TIRANË- Drejtësia ishte kryefjala e konferencës së fundvitit të kryeministrit Edi Rama, i cili në 3 orë para gazetarëve bëri edhe një bilanc të punës për vitin që lamë pas dhe synimet për 2026-ën. Shefi i qeverisë është i qartë në qëndrimin e tij përballë thirrjeve të opozitës për dorëheqje, të shtuara pasi SPAK kërkon arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku, por edhe pas hetimit të AKSHI-t. Kryeministri e bëri të qartë se deri në vitin 2029, Shqipëria do të udhëhiqet nga Partia Socialiste, e cila në zgjedhjet e 11 majit fitoi 83 mandate përballë disfatës së thellë të opozitës.

“Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë, për AKSHI-in? AKSHI është një institucion krenari për ne”, tha kryeministri Rama.

Me argumentin se Kuvendi nuk është një zyrë noterie, por një lloj gjykate, kryeministri Edi Rama kritikoi dosjen e paraqitur nga SPAK teksa kërkonte autorizim për të arrestuar zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Rama tha se parlamenti dhe Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK dhe se prokurorët e Posaçëm nuk mund të vijnë në Kuvend me një USB të pretenduar se përmban 16 mijë faqe me prova, të cilat nuk i cilësoi gjë tjetër veçse ‘arkivi i ministrisë’.

“Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni me një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova. Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda”, tha Kryeministri Rama.

Gazetarët i kujtuan se në atë dosje, janë edhe mesazhe ku përmenden takimet e Ramës me biznesmenë vendas dhe të huaj që kanë fituar tenderë në Shqipëri.

"Ramë Geci e ka telefonin tim në dispozicion 24 në 24 siç e kanë të gjithë se unë nuk jam një hu gardhi por për të ndihmuar njerëz, jo për të dhënë tenderë, por për t’i mbështetur. Kam takuar shumë kompani turke, dhe nuk dua të di fare se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri", theksoi Rama. 

Më tutje komentoi edhe hetimin e SPAK për abuzimet me tenderët e AKSHI-t, institucion të cilin e vlerësoi për të gjithë punën e bërë për procesin e dixhitalizimit dhe atë në rrugën drejt BE-së.

“AKSHI është një institucion krenarie për ne. 620 mld lekë, që janë 620 mln euro, ka kursyer AKSHI për shqiptarët falë dixhitalizimit. 7600 vite pritje në radha, janë 25 mijë rrotullime rreth tokës. Këto ka bërë AKSHI, 33 mln euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, janë 75 milionë fletë letre të kursyera, ose 378 kamionë me letër. 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 mln shërbime të ofruara, 12 mln dokumente elektronike të gjeneruara”, theksoi kryeministri Edi Rama duke njoftuar se brenda muajit shkurt do të lançohet e-Albania 2.0.  

Shefi i qeverisë komentoi edhe emrin e Ergys Agasit, biznesmenin në kërkim, për të cilin opozita e akuzon se e përdorte si koordinator të krimit.

“Janë çerek të vërteta, se nxirret një copë këtu, një aty, ushqehet publiku me këto gjëra për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm derisa t’i dënojë gjykata. Mua çfarë nuk më vret vetëm më forcon”, tha Rama. 

Rama foli edhe për Erjon Veliajn që prej një viti qëndron në qeli, duke dhënë kët koment: “Në burg pa gjyq. Unë ende nuk e di se çfarë ka bërë. Korrupsion nuk kam parë”.

Kundërshtarëve politikë ju dha këtë mesazh fundviti: “Unë në zyrë dhe PS në qeveri dhe të tjerët poshtë penxheres time në rrugë”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:33
Akuzat e SPAK të Ballukut për tunelin e Llogarasë, Rama ironi me gazetarët: Aty nuk ka hekur, por bar të thatë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama, në konferencën e fundvitit me gazetarët, bëri ironi për tunelin e Llogarasë ndërsa zëvendës kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur për këtë tender dhe akuzohet për vjedhjen e 50 milionë eurove.

Kryeministri tha me ironi se aty nuk është përdorur hekur por bar për të vjedhur sa më shumë. Teksa iu rikujtua shifra e 50 milionëve eurove, për të cilat akuzohet Balluku, kryeministri tha se “do të gërmoni dhe ishalla i gjeni.”

“Jo jo aty hekur nuk ka. Në tunelin e Llogarasë, ky është një fakt që kush e ka kapur e ka kapur tamam. Po ua them se hekur në tunelin e Llogarasë nuk ka. Aty është përdorur bar i thatë që përdoret në jug për tendat në hije dhe ngaqë u desh vjedhur shumë u përdor bar. Në vend të hekurit u vu bar i thatë dhe madje ka edhe një krim tjetër aty, që është marrë shumë zhavorr, bar e rërë dhe u bë një strukturë dhe turqit pretendojnë se është më e fortë se hekuri. Këtë do ta studioni ju.

Jam i sigurt që edhe kjo do të dalë. Tuneli i Llogarasë është aty dhe është shëndoshë e mirë dhe e përdorin të gjithë e lehtësohen të gjithë. 50 milionë eurot? Po ato pastaj janë çështje tjetër, lidhen me gërmimin. Nuk është punë hekuri. Kështu që ato nuk e di, do të gërmoni dhe ishalla i gjeni. Ne do të vazhdojmë të bëjmë tunele, akset dhe këtë mandat siç e kam thënë do të ecim shumë edhe me projektet hekurudhore. Kështu i kemi ndarë detyrat, por ju aty te tenxheret”, tha Rama.

Ora 14:09
Rama: Mirlinda Karçanaj sot rri në ‘arrest shtëpie’ në banesë me qira, është protagoniste e digjitalizimit! Publiku ushqehet me çerek të vërteta (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama  e ka quajtur drejtoreshën e AKSHI- Mirlinda Karçanaj si protagonisten kryesore të digjitalizimit të Shqipërisë sot, për të cilën ai tha se sot qëndron në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në një banesë të marrë me qira.

