Rreziku u shmang, por kanë qenë katër orë jashtëzakonisht intensive për shumë faqe web në mbarë botën, përfshirë edhe Shqipërinë. Një blackout digjital, në fakt, nxori jashtë funksionit platforma që i përdorim çdo ditë. Shkaku? Një problem në Cloudflare, platforma që garanton siguri, lidhje dhe performancë për miliona faqe interneti dhe aplikacione online, duke vepruar si një lloj “ndërmjetësi” mes vizitorit dhe serverit të faqes. Kjo do të thotë se kur Cloudflare bie, automatikisht pushojnë së funksionuari edhe portalet dhe faqet që mbështeten tek ai, duke lënë përdorues dhe biznese papritur pa akses në shërbime. Dhe pikërisht kjo ndodhi sot, më 18 nëntor dhe preku edhe faqet e mediave shqiptare. U deshën disa orë, por në fund kompania konfirmoi se kishte zgjidhur problemin që shkaktoi keqfunksionimin: “Besojmë se incidenti është zgjidhur”, shkruan Cloudflare.
Origjina e keqfunksionimit
Problemi u identifikua për herë të parë në orën 12:17 me orën shqiptare, por vetëm pas orës 12:48 situata u bë kritike. “Cloudflare është në dijeni të një problemi që mund të prekë disa klientë dhe po heton mbi të. Detaje të tjera do të jepen sapo të ketë më shumë informacion”, njoftoi kompania në një deklaratë. Pas gati dy orësh, në orën 14:00 të së njëjtës ditë, u dha një informacion tjetër: “Problemi është identifikuar, po zbatojmë zgjidhjen.” Në fund, pak para orës 16:00 të pasdites, problemi u zgjidh përfundimisht (ose të paktën kështu duket). Pra, një ndërprerje që zgjati pothuajse katër orë, e cila edhe një herë na kujton varësinë e madhe që kanë mijëra faqe, përfshi edhe më të njohurat, nga një numër shumë i vogël ofruesish shërbimesh Web.
Ranë edhe Canva, X dhe Spotify
Vlerësohet se rreth 20% e të gjitha faqeve të internetit në botë përdorin në një formë apo tjetër shërbimet e Cloudflare. Shumë përdorues raportuan probleme që prekën platforma shumë të përdorura (dhe të njohura), përfshirë chatbot-in ChatGPT të OpenAI, rrjetin social X të Elon Musk, aplikacionin e muzikës Spotify dhe edhe Canva-n, një shërbim për editimin e imazheve shumë i përdorur nga profesionistë në mbarë botën.
Autoriteti i Sigurinë Kibernetike ka reaguar pasi serverat e Cloudflare ranë për 4 orë duke prekur mijëra faqe në mbarë botën, përfshirë edhe faqe shqiptare. Autoriteti i Sigurinë Kibernetike rekomandon rritje të vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje të kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre. Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i shërbimeve të prekura për ndonjë problematikë pas ndërprerjes.
Deklarata e plotë e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike
Sipas raportimit zyrtar të platformës ndërkombëtare “Cloudflare”, më datë 18 nëntor 2025, ndodhi një incident me ndikim global që shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme të shërbimeve të kompanisë, përfshirë rrjetin global të Edge, API-të dhe disa komponentë të tjerë kritikë të platformës. Problematika filloi rreth orës 12:48 dhe u shkaktua nga një problem i brendshëm që ndikoi drejtpërdrejt në disponueshmërinë e shërbimeve.
Ndikimi u reflektua edhe në vendin tonë, ku disa institucione dhe sektorë patën vështirësi në aksesimin e faqeve dhe shërbimeve digjitale. Rreth orës 15:42 Cloudflare ka raportuar se kjo problematikë është e përkohshme dhe se kompania është duke punuar për kthimin e të gjitha shërbimeve në normalitet.
Për sa më sipër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) rekomandon rritje të vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje të kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre.
Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i shërbimeve të prekura për ndonjë problematikë pas ndërprerjes. Për më tepër, sigurimi i mekanizmave që lejojnë të paktën funksionimin bazë dhe në rast se shërbimet e ofruara nga Cloudflare nuk janë aktive, do të ulte rrezikun e prekjes nga kjo ndërprerje.
AKSK mbetet i angazhuar për të garantuar sigurinë e infrastrukturave të informacionit në vend dhe për të informuar publikun në kohë reale mbi çdo rrezik të mundshëm.
Komente








