Bike Boys

Bike Boys

Biçikletën dhe korsitë e biçikletave, tashmë i dashuroj më tepër se sulltani femrat e haremit.
Kalërimi mbi biçikletë nëpër korsi dhe rrugica të asfaltuara, ndez gjakun, forcon muskujt, hap mendjen, të mbars me emocione dhe ide të reja, të zgjat jetën.
Megjithatë, duke shetitur çdo ditë mbi korsi dhe rrugica të ndryshme që qyteti të mos të mërzitet, fluturimi me biçikletë nëpër qiejt e qefit nuk është aq rozë sa duket.
Një ditë, për shembull, frenova fort dhe u rrëxova e u dërrmova mbi ca tavolina metalike që një kafexhi i çmendur i kishte nxjerrë në trotuar. Faji ishte edhe imi. Nuk ecet me biçikletë në trotuar.
Një ditë tjetër vajta të regjistroj frenat. E filloi ustai atë punë javash-javash duke pi raki dhe duke kënduar hitin e fundit "Ta hongsha mëlçinë me pirun". Kur pas pak minutash biçikletës i hipa dhe u gjinda me majtas një makinë, djathtas një lypsar, përpara dy kalamaj, frenat nuk mbajtën, zilja nuk tingëlloi, rash si dëng mishi në asfalt. Thash' se vdiqa. Pijetari i kishte lënë frenat të lira, dhe kur e kishte kthy biçikletën përmbys për me lubrifiku zinxhirin, kishte dëmtuar zilen e mbërthyer te timoni.
Më kërrciste aksi i pasëm. Vajta te një biçikletaxhi ta ndreq. Njëkohësisht që ndreqte rrotën time, centronte rrotën e një tjetri. Për mos me më lën mu dhe tjetrin me na hyp nervat, në një tentativë idioteske me na bo me qesh, tha:
-Çfarë rrotash janë rrotat e shprehjes "rrotmrrot", rrota biçiklete, rrota motoçiklete, apo rrota makine ?
-Rrotat rrotmrrot jemi ne të dy që ndreqjen e dy rrotave tona ja kemi besu rrotës tate - i thash - dhe ika.
Sapo hyra te ustai tjetër, ja nisi me ligjëru:
-Po ta vodhën biçikletën domethën se je budalla. Nëse budalla nuk je, hajduti ta ka vjedh për ta rishpërndarë pasurinë në mënyrë më të drejtë. Në mos, meqënse biçikleta dashurohet si femër, dikush tjetër që biçikletën tënde e ka dashuruar më tepër se ty, ta rrëmbeu dhe iku.
Aq më mahniti biçikletaxhiu filozof, sa harrova pse vajta. Difektin e ndreqa vetë më vonë. Si në kohën e kurvit. Me forcat e mia.
Kur vajta te një biçikletaxhi me ma ndreq shalën se më vriste bythën, ja priti:
-A e di cili është ndryshimi mes femrës dhe biçikletës ?
-Hë ma thuaj se dua ta di.
-Kur i hyp, biçikleta çfryhet, femra fryhet.
Dhe qeshi me fjalët e veta.
Barcaleta katunareske më bëri për të vjellë. Por u bë sebep pikërisht barcaleta trashanike që atë çast formulova ligjin e pestë të Newtonit, sipas të cilit:
Pedalimi është erogjen. Kthesat e korsive të biçikletave janë më të ëmbëla dhe më të rrezikshme se nazet e femrave. Biçikleta ka seks. Biçikletën që s'ka seks, shitja ndonjë eunuku që seksi nuk i intereson, ose hidhe, shite për skrap.
Korsitë me harqe si sisët e femrave, rrrugicat me kthesa të buta si vithet e tyre, biçikleta ta zgjat jetën.
Por me biçikletaxhinj pijaneca, llafazana, pisanjosa, barkderra, që punojnë duke bo muhabet me cigare në gojë dhe duke kthy kokën sa andej këndej si skutha, nuk shijohet haremi i korsive dhe kthesave, rrezikohet jeta, kërcënon vdekja.
Ustallarët mesjetarë i shkatërrojnë mardhëniet idilike të kësaj natyre, e shterrin entuziazmin e kalërimit me biçikletë dhe të mirave shëndetësore që vijnë prej tij.
Po endesha shpresëhumbur nëpër korsitë mbi biçikletë si mbi dallgët e Valsit "Danubi Blu". Pyet njërin e tjetrin se ku mund t'i ndreqja marshat, levat, kavot, që më ishin bërë lëmsh.
-Nuk janë biçikletaxhinj mesjetarë, më tha dikush.
-Po çfarë janë ?
-Janë komplet tjetër gjë. Janë perfeksionista. Shko shifi vetë. Ja ku e ke "Bike Point".
Hyra bashkë me biçikletën te "Bike Point".
Kur s'mu bllokua fryma dhe s'më ndali zemra tek pashë ç'bëhej atje brenda, me siguri mushkëritë i kam prej polistiroli dhe nervat prej çeliku.
Çelsa, kaçavida, ekstratora, pinca, çekiça, fermo, plunxhera, pistona, premistopa, kushineta, bokola, stativa, morseta, dispozitiva mekanikë, pneumatikë, hidraulikë, vizatime, pankarta, skica, e të tjera e të tjera me të ikë menia.
Njëra më e pastër e më e bukur se tjetra, ca varur në mura, ca mbi tavolina, krejt veglat që i kam ëndërruar, por kurrë nuk i kam pasur, ishin të gjitha atje.
Më faneps ofiçina ku kam punuar:
Grumbull hekurishtash, çekiça me bish hekuri, çelsa të shtrembër ose të këputur, dalta të çmprehura, gërshërë të shpartalluara, sharra pa dhëmbë, zhul gjithandej. Të gjitha brenda një gërmadhe pisanjose të quajtur "Ofiçinë", ku nja dyqint a më tepër proletarë surratnxirë, ulçerozë, barkthatë, duke u rropatur e zhgërryer nën kamiona, e të tjera lemerira që po ti kujtosh kap spitalin psikiatrik për krejt pjesën e mbetur të jetës derisa të ngordhësh.
Në Parajsën e veglave nuk ka raki, nuk ka muhabete, pisllëk, javashllëk, këngë rakie, shakara katundareske. Ka punë, ka disiplinë, pastërti farmacie, precision gjerman, stil italjan, fantazi japoneze, përpikmëri angleze.
Mahnitje kapitalistike, ku shqiptari i talentuar që e ka ideuar këtë sipërmarrje, ka bërë gjënë më fantastike që sotpërsot mund të bëhet mbi truallin e Gjon Buzukut: Punën nuk e ka pritur, as nuk e ka blerë, as nuk e ka shitur, nuk e ka pranuar apo refuzuar, dhe as negociuar ose këmbyer, por Punën e ka shpikur, e ka shpikur atje ku nuk ekzistonte.
Pamje lakrimogjene.
Çunat nuk kanë ikur në Gjermani, Itali, Angli, Amerikë, apo gjetkë.
Bike Boys-at e Bike Point-it, Gjermaninë, Italinë, Anglinë, Amerikën, Japoninë, i kanë sjellë në Shqipëri.
Ku ndodhet Bike Point ?
Oazi mahnitës i iniciativës dhe punës ndodhet mes tregut çam dhe rrugës së famshme me emrin e një vrasësi.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë

Arrestohet ministri i Sigurisë së Bosnjës Nenad Nesic, akuzohet për korrupsion! Në pranga edhe 6 të tjerë