Referuar gjithashtu dhe pjesëve që kanë dalë nga dosja hetimore e SPAK ku përfshihet dhe biznesmeni Ergys Agasi, Rama tha se janë çerek të vërteta që serviren për të dënuar në sytë e opinionit publik njerëz që prezumohen të pafajshëm derisa të dënohen nga gjykata.

“Është në një masë sigurie në një shtëpi me qira pasi më parë ishte në shtëpinë e prindërve të komunizmit, që e njoh para 20 vitesh që punon pa orar dhe që ka udhëhequr këtë transformim epokal. Është protagonistja kryesore e digjitalizimit.

Çfarë thoni ju bazuar në copëza të nxjerra rrugëve nga ata që duhet të ruajnë sekretin hetimor nuk është e mjaftueshme për të dalë mbi fatin apo pafajësinë e njerëzve. Janë çerek të vërteta, se nxirret një copë këtu, një aty, ushqehet publiku me këto gjëra për të dënuar në sytë e opinionit njerëz që kanë të drejtën të prezumohen të pafajshëm derisa t’i dënojë gjykata. Degjenerohen në publik që këta janë llum, dalin dhe këta kapakët e tenxhereve në darkë që marrin paga marramendëse të padeklaruara dhe që pastaj flasin për pensionistët ndërkohë që nuk i paguajnë pensionistëve atë që u takon atyre nga rroga e tyre. Mua çfarë nuk më vret vetëm më forcon”, tha Rama.

Ora 13:58
Rama: Tirana nuk ka luksin për të pasur kryetarin në burg! Akoma nuk e di çfarë faji ka bërë Erion Veliaj (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama komentoi dhe situatën e kryeqytetit me kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj të paraburgosur tashmë prej gati 1 viti.

Rama tha se këto janë rastet tipike që dëshmojnë problematikat e sistemit të drejtësisë sot me rastet e larta të paraburgimit në raport me të dënuarit. Rama tha se edhe sot që flasim, ende nuk është e qartë se çfarë ka bërë Veliaj ndërsa e krahasoi me rastin e Hashim Thaçit dhe me kryetarin e bashkisë së Tropojës.

“Rast tipik i asaj që thash përpara. I kyçur në qeli pa gjyq. Ndërkohë vazhdon kërkimi i provave. Unë akoma nuk e kam marrë vesh se çfarë ka bërë konkretisht. Nuk e kam kuptuar se çfarë ka bërë. Korrupsion në kuptimin e fjalës nuk kam parë. Përjashto rastet e veprave të rënda që përfshihet dhe korrupsioni në flagrancë, që përsëri është padiskutim fare e natyrshme që të përfundojë në paraburgim, të gjitha rastet e tjera duhet të jenë shumë të argumentuara.

Unë argumente përveç sesi i thotë Këshilli i Evropës nuk kam parë. Siç ja bënin Hashim Thaçit, rrezik për intimidim. Po nëse del i pafajshëm çfarë do ndodhi? Kush ia kthen ato vite mbrapsht? Në fund të ditës ka një akuzë që nuk e pranon populli i vet? Marrin kryetarin e bashkisë së Tropojës, e rrasin brenda jo ke firmosur jo nuk ke firmosur. Ne kemi numrin e paraburgosurve 94 në 1000 veta në mos gabohem. Belgjika e ka 10 dhe ka më shumë kriminalitet se Shqipëria, por është vend demokratik.

Duke qenë se është kryeqyteti, as Tropoja nuk e ka luksin ta ke të arrestuar kryetarin e Bashkisë. U bë viti dhe ka deri në zgjedhje dhe 1 vit e gjysmë. Unë e bëra një provë që t’i jepnim Tiranës një kryetar bashkie. Nuk funksionoi se GJK tha Tirana e ka një kryetar, në rregull po ku e ka?”, tha Rama.

Ora 13:52
Takime me Ramë Gecin e turqit e ‘Llogarasë’? Rama: Do takoj kë të më dojë e bardha zemër, unë nuk jam hu gardhi (VIDEO)

Para gazetarëve në konferencën e fundvitit, kryeministri Edi Rama u pyet nëse ka takuar biznesmenin Ramë Geci për Porto Romanon, apo përfaqësuesit e kompanisë turke që fituan tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë. Kryeministri Edi Rama tha se ka takuar përfaqësues kompanish pa fund dhe u ka thënë “që ç’ke me të, ejani investoni në Shqipëri”.

Kryeministri tha se ka takuar dhe “do të takoj kë të më dojë e bardha zemër dhe kë të më dojë e mira mendje.” Rama u shpreh se nuk është hu gardhi, por si kryeministër do të mbështesë dhe do t’i ndihmojë njerëz, por jo për tu dhënë atyre tenderë.

“Sa gabim është të shkëputen fletë dhe të dhëna nga një dosje hetimore dhe të hidhen në publik dhe pastaj të ziejnë Ramë Geci është njeri i nderuar, respektuar, një ndër ata që krijojnë punë dhe punësojnë njerëz, ushqejnë familje të tëra në republikën e Shqipërisë. Që unë ti them ministrave tako këtë, tako atë. E bëj për Ramë Gecin dhe shokët e Ramë Gecit sa herë është nevoja, kryeministrat, u gjëmojnë nga mbrapa sipërmarrësve dhe ka disa prej tyre që harxhojnë pjesën më të madhe të kohës duke folur me ta dhe duke i mbështetur. Që unë të kem thënë tako Ram Gecin, s’ka çudi se mund të jem interesuar nja 10 herë kur ka pasur nevojë të ketë kontakte për probleme të tij. Kam takuar përfaqësues kompanish pafund, i kam takuar që ç’ke me atë punë, u kam thënë që çke me atë punë hajdeni në Shqipëri. Por nga kjo tek pjesa që pas 3 muaj fitoi tenderin, me çmim apo pa çmim, këto janë si ata të Zhvjek, jam kaq vjeç, mora rrugën për Durrës, sa vjeç ishte gjyshja ime. Edhe në këtë rast, nuk është faji yt, por mënyra se si argumentohet në këtë vend. Shqipëria në prokurorimet publike është 1 në rajon, kryetari i prokurimeve publike është personalitet ndërkombëtar, iu ngrit akuzë një javë para se të hynte në garë për tu rizgjedhur. Po të shohësh shifrat e punë dhe agjencisë së prokurimeve publike, janë dy institucione të vlerësuara për transformimet që kanë ndodhur. Takimet regjistrohen, shënohen që u takua, shënohet edhe tema. Unë kam takuar dhe do të takoj kë të më dojë e bardha zemër dhe kë të më dojë e mira mendje. Prokurorë dhe OPGJ i hyjnë këtyre maleve dhe bëjnë lidhje, por kjo është çështje ekspertize, ka ekspertë për tenderët. Ramë Geci e ka telefonin tim në dispozicion 24 në 24 siç e kanë të gjithë se unë nuk jam një hu gardhi por për të ndihmuar njerëz, jo për të dhënë tenderë, por për t’i mbështetur. Kam takuar shumë kompani turke, dhe nuk dua të di fare se çfarë thotë njëri e çfarë thotë tjetri”, tha Rama.

