Bilanci qeverisës, Silva Caka:
Secili përgjegjësi proporcionale

Bilanci qeverisës, Silva Caka:<br />Secili përgjegjësi proporcionale
TIRANE- Marrëveshja e nënshkruar në 1 prill të vitit 2013 mes PS-së dhe LSI-së do të duhet të rishkruhet së shpejti, duke përmbyllur kështu një mandat qeverisës së bashku. Por si konsiderohen nga LSI-së këto 4 vjet të bashkëdrejtimit të punëve të vendit? Deputetja e LSI-së, Silva Caka shpjegon në një intervistë për Shqiptarja.com se partia e saj ka mbajtur të gjitha përgjegjësitë e marrëveshjes, dhe se në raport me bilancin qeverisës, secili duhet të mbajë përgjegjësi proporcionale në raport me peshën e pushtetit, dhe respektive në raport me sektorët që ka administruar. 

LSI është futur në një proces zgjedhor që pritet të zgjedhë kryetarin e ri në 6 nëntor. Sa anëtarë pritet t’u drejtohen kutive të votimit dhe a ka shërbyer kjo garë për shtimin e radhëve?
Datat 27 dhe 28 tetor që sapo lamë pas, shënuan përmbushjen e 4 vjeçarit nga Konventa Kombëtare Zgjedhore e fundit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila duhet të ritheksojmë se mori disa vendime tepër të rëndësishme përsa i përket ristrukturimit të strukturave tona, ku do të doja të përmendja aplikimin për herë të parë të kuotës gjinore prej 50% brenda një force politike në Shqipëri. Gjithashtu, kësaj Konvente I detyrohet edhe ulja e moshës së anëtarësimit në forumet e Lëvizjes Socialiste për Integrim, limit, I cili nga 18 vjeç, u bë 16 vjeç, duke i dhënë mundësinë shumë gjimnazistëve të bëheshin pjesë e vendimmarrjes. Së fundi, por jo për nga rëndësia, Konventa Kombëtare Zgjedhore e 27-28 tetorit 2012, rriti në 30% përfaqësimin e të rinjve në të gjitha strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, nga ato bazë, deri në organet më të larta vendimmarrëse, si Kryesia apo Komiteti Drejtues Kombëtar.  Pikërisht, përmbushja e këtij cikli 4 vjeçar, na solli përsëri në fazën e zgjedhjeve të brendshme, të cilat nisën me zgjedhjen e Kryetares së re të Lëvizjes Rinore për Integrim dhe do të vijojë me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sipas parimit “një anëtar, një votë” dhe më pas do të mblidhet përsëri Konventa Kombëtare Zgjedhore, e cila nëpërmjet delegatëve nga e gjithë Shqipëria, do të zgjedhë Komitetin e ri Drejtues Kombëtar dhe ky i fundit, me votim elektronik, do të zgjedhë Kryesinë e re. Kjo fazë e ndërmjetme, nga Konventa e fundit, deri në zgjedhjet për Kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sigurisht na ka shërbyer për të evidentuar edhe një herë anëtarët ekzistues, por sigurisht edhe prurjet e reja, të cilat kanë shprehur vullnetin për t’iu bashkuar forcës tonë politike, nëpërmjet anëtarësisë së rregullt, në respektim të parashikimeve statutore. Aktualisht, anëtarësia e ka kaluar shifrën 40.000 dhe sigurisht vijon të shtohet numri çdo ditë.

Kandidatët për kryetarë janë interesantë: Ilir Meta, një profesor dhe një deputet i “rikthyer”. Si e cilësoni kandidimin e Përparim Spahiut, deputet i cili para pak muajsh u përjashtua me vendim grupi?
Në gjykimin tim, bazuar në kriterin e eksperiencës, integritetit personal dhe profesional të secilit, risive që mund të sjellin, pikëpamjeve mbi zhvillimet aktuale në vend dhe vizionin për të ardhmen e vendit, të tre kandidaturat për Kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, janë tepër interesante dhe të denja. Secili prej tyre karakterizohet nga personalitete të ndryshme, me qasje të ndryshme, të cilat e bëjnë akoma më demokratik procesin zgjedhor. Përsa i përket kandidimit të Z. Spahiu, personalisht mendoj se Z. Spahiu është një vlerë për Lëvizjen Socialiste për Integrim, pasi është ekspert i financave, vjen nga një eksperiencë e suksesshme drejtimi në sistemin bankar dhe shpeshherë e kemi parë ndryshe nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, fakt ky që e bën kandidimin e tij akoma edhe më sfidues në sytë e anëtarëve dhe simpatizantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Deputeti Spahiu është një përfaqësues tepër i përkushtuar i zonës ku është zgjedhur dhe kandidimin e tij për Kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, unë do të doja ta cilësoja si shpërfaqje e pastër dhe e plotë e potencialit të tij si politikan.

