TIRANË- Përballë mungesës së financave për krizën e shkaktuar nga pandemia, bashkitë kanë rritur detyrimet e prapambetura. Sipas raportit të financave vendore për 6 mujorin e parë të vitit, borxhet kanë arritur në 8.7 miliardë lekëve duke shënuar një rritje me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Vetëm nga tarifat vendore janë mbledhur 11.1 miliardë lekë.
“Rreth 52% e stokut të detyrimeve të prapambetura përfaqësohet nga investimet, 22% nga detyrime për mallra dhe shërbime, rreth 14% nga vendime gjyqësore dhe 12% nga detyrime të tjera”, thuhet në raport.
Sipas raportit të ardhurat e pushtetit vendor në 6 muajit e parë të vitit kanë rënë me 23.8%, duke reflektuar goditjen që kanë marrë nga tërmetet e 2019 si dhe pandemia COVID-19.
“Në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore regjistruan një nivel prej rreth 7.1 miliardë lekë, në tkurrje me rreth 23.7% në terma vjetorë apo rreth 2.2 miliardë lekë më pak krahasuar me një vit më parë”, thuhet në raportin e financave vendore për gjashtëmujorin e parë.
Ndikimi më i madh në tkurrjen e të ardhurave të pushtetit vendor e ka dhënë taksa e ndikimit në infrastrukturë, por edhe goditja e turizmit
“Në nivel vendor, të ardhurat nga taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier shënuan një nivel prej rreth 37.2 milionë lekë, në rënie me rreth 44.4% në terma vjetorë”, vijon raporti.
Ndërkohë paratë e mbledhura nga tatimi i thjeshtuar që paguhet nga bizneset me xhiro 5-8 milionë lekë janë rritur, edhe pse subjektet ishin të mbyllura.
“Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 332.3 milionë lekë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, në rritje me rreth 4.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, nënvizohet në raport.
Rënia më e madhe në mbledhjen e të ardhurave është regjistruar në bashkitë Selenicë, Lezhë, Kurbin, Roskovec, Mirditë Kamëz dhe Kavajë me -50 deri në 65%. Kurse bashkitë Dibër, Dropull, Gjirokastër, Gramsh, Krujë, Maliq, Mallakastër, Peqin, Përmet, Pogradec, Përrenjas, Shkodër dhe Vlorë shënuan më pak renide që luhatet në intervalin deri në -19.9%.