Ora 13:47
Fitorja e LVV në zgjedhjet e parakohshme, Rama: Kurtin e kam uruar personalisht! Do të ishte mirë edhe një mbledhje mes dy qeverive

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundivitit më gazetarët tha se ka uruar personalisht Albin Kurtin pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, teksa nuk përjashtoi edhe një mbledhje midis dy qeverive.

Ndër të tjera kreu i qeverisë tha se bashkëpunimi me Kosovën do të vazhdojë, ku theksoi se një nga punët kryesore është hekurudha Durrës-Prishtinë.

“Nuk e di do flasim, do të vendosim, do ishte mirë të kishim një mbledhje mes dy qeverive. Mos harroni kemi bërë mbledhje mes parlamenteve, këtë vit nuk e bëmë për shkak të zgjedhjeve. Albin Kurti u rikonformua si kryeministër dhe i kam bërë edhe urimet edhe personalisht. Dhe ne do të vazhdojmë punën.

Kemi gjëra që mund të bëjmë, sidomos hekurudhën Durrës-Prishtinë, që është xhevahiri i kurorës; do bëjmë çmos që ta çojmë deri në financim”, tha Rama.

Ora 13:37
PS bojkot ‘Zgjedhores’ dhe Territoriales’, Rama: Ne punën do e bëjmë, me ose pa ata! Endrit Shabani i vetmi me 1 sy mes gjithë qorrave të propozuar nga PD (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama u pyet dhe për bojkotin e PD-së për të mos marrë pjesë në komisionet e përbashkëta të reformës zgjedhore dhe asaj territoriale pas zgjedhjes së Avokatit të Popullit.

Rama tha se reformat do të kalojnë me apo bashkëpunimin e demokratëve ndërsa tha se Endrit Shabani ishte i vetmi me një sy mes qorrave të propozuar nga demokratët për Avokat Populli.

“I bien shumë gjatë këta të tenxhereve politike dhe mediatike përse fiton PS. Ndërkohë harrojnë që në fund të ditës zgjedhjet janë çështje zgjedhjeve. Ke një numër të caktuar ofertash dhe ti zgjedh çfarë do. Si mundet që të merret seriozisht një parti, demokratikja ndjesë pastë, që është zyrtarisht opozita, hyn në procesin për të zgjedhur AV. Ne i kemi votat, po të ishim ata, ne do trë kishin zgjedhur AV vetë. Ne thamë që nuk do të propozojmë fare por do zgjedhim një nga ato që do të propozojë opozita.

Lloj lloj krijesash cirku aty dhe gjithë atyre qorrave shohim njëri me një sy. Një sy e paska, shkollën e ka mbaruar jashtë, mbase i vjen dhe syri tjetër po të shkëputet nga këta. Në këtë lukuni qorrash ky është i vetmi dhe papritur merret vesh kjo ngaqë shohim Taulant Ballën. Mos e takoni Ballën se ju thonë që s’jeni për tenxheren tonë. Dhe thonë do të tërheqim firmat. Pse ca është këtu gallatë? Më thoni ju mua ky hyjmë ne në këtë bojkot? Vijnë vetë, ikin vetë, ngrihen, shtrihen vetë, puna e tyre. Ne kemi detyrën të udhëheqim dhe t’i bëjmë të gjitha çfarë duhet bërë. Ne peng nuk na merr dot askush, jo ata. Punën që do të bëjmë do ta bëjmë me ata ose pa ata. Edhe këto reforma t’i bëjmë bashkë, nëse nuk duan, do i bëjmë vetë. Po deshën qeveri tjetër, le të fitojnë zgjedhjet, po nuk i fituan le të bëjnë punën e vet”, tha Rama.

Ora 13:32
Rama: I vetmi moment kur drejtësia dëgjohet, kur reagojnë kundër meje! Gjyqtarët duan rritje rroge me vetëgjyqësi, por destabilizim nuk bën as dreqi me 83 mandate

Kryeministri Edi Rama komentoi dhe raportin e cituar më parë të hartuar nga Këshilli i Evropës përsa i përket funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe mosregjistrimit me audio apo video të dëshmive.

Në këtë çështje Rama preku dhe kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagave, duke thënë se këto çështje apo veprime të ndërmarra me vetëgjyqësi mund të çojnë në rënie të besimit si shtet si dhe të cenimit të sigurisë juridike. Rama tha se raporti i Këshillit të Evropës duhet të ishte çështje e pushtetit të drejtësisë, por i vetmi moment kur ata dëgjohen publikisht është kur reagojnë për deklaratat e Ramës.

“Unë citova Këshillin e Evropës. Është shumë problem thotë që në Shqipëri nuk ka regjistrime të dëshmive me video dhe audio. Dhe kur mendoj sa shumë lek kemi dhënë për reformën në drejtësi. A nuk ju bën përshtypje që mblidhen shoqatat e gjykatësve që duan t’ia rrisin rrogën vetes me gjyq?