A ka shumë mbështetje në LSI qëndrimi i Spahiut se kryeministri duhet t’i takojë LSI-së?
Të tre kandidatët për Kryetar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, dallojnë prej njëri-tjetrit nga platformat respektive politike dhe deklaratat e tyre personale. Personalisht, tek Z. Rrokaj kam vlerësuar qasjen e tij drejt edukimit të të rinjve, fushë të cilën ai e mbulon më së miri. Tek Z. Meta kam vlerësuar gjithnjë frymën e tij për dialog dhe konstruktivitet, për qetësi dhe për konsensus, ndërsa Z. Spahiu, siç e thashë më parë, është ekspert në fushën e financave dhe kam ndjekur me vëmendje propozimet e tij për rimëkëmbje të ekonomisë së vendit. Me këtë dua të them se këto janë pikat e forta të gjithsecilit dhe çdo anëtar apo simpatizant i Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të ishte mirë të fokusohej në këto cilësi dhe të mos i jepte më shumë rëndësi se ç’duhet deklaratave tejet personale apo dëshirave personale të kandidatëve. Megjithatë, në përgjigje të kuriozitetit të shtuar pas kësaj deklarate, do të doja të thosha se për ne, më e rëndësishme se të paturit të të gjithë kabinetit qeverisës për vete, është mirëqeverisja e vendit; rritja ekonomike, punësimi, përmbushja e reformave të nevojshme për t’u integruar në Europë, krijimi i kushteve optimale për rininë, pavarësisht nëse kemi 5, 3, 1 apo asnjë ministër në qeverisje.

Sa po i kushton partisë suaj ky proces organizimi zgjedhor kombëtar?
Ne jemi ende në fazën e fushatës, debateve, takimeve të kandidatëve me strukturat dhe organizime të kësaj natyre. Gjatë kësaj kohe, Komisioni Qendror Zgjedhor i Lëvizjes Socialiste për Integrim po përgatit gjithçka të nevojshme për procesin e votimit dhe numërimit. Kur të mbarojnë këto faza, në respektim të dispozitave të Kodit Zgjedhor, vendimit të Kryesisë për transparencën e financave, por edhe të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, gjithçka do të bëhet publike në faqen tonë zyrtare, në mënyrë që kushdo i interesuar, të ketë mundësi të verifikojë vetë çdo burim financiar dhe çdo shpenzim.
Partia juaj po përfundon gati një mandat qeverisës në bashkëjetesë me PS-në. A ka bërë LSI një bilanc të respektimit të marrëveshjes bashkëqeverisëse?
Është ende herët për të bërë një bilanc. Besoj se kjo do të ndodhë reciprokisht kur të përmbushet mandati qeverisës, megjithatë jam e bindur kur them se Lëvizja Socialiste për Integrim i ka qëndruar tepër besnike dhe e përpiktë marrëveshjes. Është në parimin e punës tonë, pasi mendojmë se nuk mund të marrësh besim, nëse më parë nuk e jep atë. Gjithsesi, nëse në fund të mandatit bashkëqeverisës do të kemi një bilanc, mendoj se ai duhet fokusuar  në terma të përmbushjes së premtimeve elektorale, implementimit të reformave të mëdha dhe të nevojshme për vendin, respektimit të çdo qytetari dhe plotësimit të nevojave të tyre. Është shumë e rëndësishme për ne që të përmbushim detyrimet tona dhe të mbajmë përgjegjësi respektive dhe proporcionale, me qëllim zhdukjen e arrogancës, delirit të madhështisë dhe në vend të tyre të karakterizohemi nga përkushtimi dhe përulësia ndaj qytetarit.

Z. Meta ka kërkuar së fundmi shmangien e biznesmenëve nga parlamenti. Ndërkohë vetë LSI ka aktualisht në parlament gati gjysmën e deputetëve të ardhur nga biznesi. Do t’i largoni këta deputetë?
Deklaratat e Z. Meta në prag të fillimit të punës së Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, personalisht i kam vlerësuar si qëndrime politike konstruktive, përmirësuese dhe si një ndihmë e madhe për ndërtimin e një fryme të re në terrenin politik, të mbytur nga përgjithësimet negative, por edhe nga subjekte apo individë të cilët përcjellin vetëm paaftësi, dhunë apo kriminalitet. Jam plotësisht e bindur, që politika shqiptare duhet të pastrohet dhe të furnizohet me figura ekzistuese apo të reja, që karakterizohen nga intelekti, kultura, profesionalizmi, ndershmëria dhe përkushtimi. Vetëm në këtë mënyrë, qytetarëve tanë do t’u rikthehet besimi tek politika dhe tek punët e mira të saj. Një masë konkrete dhe tepër emancipuese për shoqërinë tonë dhe për riformatimin e politikës, është edhe përfshirja e sa më shumë grave dhe të rinjve në gjirin e saj, të cilët sjellin absolutisht një vizion të ri dhe qasje më konstruktive drejt zgjidhjes së problemeve. Ndërsa, për t’iu përgjigjur konkretisht pyetjes tuaj, mendoj se në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2017, përsa i përket kandidaturave me të cilat do të prezantohet Lëvizja Socialiste për Integrim, do të veprohet si në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013 dhe ato lokale të vitit 2015, pra, do të jenë pikërisht strukturat e Lëvizjes Socialiste për Integrim në çdo qark, të cilat në bashkëpunim me Kryesinë, do të vendosin mbi kandidaturat e ardhshme për në Kuvendin e Shqipërisë.
Redaksia Online
(Er.Nu/Shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?