Rama ka folur edhe për mbledhjen e Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së ditën e nesërme në Bruksel. Shefi i Ekzekutivit tha se kjo Konferencë vulos përmbylljen e fazës hyrëse dhe hapjen e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Teksa shprehu bindjen për përmbylljen e procesit të negociatave brenda vitit 2027, Rama deklaroi se ‘ose do e fusë PS Shqipërinë në Europë, ose Europa nuk e merr kurrë Shqipërinë’.
“Qëllon edhe që sot të jetë dita përpara mbledhjes së Konferencës Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së në Bruksel nesër, ku do të vuloset përmbyllja e fazës hyrëse dhe hapja e fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.
Kjo do të thotë që Shqipëria pasi hapi të gjithë kapitujt e negociatave për anëtarësim në kohë rekord, me shpejtësinë më të madhe të regjistruar në të gjitha proceset e integrimeve të vendeve që na kanë pararenduar, tani më konsiderohet e gatshme për të filluar nga mbyllja e kapitujve të negociatave dhe konferenca e nesërme zhvillohet ekzaktësisht sipas kalendarit të paravendosur me Komisionin Europian, me synimin e përbashkët që negociatat e anëtarësimit të mbyllen brenda vitit 2027. PS është një oqean që e ngre dallgën çdo herë e më lartë, sepse është e vetëdijshme për sfidën dhe malin për t’u ngjitur.
O e bën PS Shqipërnë Europë, ose Europa nuk e merr kurrë Shqipërinë. Pas disa ditësh do ju çoj si përshëndetje një informacion nga takimi që do të kem me kancelarin e Gjermanisë. Ata të PD i bien grepit po njësoj, s’kanë nevojë për karrem. E gjejnë vetë veten në grep”, tha mes të tjerash Rama.
Rama ka hedhur akuza edhe ndaj lidershipit të opozitës, teksa tha se në krye të PD-së sot qëndron një ‘mbeturinë e komunizmit’.
Duke kujtuar dëmin e madh të shkaktuar ndaj shqiptarëve me firmat piramidale, Rama tha se në kohën e qeverisjes së Berishës, Shqipëria ishte një vend me ‘një mijë e një gropa e boshllëqe’.
“PS i ka vlerësuar komunistët për atë që kanë qenë dhe ka refuzuar komunizmin për atë që ka prodhuar dhe nuk është e rastit që sot e gjithë ditën në anën tjetër vazhdon dhe mbijeton në krye të asaj që gabimisht quhet opozitë, një mbeturinë e komunizmit, në formën e vet më të neveritshme. Por ky nuk është problemi jonë dhe ne nuk na intereson kjo, por për ilustrim e solla në vëmendje. Si mund të krahasohej Shqipëria e fundosur e piramidave, mashtrimi më i madh në histori, nuk kishte si të ishte një Shqipëri pa një mijë e një gropa e boshllëqe, por u riangazhua me të ardhmen, me botën për të rivendosur rregull me tokën që deri në atë moment ishte hapur dhe ishte bërë humnerë”, vijoi më tej Rama.
Lajmi kryesor:
PS e Durrësit shënon 35 vjetorin e themelimit, Rama: Kjo forcë i dha vendit stabilitet! Klosi: Do anëtarësojmë vendin në BE! Ish-deputeti: Dikur ndjenim mbi supe shkopinjtë e policisë berishiane