Sepse askush nga këta nuk ka bindjen se kanë në dorë dhe gurin dhe arrën. Të gjitha e dinë që rritja e pagave është ekskluzivitet i dy pushteteve të tjera, jo e pushtetit gjyqësor. I ka mundësi që këta duan t’ia rrisin pagat vetes kur i kanë pagat dita herë ë të larta se tonat? Dhe unë mendoj që pikërisht përse ka ndodhur që kura të bëhet më e rrezikshme se sëmundja, un nuk mund të pres që kjo të ndodhi dhe duhet të parandaluar. Një vend të humbë 10% të GPT vetëm nga kura. Po flasim në rënien e besimit si vend dhe në atë të sigurisë juridike. Ka një sistem drejtësie që të fund të burg dhe të thotë rri aty dhe pastaj do shohim çfarë do dali se ne kemi dyshime të arsyeshme. Që të marrësh dhe të gjysh një tender, duhet të jesh ekspert. Janë dy momente kur kërcënohet shteti, se destabilizim me 83 mandate nuk bën dot as dreqi këtu. Flasim për ekonominë dhe administratën. Duan të rrisin pagat, duhet të rrisim ekonominë. Tashmë që na duhet një analizë dhe po e bëjmë në të gjitha anët. Kur shihja ditë që dukej si i sigurimit dikur me acaroheshin nervat e sot që jam kryeministër trajtohen njerëz sikur janë përballë sigurimit. Nuk mundet kjo. Nuk do të thotë që të hedhim ujin bashkë me beben. Beben e kemi shëndoshë e mirë dhe do ta ndihmojmë të rritet, drejtësinë e re d.m.th. Sistemi që kemi ngritur është sistem që vetëqeveriset. Ai raport i këshillit të Evropës duhet të ishte temë e sistemit të drejtësisë. E vetmja herë që ata dëgjohen publikisht janë kur reagojnë ndaj meje. Janë ca të tjerë që shajnë me libër shtëpie prokurorë e gjyqtarë, po nuk ka problem”, tha Rama.

Ora 13:18
‘Disa brenda SPAK po bëjnë lojëra’, Rama për Report Tv: Nxjerrja e të dhënave nga dosja hetimore, vepër penale! Nuk është hapur asnjë hetim (VIDEO)

Gjatë konferencës së fundvitit, shefi i qeverisë Edi Rama u pyet nga Report Tv mbi funksionimin e “sistemit anti-korrupsion” në administratë, apo edhe nevojën për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penalel, nisur nga numri i lartë i paraburgimeve. Rama tha për gazetaren Raziela Myslimaj se numërohen 37 raste zyrtarësh të vendosur nën akuzë gjatë qeverisjes së tij, duke theksuar se 80% e rasteve kanë qenë gjatë 2 mandateve të para qeverisëse.

“Familja ime politike është shumë e madhe, shumë e madhe, prodhon 83 mandate. 37 raste kam numëruar unë në të gjithë këto vite që kanë shkuar dhe kanë marrë akuzë dhe nga këto 37 raste, ka raste për vepra të ndryshme dhe vetëm disa raste për korrupsion. Nga këto raste, 80% prej tyre i përkasin periudhës së mandatit të parë dhe të dytë, pra tenxheret janë më shumë. Temperatura e zierjes së gjellës me “burg-burg”, “SPAK-SPAK”, është shumë më e lartë, gjysmë të vërtetat janë shumë më tepër”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për lojërat e disave brenda në SPAK, siç ai e cilësoi, duke shtuar se të nxjerrësh të dhëna nga dosja hetimore është vepër penale.

“Loja e disave brenda SPAK që akoma s’kam dëgjuar të jetë hapur hetim, se është vepër penale të nxjerrësh të dhëna nga dosja hetimore, është sot shumë aktive, por të gjitha këto nuk duhet të thonë që realiteti flet për një Shqipëri më të korruptuar.  E dimë shumë mirë se kush janë financuesit e tenxhereve më aktive, dhe ata normalisht do kërkojnë rrëzimin e qeverisë, dhe do sajojnë çdo gjë, puna e tyre. Unë kam kërkuar marrëveshjen me Komisionin Evropian që për gazetarët nuk do ketë më ndjekje penale. Do shpifni dhe nuk do ndiqeni penalisht”, tha Rama.

Ora 13:02
A do ndryshojnë ligjet e Reformës në Drejtësi? Rama: Nuk mund të jem kryeministër i një vendi që ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar, duhet ndërhyrje

Kryeministri Edi Rama tha se nuk mund të rrijë pa folur apo reaguar kur në vendin që qeveriset prej tij, të ketë më shumë të paraburgosur sesa të dënuar. Referuar pyetjes për ndryshime të mundshme të reformës në drejtësi, Rama tha se ky sistem sot ka shumë problematika dhe se patjetër që ka nevojë për diskutime e ndërhyrje.

“Nuk mund të jem kryeministri i një vendi që ka më shumë të paraburgosur sesa të dënuar dhe të rri pa folur se thoni ju se e tha këtë për të dalë atje. Unë dal atje dua pa i rënë gjatë fare se nuk kam shumë vite për të humbur me llafe e për ta kap veshin mbrapsht. Ligjet e reformës në drejtësi janë aty. Drejtësia ka probleme të mëdha dhe kjo nuk diskutohet. Reforma 10 vite ka. 10 vite nuk janë asgjë për historinë e një shteti dhe për pushtetin. U vra një kriminel i dënuar me burgim të përjetshëm nga një tjetër në Peqin, po si prokurori merr gjithë policët e turnit dhe i fut në burg? I dënon ai të gjithë. Pa dashur të dijë se administrata e burgut funksionon me turnet, me burime njerëzore. Pa dashur të dijë se janë familjarë e prindër. Se dhe mes tyre dhe i fajshmi, por ka dhe të pafajshëm. I futi në grup të gjithë në burg. Thelbi është që ne jemi këtu për të garantuar këtë proces, për luftën e pavarur nga pushteti ekzekutiv kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shpresoj që lufta kundër korrupsionit të sofistikohet, jo duke kapur veshin mbrapsht”, tha Rama.

