Një ndër emrat më të rëndësishëm të traditës shqiptare të pikturës dhe mjeshtër i ngjyrës, piktori Ismail Lulani u nderua gjatë Bienales së 6-të Ndërkombëtare të Akuarelit në Tiranë. Në një ceremoni miqësore, organizatorët e aktivitetit vlerësuan me çmimin “Ismail Lulani”, një artiste shqiptare, e cila ka qenë nxënëse e piktorit dhe asistentja e tij. Çmimin ia dorëzoi e bija e piktorit, Ormira.
“Jam shumë e kënaqur të jap këtë çmim dhe do t’ia jap një artisteje femër, një artisteje shumë të mirë, një piktoreje shumë të mirë, një pedagogeje të jashtëzakonshme, që shumë breza kanë kaluar në duart e saj. Një ndër këta kam qenë dhe unë dhe asistentja e parë e tim eti. dhe ky çmim i shkon Ikbale Kalasë.”, tha Lulani.
“Është është emocion shumë i madh që të kem emrin e profesorit të parë dhe të përjetshëm.”, tha nga ana e saj artistja Kalaja.
Përveç Kalasë, me çmim si artisti më i mirë u vlerësua edhe piktori Ardian Isufi.
Organizuar nga shoqata “VizArt” nën drejtimin e Helidon Halitit, “Urat mesdhetare- Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e akuarelit në Tiranë” është çelur te “Galeria e Artit” në Tiranë.
“Është një rrugëtim që ne kemi nisur me akuarelin, secili nga ne, nga fëmijëria jonë dhe zyrtarisht, në thonjëza, në 2015-ën. Këtu nuk ishte asnjë penel, nuk kishte as letër kureli. Ndërkohë sot gjen të gjitha brandet më të njohura dhe kushdo mund të furnizohet dhe të pikturojë akurel. Dhe sigurisht falë këtij eventi, falë këtij aktiviteti dhe mbështetësit përkatës.”, tha Helidon Haliti, organizator i aktivitetit.
“U bënë shumë vite që ne bëjmë aktivitete, që në 2015-ën, me edicionin e parë. ‘Vizart’-i është një organizatë, një shoqatë e ideuar nga Helidoni që është edhe kuratori i kësaj bienaleje, por edhe të gjithave në rresht. Jemi një grup i ngushtë që punojmë fort për këtë bienale. Në këtë rast për sa i përket kurimit do e shikoni që është një kurim pothuajse komplet ndryshe. Është më kontemporan ashtu siç dhe ju e pëlqeni”., tha Ormira Lulani, si bashkëorganizatore e këtij aktiviteti.
“Urat mesdhetare- Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e akuarelit në Tiranë” këtë vit përkon edhe me shpalljen e Tiranës si Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut.
Komente











