Përveç sipërfaqeve të mëdha pyjore dhe pemëve frutore, flakët dogjën 12 banesa në qarkun e Lezhës si dhe u shkrumbuan kasolle me bagëti brenda.

Në të gjithë qarkun zjarret kanë përshkuar rreth 2500 hektarë pyje, pjesa më e madhe e të cilave në territorin e Bashkisë Mirditë.

“Lufaj-Perlat kemi pasur rreth 959 hektarë. Zjarri më masiv ka qenë në zonën e Ungrejt, 1417 hektarë pyje, 14 hektarë në Mal-Milot, 8 hektarë në zonën e Vilzës”, tha Nikoll Tushi, përgjegjës i Mbrojtjes Civile.

Deri më tani nuk ka një faturë financiare por vlerësimi i dëmeve do të përcaktojë edhe mënyrën e ndërhyrjes për familjet e prekura.

Në rast se vlera e dëmeve tejkalon fondin që 3 bashkitë, Lezha, Mirdita e Kurbini kanë në dispozicion do të kërkohet mbështetja e qeverisë për kompensimin e familjeve të dëmtuara.

“Në qoftë se kalojnë vlerën e 8%, i drejtohen Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile për të marrë dëmshpërblimin”, tha Tushi.

Një pjesë e zjarreve dyshohet se kanë qenë të qëllimshme, ndërsa të tjera janë shkaktuar nga pakujdesia. Deri me tani janë identifikuar dhe ndaluar tre persona.