Ora 12:44
Vlora prej ditësh pa ujë, Rama: Faji i instalimeve të vitit 2009-2010! Ujësjellësi problem në gjithë Shqipërinë, është në proces reformimi

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, Rama komentoi dhe njëherë situatën në qytetin e Vlorës ku qytetarët prej 4 ditësh nuk furnizoheshin më ujë. Rama tha se problemi fatmirësisht u rregullua dhe kjo falë punës së kryebashkiakes, prefektes, drejtorit të AKUV dhe punonjësve të AKUV.

Rama u shpreh se defekti erdhi si pasojë e instalimeve të bëra në vitin 2009-2010, me pajise hidraulike jashtë standardeve. Ndër të tjera, Rama shtoi se problematikat me ujësjellësit janë ekzistente në të gjithë Shqipërinë duke thënë se AKUV është në proces reformimi.

“Më në fund u zgjidh problemi në Vlorë, ishte defekt i rëndë i ardhur si rezultat i një investime të bërë në vitin 2009-2010 me pajise hidraulike jashtë standardeve që mbajnë e më pas plasën. Pa dashur të them që problemt6aik e ujësjellësit është thjeshtë kjo. Falë punës së jashtëzakonshme të punëtoreve dhe qëndrimit ditë natë të kryebashkiakes, prefektes dhe drejtorit të AKUV që shkoi në Vlorë dhe falë faktit që mundëm të merrnim këto pajisje në Turqi, defekti u riparua. Ujësjellësi në gjithë Shqipërinë është një sektor që është në reformim me sipër dhe që kërkon investime, punë . E kemi gjetur më keq sesa vetë energjinë. Por me ndryshimet që kemi bërë, me sistemin e ri besoj që do të shkojë duke u përmirësuar dhe brenda kësaj dekade problemet e mëdha do të jenë mbyllur”, tha Rama.

Ora 12:41
Duam zbatimin e kontratës, Rama: Konflikti mes aksionerëve vonoi Aeroportin e Vlorës

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së fundvitit tha për gazetarët se konflikti mes aksionerëve të kompanisë që kanë marrë përsipër ndërtimin e aeroportit të Vlorës vonoi hapjen e tij brenda këtij viti, siç edhe ishte premtuar.

Por nga ana tjetër, Rama kërkoi nga kompania të realizojë afatet e kontratës, sipas së cilës, aeroporti i Vlorës duhet të përfundojë brenda pranverës 2026.

“Ka pasur një konflikt mes aksionerëve, që kanë arsyet dhe dinamikat e tyre, por puna ka vazhduar dhe ne dëshirojmë të respektohet kontrata.  Dëshiroja të respektohej fjala sipas të cilës aeroporti do hapej këtë vit. Fjala s’u respektua. Tani të respektohet kontrata, që është pranvera e vitit të ardhshëm”, tha Rama.

Ora 12:39
Rama: Në fund të vitit 2026 Kadastra do të jetë e digjitalizuar, është dyfishuar numri i shërbimeve të automatizuara

Kryeministri Edi Rama tha se brenda vitit 2026 e gjithë Kadastra do të jetë e digjitalizuar. Rama tha se deri më tani janë digjitalizuar 80% të kartelave të pronësisë, ndërsa shton se është dyfishuar numri i shërbimeve të automatizuara.

“Përsa i përket çështjes së pronës, ky vit ka qenë realisht i suksesshëm në raport me objektivat në të gjitha drejtimet se ndryshe nuk do të kishim hapur gjithë atë kapituj. Ka qenë i suksesshëm dhe për Kadastrën. Është skanuar përfundimisht 100% dokumentacioni rreth 54 mln faqe, është përmbyllur 80% digjitalizimi i kartelave të pronësisë dhe mbyllet përfundimisht në 2026 me 4 mln kartela të digjitalizuara. Do të nisë digjitalizimi i hartave kadastrale. Në fund të 2026 do t kemi një kadastër digjitale dhe do të kemi shërbime më të shpejta dhe cilësore. Është dyfishuar numri i shërbimeve të automatizuara”, tha Rama.

Ora 12:33
Hetimi i SPAK, Rama: AKSHI institucion krenarie, ndihmë për integrimin në BE, në shkurt dalim me e-Albania 2.0 (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama e ka të qartë përgjigjen për të gjithë zërat që i kërkojnë dorëheqjen pas hetimit të Belinda Ballukut apo tenderët e AKSHI-t. Deri në 2029, Rama theksoi se nuk ka asnjë dorëheqje, por do të qëndrojë qeveria e PS me 83 mandate. Rama tha se AKSHI është institucion krenarie dhe renditi të gjithë sukseset e AKSHI-t. Rama tha se AKSHI është ndihmë për integrimin në BE, ndërsa shtoi se në shkurt pritet të lançohet e-Albania 2.0.

