Por cili është bilanci i kësaj legjislature dhe cilat janë momentet më pikante të saj?
Padyshim që parlamenti gjatë kësaj legjislature ka miratuar qindra akte ligjore e ka ratifikuar qindra marrëveshje me institucione të huaja, por dy prej tyre, përbëjnë thelbin e kësaj legjislature, jo vetëm për rëndësinë rregullatore, por edhe sepse erdhën përmes dy krizash bojkoti parlamentar të zgjidhura drejtpërdrejt nga faktori ndërkombëtar. Dekriminalizimi ishte përfundim i një krize, ndërsa reforma në drejtësi, nisja e një krize tjetër.
Ligji i dekriminalizimit ishte produkt i një bojkoti të opozitës, ndërsa ndryshimet kushtetuese të reformës në drejtësi u iniciuan nga qeveria, u mbështetën nga ndërkombëtarët dhe kaluan në “lupën kritikuese” të opozitës.
Ligji i dekriminalizimit u kërkua nga opozita me pretendimin se qeveria kishte mbushur parlamentin me kriminelë. Pretekst u përdor dhuna në Kuvend që socialisti Armando Prenga ushtroi ndaj demokratit Gent Strazimiri. Ky moment bëri që opozita të dalë jashtë sallës parlamentare dhe të bojkotojë për rreth 6 muaj. Më pas, me ndërmjetësimin ndërkombëtar, PS pranoi të bëjë ligjin e dekriminalizimit, që pavarësisht se nga u nis, po krijon një standard cilësor në politikën shqiptare, si një rrjetë për t’i lënë jashtë politikës një herë e mirë personat me rekorde kriminale.
Përpara se ligji të miratohej, i akuzuari nga PD, deputeti i PS, Arben Ndoka dha dorëheqjen, ndërsa pas hyrjes së ligjit në fuqi, disa deputetë dhe kryebashkiakë humbën mandatet, drejtues administratash u dorëhoqën, ndërsa të gjithë kandidatët për kryebashkiakë, anëtarë këshillash apo deputetë kalojnë në filtrin e pastërtisë së figurës.
Reforma në drejtësi e iniciuar nga qeveria, pavarësisht se kur do të përfundojë dhe sa do të zgjasë, do të jetë sipërmarrja politike më e madhe e pluralizmit, dhe me ndjeshmërinë më të lartë qytetare.
Edi Rama po e përdor këtë si kartë elektorale të fortë, një “dhuratë” që opozita, me qasjen e saj rezistente ndaj të gjithë paketës ligjore, i ka bërë pa dashje qeverisë.
Reforma në drejtësi ka përbën punën më voluminoze të bërë nga Kuvendi i Shqipëri, komisioni i posaçëm për këtë çështje, i cili ka përfshirë qindra ekspertë vendas dhe të huaj, dhjetëra tryeza konsultative me qytetarë dhe njerëz të së drejtës, përplasje, konflikte, përballje, presione dhe opsione nga e majta, e djathta dhe ndërkombëtarët.
Kuvendi miratoi ndryshme themelore në Kushtetutën e Shqipërisë dhe një paketë prej 41 ligjesh që transformojnë thellësisht sistemin e drejtësisë, me qëllim pastrimin e gjyqësorit nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.
Ndryshimet kushtetuese ishin sprova më e madhe e konsensusit, por morën 140 vota pavarësisht presionit të gjithanshëm. Mesnata e 21 gushtit, gjeti dy njerëz: Engjëll Agaçin e kryeministrisë dhe Oerd Bylykbashin e PD-së, (nën vëmendjen e diplomates së lartë amerikane Nuland dhe komisionarit të BE-së, Hahn) të shkruanin në dakordësi të nxituar ndryshimet kushtetuese, duke anashkaluar mekanizmat zhbllokues. Kur drafti u dakordësua në mesnatë mes këtyre njerëzve, 140 deputetë, i votuan ato, pavarësisht se nuk ju vendos në dispozicion as një orë kohë fizike për t’i lexuar.
Fitorja e madhe e 21 gushtit zgjati pak dhe drita e konsensusit u fik menjëherë në miratimin e 7 ligjeve prioritare. Pas shumë fërkimeve pozitë-opozitë, mazhoraca i votoi e vetme këto ligje, përfshi dhe të shumëfolurin, ligjin e Vettingut.
Në këto kushte, në fund të këtij sesioni, parlamenti ka krijuar një kornizë ligjore të kontestuar, e pamundur të vendoset në zbatim, pikërisht, sepse opozita nuk merr pjesë në komisionet e vettingut, tashmë, jo sepse ka shqetësim themelor këtë ligj, por se është në bojkot parlamentar prej 76 ditësh për shkak të asaj që e quan përsëri kriminalizim i shtetit dhe kanabizim i vendit.
Si gazetare kam ndjekur me emocion të forta (dhe pse kjo në nuk më lejohet. Kam dalë jashtë orarit në punë dhe pse nuk isha e detyruar vetëm për të mos humbur ngjarjen) shoqerimin dhe arrestimin e tre deputetëve: Tom Doshi dhe Mark Frroku për të njëjtën histori ku pretendohej eliminimi fizik i Doshit, dhe të Armando Prengës për përfshirjen në një konflikt të armatosur. Pavarësisht se për këto dy deputetë ende drejtësia nuk ka folur dhe prezumohen të pafajshëm, për këtë legjislaturë këto tre arrestime do të mbahen mend si tronditje e “paprekshmërisë” së deputetit. Ligjvënësit panë kolegët e byzylykë të akullt, pas hekurave të burgut dhe se njëra prej tyre, arriti të çojë për herë të parë në prokurori si dëshmitar Sali Berishën, e pastaj me radhë drejtues të lartë shteti, përfshi dhe Kreun e Kuvendit, sot President i zgjedhur, Ilir Metën.
Pavarësisht kompozimeve politike, kjo legjislaturë parlamentare shënon dinamikën më të lartë të zhvillimeve për të paktën 10 vitet e fundit.
Redaksia Online
Shqiptarja.com