Sasia e mallrave të importuar në janar 2026 tregon për një fillim viti të zbehtë për kërkesën e brendshme, si për biznesin dhe konsumatorët, duke reflektuar efektin sezonal të muajve pa turistë. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, përveç naftës të gjitha grupet e mallrave ishin në rënie në sasi në janarin 2026 në krahasim me të njëjtin muaj të 2025.

Sasia totale e importeve arriti në rreth 455 mijë tonë në janar, me rritje vetëm 0.2% më shumë krahasuar me janarin 2025. Duke përjashtuar naftën sasia tjetër e mallrave nga importi shënoi rënie vjetore me 4% në janar 2026.

Rënie e importeve që lidhen me investimet

Rënia është më e dukshme te mallrat që lidhen me investimet dhe konsumimin jo thelbësor. importet e produkteve të drurit dhe letrës ranë me 15.4%, ndërsa materialet e ndërtimit dhe metalet u tkurrën me 4.7%. Po ashtu, makineritë, pajisjet dhe pjesët e këmbimit shënuan rënie me 4.7%, duke treguar një aktivitet më të ulët investimesh dhe prodhimi në muajin janar në krahasim me njëjtën periudhë të 2025.

Pakësimi i popullsisë rezidente, rënie për mallrat e konsumit

Pakësimi i popullsisë rezidente dhe ndikimi i saj në konsum reflektohet në muajt janar dhe shkurt ku zakonisht flukset e turizmit nuk kanë nisur. Në këtë periudhe dobësimi i konsumit reflektohet te veshjet dhe ushqimet. Në janar 2026 importet e tekstileve dhe këpucëve ranë me 2.2%, ndërsa artikujt prej lëkure me 3.7%.

Sasia e importeve të ushqimeve mbeti në vendnumëro. Kërkesa për mallrat bazë të konsumit në sasi ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel nga një vit më parë. Kjo kategori në muajt e verës ku vijnë turistët shpesh pëson rritje dyshifrore.  Meqë ushqimet, pijet dhe duhani janë mallra të konsumit të përditshëm, importet e tyre përdoren shpesh si tregues indirekt i konsumit të brendshëm.

Kategoria e vetme me rritje të fortë ishte ajo e mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë, me +8.4% Rimëkëmbja zakonisht pritet me afrimin e sezonit turistik, kur konsumi dhe importet rriten ndjeshëm./Monitor