“Këtë sukses nuk e solli koha, por kjo qeveri, Shqipëria ka hapur kapitujt e negociatave për anëtarësim në BE. Shqipëria është vendi ku këtë vit që po mbyllim u mblodh Europa politike në sheshin Skënderbej. Erdhën në një vend të korruptuar mendoni ju? Jo. Por nuk morën opinionin e 700 tenxhereve politike e mediatike kur erdhën. Nëse po ndodh sot ky proces, është meritë e kësaj force politike, juve e keni parë reagimet e të tjerëve kur ju preket floku. Por s’keni për të dëgjuar nga unë, jo sharje e akuza, por as fjali që shkojnë në drejtim të goditjes së reputacionit dhe madje edhe të presionit dhe kërcënimit të këtyre organeve. Ky është proces i pashmangshëm, i domosdoshëm që ka problematik e veta. Çfarë dorëheqje? Ne morëm 83 mandate. Dorëheqje për çfarë, për AKSHI-in? AKSHI është një institucion krenari për ne, që të jemi të qartë bashkë. Krenarie, jo për të ulur kokën, por për të qenë krenar, sepse kemi qenë këtu ne, kur duhej të shkonit të mbanit radha për çdo lloj letre, edhe për të marrë një certifikatë dhe kur ata që kishit jashtë duhet të vinin këtu se s’kishin shans të merrnin një copë letre atje se s’kishin nga e merrnin. 620 mld lekë, që janë 620 mln euro, ka kursyer akshi për shqiptarët falë dixhitalizimit. 7600 vite pritje në radha, janë 25 mijë rrotullime rreth tokës. Këto ka bërë AKSHI, 33 mln euro kursime për shqiptarët jashtë vendit, është raport ndërkombëtar, janë 75 milionë fletë letre të kursyera, ose 378 kamionë me letër. 3.4 mln shqiptarë janë përdorues të rregullt të e-Albania dhe vetëm në 2025 janë 17 mln shërbime të ofruara, 12 mln dokumente elektronike të gjeneruara. Dikur jepnin lekë për të marrë një certifikatë. Jemi vendi që një nga arsyet pse po ecim aq shpejt me integrimin është AKSHI, kemi krijuar me diellën. Skuadra e AKSHI-it ka një sërë garash të fituara brenda NATO-s dhe BE-së. Në shkurt do dalim me e-Albania 2.0 falë AKSHI-t dhe do ketë shumë gjëra të reja në atë sistem. Prandaj shqiptarët votojnë PS, nuk votojnë as patronazhistët, as bandat, por shqiptarët, prandaj shqiptarët jashtë e votojnë masivisht PS se nuk gdhihen me buzën në tenxheret politike e meidatike dhe nuk flenë me zhurmën e tenxhereve në vesh ata e shohin nga më larg dhe e kuptojnë shumë mirë se çfarë loje bëhet. Në 2029, do llafosemi prapë, të tjerat secili bën punën e vet, shiu ka punën e vet, ne kemi punën tonë. Dhe sa pika shiu ka këtu, secila pikë bën punën e vet. Deri në 2029 me qeverinë e PS me 83 mandate në Kuvend”, tha Rama.

Ora 12:26
Rama: Që kur mesazhet janë prova për SPAK? BE kërkon sqarimin e nenit për shpërdorim detyre (VIDEO)

Referuar pyetjes lidhur me çështjen e Belinda Ballukut dhe të tjerë zyrtarëve të lartë të PS-së që janë nën hetim nga SPAK, Rama tha se nga 3 mandatet e PS-së 37 raste i përkasin hetimeve për korrupsion apo shpërdorim detyre.

Ndryshe nga siç pretendohet u shpreh kreu i qeverisë akuzat e korrupsionit janë shumë pak, dhe këtu tha se duhet riparë edhe neni i ‘shpërdorimit të detyrës’ që cenon pavarësinë e ekzekutivit për vendimmarrje, referuar këtu edhe një direktive të BE-së. 

Rama tha se SPAK ka dhënë dënime skandaloze, ndërsa shtoi si një problem të madh publikimin në media të dosjeve hetimore. Rama tha se mesazhet nuk përbëjnë prova dhe nuk mund të jenë arsyeja parësore për të nisur gjyqe, pavarësisht se janë pjesë e procesit. Kryeministri u shpreh se opozita e prezanton Shqipërisë si vendin më të korruptuar në botë, por sot dënimet për këtë rast, janë shumë herë më të ulëta se rastet nën hetim, duke thënë se kemi zvarritje të hetimeve dhe çështjeve nga SPAK.

“Sesa e shëmtuar dhe e ligë është gjithë kjo tymnajë sipas të cilës Shqipëria ka arritur kulmin e korrupsionit, dhe po i referohem rasteve të institucioneve që merren me korrupsion. Korrupsioni është një vepër më vete. Jo çdo kush që hetohet dhe akuzohet nga SPAK ka bërë korrupsion. Shpërdorimi i detyrës është një vepër që iu kthye dhe vetë BE se është një term që futet një thes i madh. Sidomos kur jeton në një periudhë kur të gjitha llojet e tenxhereve hidhen përpjetë me gjithë kapakë për burg. BE iu rikthyer me kërkesë të Gjermanisë dhe të Italisë. Ka dalë një direktivë e re për ta riparë këtë nocion, për ta specifikuar. Kushtetuta thotë që janë 3 pushtete të pavarura nga njëri-tjetri. Është pavarësia për të marrë vendime. Te vendimet nuk vjen dot të një prokuro të thotë pse e vendose kështu dhe e vendose ashtu. Dhe kjo gjë ka ndodhur. Nëse vendimi im është një vendim që ka një prapavijë të qëllimshme për të përfituar ë mënyrë të paligjshëm apo për të sjellë një dëm, këtu unë nuk jam i pavarur, këtu vjen drejtësia tek unë.

Qysh nga fillimi i këtij kapitulli të SPAK, janë 37 raste. E dini ju sa raste nga këto 37 që përfshijnë funksionarë të niveleve të ndryshme, i përkasin viteve të mandatit të parë e të mandatit të 2? Janë rreth 80%. Ndërkohë që vetëm një pjesë e vogël e tyre janë raste që lidhen me periudhën më vonë. Në rastet që po flasim kemi nga të gjitha, kemi dënim për prerje pylli për një kryetar bashkie. Është një dënim skandaloz, kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit ka hapur një rrugë për komunitetin ku janë prerë disa pemë. Ka bërë burg për prerje pemësh. Rasti është turp. Ka dhe raste të tjera qe nuk kanë lidhje me korrupsion që hyjnë tek këto raste. Ka dhe raste të tjera që lidhen me pabarazinë në tendera. Kjo është një vepër tjetër, nuk është korrupsion. A është e mundur që ky vendi më i korruptuar në botë. Çfarë do të thotë mesazhe, qëkur mesazhet janë prova? Dhe qëkur mesazhet janë ushqim për mediat? Dhe që kur mbi bazë mesazhesh bëhen gjyqe si në kohën e gjuetive të shtrigave? Patjetër që mesazhet dhe çdo gjë tjetër janë pjesë e një procesi, por parafytyroni vetëm kaq, çfarë ndodh dhe sa përgjegjës ka secili nga pjesëmarrësit në këto gjyqet e shtrigave kur dikush të dalë i pafajshëm. Për çfarë i duhet më pafajësia atij njeriu kur i është shkatërruar tërësisht jeta dhe familja? Kush ia kthen atij njeriu pas jetën? Prandaj drejtësia demokratike ka vendosur kufij, nuk lejohen shumë nga këto gjëra që ndodhin këtu. Nuk fajësoj mediat, por ata që i ushqejnë me këtë helm. Deri tani kemi një numër të dënuarish shumë të ulët në raport me rastet. Kemi çështje të zvarritura dhe Strasburgun ka evidentuar gjëra të rënda. Jo çdo gjë që mendohet edhe nga dëshira e mirë për të luftuar këto fenomene shkon në atë drejtim”, tha Rama.

