Bienalja,gjuhët e ndryshme të artit
bashkojnë Mesdheun në Tiranë

Bienalja,gjuhët e ndryshme të artit<br />bashkojnë Mesdheun në Tiranë
Gjallëri, vitalitet dhe lëvizje, ku të gjithë artistët pjesëmarrës janë të zënë me punët e artit dhe përpiqen t’i përfundojnë ato për një komunikim më të mirë me publikun.
 
Kjo është atmosfera e edicionit të 18-të Bienales së Artistëve të Rinj të Mesdheut që vjen për herë të parë në Shqipëri me plot 230 autorë e kuratorë. Bienalja që ka startuar në Shqipëri në datën 4 maj dhe do të vijojë deri në datën 9 maj, në Ditën e Europës vjen me mesazhe rreth temës së Bashkimit Europian.
 
Vetë artistët e vendeve europiane duket se e dëshirojnë këtë. Poeti gjerman, Oliver Mueller, poezitë e të cilit performohen në projektin “Reja” të Fujimotos në Galerinë Kombëtare të Arteve dëshiron me gjithë zemër, që jo vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani të jetë pjesë e Europës.

“Është hera e parë që unë vij në Shqipëri. Jam shumë i gëzuar. Kam tre ditë në Tiranë dhe e pëlqej shumë, sepse ka shumë të rinj në rrugë, ka shumë gëzim dhe gjallëri. Edhe ushqimi është vërtetë i mirë. Unë e pëlqej shumë kuzhinën mesdhetare. Në Gjermani hahet kryesisht mish dhe salca, ndërsa këtu ka shumë-shumë variacione ushqimi”, thotë Mueller

I pyetur nëse e njihte letërsinë shqipe apo historinë e saj, Mueller thotë se njeh vetëm historinë e diktaturës. Ndërsa kur e pyes për diktatorin gjerman Hitlerin, e refuzon si një pyetje politike, por bashkimin në BE nuk e konsideron të tillë...”

“Unë nuk e njoh poezinë dhe letërsinë shqipe, por di historinë e diktatorit Enver Hoxha. Mendoj se Shqipëria dhe Gjermania që kanë pasur histori diktaturash sot janë gati të shikojnë drejt së ardhmes. Unë e pëlqej Shqipërinë dhe Ballkanin dhe mendoj se ju keni shumë perspektivë të mirë për të bashkëjetuar me ne në Europë”, shprehet thotë Oliver Mueller

Projekti “Radio Anarti”
Maria Rosa Sossai, kuratore e projektit “Radio Anarti” që është pjesë e performancave tek “Reja”, shprehet se ideja që të sjellë imazhin e Radio-Tiranës së vjetër ishte e Jonida Priftit.

Sossei i quan interesante temat e këtij projekti, sepse është bukur kur të gjithë kanë një histori për të treguar dhe recitojnë vargje poetike apo këndojnë këngë të harruara nga koha e diktaturës.

“Poema është medium universal dhe vjen në harmoni me artet bashkëkohore. Edhe pse shumë njerëz në botë sot mendojnë se nuk është koha për poezi, ka poetë e shkrimtarë me vlera, ndaj është shumë e rëndësishme të përcjellësh poezitë e tyre. Dhe këto poezi përcillen nga kjo radio që është një performancë e ideuar nga Jonida Prifti. Bienalja këtë qëllim ka, të shpërndajë eksperiencat dhe këto eksperienca vijnë në Tiranë. Dhe mua më pelqen shumë Tirana, sepse ka shumë të rinj dhe ka shumë energji”, shprehet Sossai.

Ekspozitat e bienales shtrihen edhe në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve. Një ndjenjë mëkati të mbërthen kur e ke të pamundur të ndjekësh performancat e 230 artistëve, dhe shumica prej tyre kanë sjellë në BJCEM më shumë se një vepër. Është e vështirë që në 9 ditë t’i takosh të gjithë artistët.
 
[gallery]22127[/gallery]

Vasilis Aleksandrou dhe historia e fqinjëve
 Hyjmë në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve, ku janë ekspozuar me dhjetëra ekspozita, performanca, video-instalacione, vepra arti.

Mes shumë artistëve të tjerë të bie në sy një vepër origjinale e artistit grek Vasilis Aleksandrou. Me pompat e biçikletës dhe në alfabetin grek Aleksandrou ka krijuar një koncept të veçnatë për historinë, duke i lejuar vizitorët t’i japin pompës që fryn shkronjat. Puna aspiron të mbetet e hapur për lexime të shumëfishta dhe shikuesit le të ndërhyjnë kur të duan. Artisti me këtë vepër projekton tranzicionin.