Ora 12:10
‘Vendi më skandaloz i Këshillit të Europës’, Rama: Në Shqipëri, më shumë të paraburgosur se të dënuar! Ja shifrat (VIDEO)

Duke folur për sistemin e drejtësisë, kryeministri Edi Rama u ndal në konferencën e fundvitit edhe në numrin e lartë të të paraburgosurve. Rama tha se Shqipëria është vendi më skandaloz i Këshillit të Europës. Ndalur në shifra, Rama tha se aktualisht në burgjet shqiptare ndodhen 4 492 persona, ndërsa vetëm 1 895 prej tyre janë të dënuar.

“Numri i njerëzve që gjenden në burg në Shqipëri pa qenë akoma të dënuar, të cilët në kuptimin e Kushtetutës dhe Konventës europiane për të drejtat e njeriut, është më i madh se numri i atyre që janë në burg të dënuar. Këta janë të pafajshëm sipas kushte dhje kon, por janë në burg. Ne kemi 4 mijë e 492 qytetarë në burgjet shqiptare, a e besoni dot që vetëm 1895 janë të dënuar. Çfarë është kjo? Nuk po hy tek tjetra, jemi vendi më skandaloz i Këshillit të Europës për nivelin e dënimeve, jemi vetëm me Rusinë mbrapa, por Rusia u përjashtua. Kemi 1895 të dënuar dhe 4992 të burgosur, në Shqipëri falë edhe tenxhereve politike e mediatike nuk ka ta pafajshëm. Por ka të dënuar, para se të dënohen që në momentin që dyshohen, e kuptoni çfarë është kjo, për një vend që e ka kaluar njëherë këtë traumë. Kjo shifër tregon që në Shqipëri, probabiliteti që ti të gjendesh në burg si i dënuar ëhstë më i lartë se probabiliteti që ti të shkosh në burg si fajtor. Nuk është kap e fut njerëz brenda dhe shohim nesër jeni apo s’jeni fajtor. Nuk po flasim për ata që janë në kalvarin e tenxhereve, njerëz të zakonshëm të këtij vendi kalojnë në atë kalavar, ose nxirren se iu ikin afatet e paraburgimit, ose dalin të pafajshëm. Ca ngelet, ca është kjo histori, si qenka kjo që në një vend në mes të europës, individi mos të ketë të drejtën e një gjyqi”, tha Rama.

Ora 12:03
Çështja ‘Balluku’, Rama: Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK! Prokurorëve do u thoja të sillnin dosje me prova jo USB me 16 mijë dokumente (VIDEO)

I pyetur nga gazetarët nëse vetë kryeministri po mban qëndrim ndryshe për Belinda Ballukun nga rastet e tjera kur zyrtarë të PS-së janë ndodhur përballë SPAK, Rama e mohoi duke thënë se bëhet fjalë për një rast të veçantë që ka prekur pushtetet.

Edi Rama tha se parlamenti dhe Këshilli i Mandateve nuk është zyrë noterie për kërkesat e SPAK dhe se prokurorët e Posaçëm nuk mund të vijnë në Kuvend me një USB të pretenduar se përmban 16 mijë faqe me prova. Ai tha se në atë USB ka vetëm dokumente zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës dhe asnjë provë që dëshmon pretendimet apo akuzat.

“Askush dhe askush tjetër nuk ka hyrë në përmbajtjen e rastit. Por ky rast ndryshe nga raste te tjera sepse ka ardhur tek ne. Nuk është një rast në rrugën e pushtetit gjyqësor të cilin si shumë raste të tjera prokuroria e ndjek pa pasur nevojë të ndalojë në derën tonë. Kur rasti vjen në derën tonë, flas të pushtetit legjislativ, atëherë pushtetit legjislativ duhet të shprehet. KM nuk është zyrë noterie dhe parlamenti nuk noterizon kërkesat që vijnë. Nuk do të doja ta kishe përmendur atë 16 mijë faqe me prova se ajo më provokon dhe më ka provokuar që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve do të t’iu thoja çohu ikni dhe kthehuni e një dosje për deputetët. Nuk mund të vini këtu me 16 mijë faqe që i quani prova.

Nuk janë produkt hetimi. Janë 16 mijë faqe ku janë futur brenda kontrata, studime, arkivi i ministrisë futur brenda. 16 mijë faqe janë një vadat me dokumente zyrtarë dhe kjo është afër mendsh ska nevojë ta shohësh. USB e sjellë nga prokuroria nuk e ka tërhequr asnjë deputet i PS dhe as avokati ministres. Për të mos krijuar asnjë shteg që pastaj të tjerët të thonë i kanë nxjerrë këta. Nuk kemi të bëjmë me  ndryshim qëndrimi, kemi të bëjmë me një qëndrim të duhur shumë korrekt sepse rasti vjen në parlament. Dhe përpara se të vinte në parlament, rasti erdh i u fut në territorin e pushtetit ekzekutiv me një kërkesë skandaloze për pezullim e pa ndodhur në historinë e botës. Në parlament do të mbajmë qëndrim”, tha Rama.

Ora 11:53
Rama ironi me opozitën: Punët i kemi ndarë, unë në zyrë dhe PS në qeveri, të tjerët poshtë penexheres sime në rrugë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama ironizoi protestat e opozitës poshtë kryeministrisë.

“Protestave që do bëhen poshtë penexheres, i kemi ndarë punët prej shumë vitesh, unë në zyrë dhe PS në qeveri, të tjerët poshtë penxheres sime në rrugë. Kjo është zgjedhja e tyre, skam asnjë problem me këtë. Në liritë njerëzore Shqipëria është në një vend dinjitoz dhe kjo është pjesë e lirive, ca problemi kam unë me këtë”, tha Rama.

Ora 11:51
Rama: SPAK nuk është opozita e qeverisë, u krijua falë vullnetit të PS! Opozita nuk di të na mundë (VIDEO)

Kryeministri Edi Rama thotë se SPAK nuk është opozita e qeverisë.

“SPAK nuk është opozita e qeverisë, është institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur nga ne, i garantuar nga kjo forcë qeverisëse, në sensin që të tjerë janë betuar që do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot sepse votat i kemi ne. Është institucion që bën punën e vet. Nuk është opozitë e qeverisë, por depresioni i thellë në të cilin ndodhet opozita e qeverisë, opozita politike, bën që puna e SPAK të jetë e vetmja pikë referimi e opozitës depresive për të goditur qeverinë. Natyrisht, 700 tenxheret politike dhe mediatike, produktin e gjithë këtij procesi e marrin dhe e ziejnë dhe gatuajnë 700 lloj gjellërash të ndryshme duke bërë diçka që nuk ndodh në Shqipëri për herë të parë, duke shfrytëzuar gjysmë të vërteta, për të prodhuar një tym të jashtëzakonshëm që djeg sytë e publikut që shurdhon publikun me presionin  e vet dhe dezinformon publikun thellësisht. Prandaj thonë që gjysmë e vërteta është edhe gënjeshtra më e madhe.  Është neveri e madhe që ka një aktivitet kaq intensiv gjysmë të vërtetash nga njerëz që nuk dinë të bëjnë punën e tyre, nuk dinë të bëjnë opozitën e qeverisë. Nuk dinë ta mundin PS. Askush nuk bën analizë lidhur me cila është e vërteta në gjithë punën e SPAK? Sepse e vërteta është ndryshe nga kjo që thuhet, SPAK nuk është opozita e qeverisë dhe cilat janë anët pozitive dhe negative të punë së SPAK”, tha Rama.

SI.E./K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aloha: 30/12/2025 19:27

    Beje dhe nje pune te fundit: nenshkruaje doreheqjendhe largohu!

    Përgjigju
  • 2026: 30/12/2025 19:11

    Partia Socialiste dhe Sekti RILINDJA do te marre fund nga Belinda Mirlinda Dhe Linda

    Përgjigju
  • ilmiu: 30/12/2025 19:08

    populli te ngrihet dhe ta nxjerre zvarre nga zyra kete hajdut...kjo ka mbetur....

    Përgjigju
  • Qytetari: 30/12/2025 18:36

    Po Acquis i BE qe eshte 170 mije faqe dhe ti ia besove Dielles per ta perkthyer e pershtatur? Apo heqja apo jo e mandatit te Ballukut eshte me e rendesishme se sa vete anetaresimi i Shqiperise ne BE?

    Përgjigju
  • Gjergj: 30/12/2025 15:48

    Ik ore ordiner. Shqipèria meriton njerèz tè denjè nè atè zyrè. Ti, je vetèm objekt hetimi pèr SPAK,,asgjè tjetèr.

    Përgjigju
  • Lindi: 30/12/2025 15:27

    Mire e ke zotri, pa takuar e biseduar nuk gjëndjen investitoret. Kéta duan punë duke ndenjur duarlidhur. Pastaj te kerkojne llogari. Futi një rishikim ligjit per paraburgosjet dhe pergjegjsine e gjyqtarve qe kalojne kufirin e drejtësise apo marin vendime të gabuara.

    Përgjigju
  • Vlora: 30/12/2025 14:55

    Forca SPAK!!! Vazhdo misionin ju lutem!! Ky moster nuk njeh me limite e eshte bere i rrezikshem!!

    Përgjigju
    • Emil: 30/12/2025 15:11

      Asht mjeshtër i manipulimit

  • emigranti: 30/12/2025 14:35

    JO mor zoteri JO, ti nuk mund te takosh ke te duash se pozicioni i kryeministrit te dikton shume mire se ke duhet te takosh. nqs do te takosh njerez, shko tako hallexhinj dhe jo mafioze qe fitojne tenderat pastaj. e dyta, para ca kohesh Sajmir Tahirin e leshove menjehere dhe thoshe te lirohet nga detyrimet dhe te perballet me drejtesine. po Belinden pse nuk e leshon te perballet edhe ajo me drejtesine pa ngarkesa funksionale? apo je si Shvejku ti qe thote c'me duhet mua se cfare bej une ...

    Përgjigju
  • Derman: 30/12/2025 14:18

    O Rame i more po si i more. Në Vlor pyt Damianin dhe atë kryenashkiaken që ke tani,Brunën se të thot ajo si i kan mor e me kë i kan mor votat.Mas Vlorës dil në Fier,Shkodër e Vorë

    Përgjigju
  • Dori: 30/12/2025 13:06

    Sa domethenese qe 16.000 faqe nuk jan prova por arkivi Keshillit te ministrave? Dmth gjith arkivi eshte prove e sjelljes kriminale qe perben prova prokurorie!

    Përgjigju
  • Bravo: 30/12/2025 12:29

    Vaj dmth vaj dhe 2026. Lum ne për liderin global, e paska kap Bela per veshi. Gezuaaaarrrr

    Përgjigju
  • Loni: 30/12/2025 11:34

    Nuk eshte i pergjegjshem ne ato qe thote. Ne jemi popull shume fatkeq.

    Përgjigju
  • ermand rama: 30/12/2025 11:23

    rrej rrej sa me shume rrena aq me shume te besojne

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 27 Dhjetor, 14:09

    Si ka qenë 2025-a për ju?