“Me këtë vepër unë flas për historinë, për ata që e shkruajnë historinë dhe për historinë e popullit. Është kjo pompë që sjell dhe largon historinë nga vëmendja, dhe kështu fryrja dhe shfryrja e saj mund të përdoret nga të gjithë, kjo është ideja.” , thotë Aleksandrou.

Më tej artisti grek tregon emocionet e vizitës së tij të parë në vendin fqinj, Shqipërinë. Në kohën kur qendra e Tiranës është ende rrëmujë në proces restaurimi, Aleksandrou të habit jo pak kur thotë se Tirana është qytet i bukur…Megjithatë lëvdata e fqinjëve ne ballkanasve na bëjnë më të afrueshëm me njëri-tjetrin.
 
Gjuhët e ndryshme të artit, veç bashkojnë
 Në Bienalen e Artistëve të Rinj të Mesdheut, gjithçka sillet me shumë origjinalitet.

Të gjithë janë vënë në garë për të krijuar sa më shumë komunikim me publikun, një komunikim shumëgjuhësh mes artistëve nga Italia, Franca, Greqia, Turqia, Izraeli. Është kjo një plejadë artistësh të brezit më të ri që i ka zgjeruar kufijtë e Europës dhe Ballkanit, ku në këtë bienale vijnë edhe artistë të talentuar nga Siria.

Në këto ditë të bienales së Mesdheut vetëm në BunkArt 2 janë parashikuar të realizohen një numër prej 20 projektesh artistike. Pietro Della Giustina, kutaror i një grupi artistësh nga Franca zhvillon në këtë muze të viktimave të komunizmit në Tiranë një program me disa faza: Historia, Konflikti, Ëndrra, Dështimi.

“Është një praktikë e një arti kolektiv që lidh në një kontekst të caktuar aktualitetin historik duke i ndarë punët e tyre në konceptin e shtëpisë, duke krijuar kontaktet historive tradicionale të vendeve të tyre, duke u zhytur thellë në tradita të vendeve si Italia, Shqipëria, për t’i riprezantur përmes një narracioni artistik. Është mirë të akumulohen në kompleksietin e tyre dhe të krijojnë një lidhje mes njerëzve para se të pësojnë degradimin gradual”, thotë Pietro Della Giustina.

LLuc Baños në videoperformancën “Iinteraccions” ka fiksuar vetveten në kamera, pastaj me lëvizje të kujdesshme projekton veten e tij të gjallë përballë imazhit të tij. Është një interaksion, dhe një përballje e bukur me imazhin dhe vetveten.

Artisti Zazzarao Otto që performon edhe ai në Bunk Art2 thotë se i pëlqen shumë mjediset e performancave të Bienales BJCEM. Ndërsa vepra e tij “It Has Never So Blue Jay Way”, mix media 2017, ka qëllim sipas tij të krijojë një impakt të papritur.

Në të vërtetë efekti i dritës në dhomën e errët të BunkArt 2 të frikëson paksa. Artisti është kujdesur të vërë një shënim se “Këto efekte u bëjnë dëm të sëmurëve me epilepsi”.

Ndërkohë vizitorët që nuk kanë problem me shëndetin vijojnë të luajnë me efektin e papritur “pauuu” që bënë drita në errësirë. Ndërsa artisti gjithë merak e kontrollon, sepse mund të dëmtohet projekti nga përdorimi i tepërt. Synim i veprës misterioze është arritur, sepse LLuc Baños vetë nuk preferon të flas për konceptin e veprës.. Tek e fundit bienalja këtë qëllim ka, të prezantojë autorë origjinalë, për t’u përjetuar në mënyrë origjinale nga publiku.

Pavarësisht mënyrës së sjelljes, preferencave dhe ideve, pjesëmarrësit e kësaj bienaleje i bashkon një emocion i brendshëm, një rrahje zemre që përcillet organikisht me idenë e bashkimit të popujve, paqes dhe harmonisë, pa u takuar me njëri-tjetrin dhe madje pa i pyetur ata të thonë se jo vetëm Shqipëria, por edhe Ballkani duhet të jenë së bashku në BE. A është kjo një çështje politike. Sipas poetit gjerman Oliver Mueller kjo është një çështje ndjenje. Atij i pëlqen të jetë kështu.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

 Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës

Dimri i vertetë ka mbërritur! Orteqet e borës izolojnë Iballën në Fushë-Arrëz! Banorët përballen me vëshitërsi në Shishtavec të Kukësit dhe Theth të Shkodrës