Instalimi i pajisjeve POS/POI (sistem i lidhur me bankat e nivelit të dytë për transaksionet me kartë bankare) në autobusët e transportit publik për pagesën e biletës me kartë bankare vijon të shkaktojë konfuzion te operatorët e transportit publik. Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ngre sërish shqetësimin se procesi mbetet i paqartë, por edhe teknikisht gati i pazbatueshëm për kushtet aktuale të transportit urban.

Kryetari i shoqatës Kostandin Foni, pohoi për Monitor se këto masa po kërkohen në kuadër të plotësimit të standardeve që lidhen me integrimin e vendit në Bashkimin Europian, por shtoi se kushtet konkrete për zbatimin e tyre ende nuk ekzistojnë.

“Problemi kryesor mbetet funksionimi teknik i pajisjeve. Për të operuar normalisht, POS-et duhet të jenë të lidhura me internet ëireless, gjë që është pothuajse e parealizueshme për linjat urbane. Gjithashtu, pajisjet do të përdoren dhe do të mbahen nga faturinot apo shoferët, të cilët nuk janë të trajnuar për këtë sistem elektronik pagese”, thotë ai. 

Shqetësim tjetër i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas janë edhe kostot e larta me të cilat do të përballen operatorët dhe pasagjerët nga vendosja e këtij shërbimi.

“Fillimisht është e paqartë se si do të veprohet për lidhjen e marrëveshjeve me institucionet financiare për aktivizimin e shërbimit. Shqetësim mbetet edhe kostoja që do të paguhet nga operatorët, por edhe nga pasagjerët. Në të dyja rastet, kostot mbeten të larta. Operatorët do të përballen me koston për blerjen e pajisjeve POS, e cila arrin deri në 50 mijë lekë për një pajisje, ndërsa vetëm instalimi i shërbimit kushton rreth 5 mijë lekë. Komisioni për mospërdorimin e pajisjes është 1 mijë lekë në muaj, ndërsa për mirëmbajtjen parashikohet një tjetër tarifë prej 1 mijë lekësh në muaj.

Kosto shtesë do të ketë edhe për pasagjerët. Nëse pasagjeri do të kërkojë të paguajë biletën me kartë bankare, çmimi i saj do të jetë më i lartë sesa 40 lekë, që është çmimi aktual i shënuar në biletë. Kërkojmë të informojmë qytetarët se kompanitë e transportit nuk ndryshojnë çmimet. Çmimi i biletës ndryshon vetëm me vendim të këshillit bashkiak. Por ne kemi marrë informacion nga bankat e nivelit të dytë se sa mund të jetë mesatarja e komisioneve për pasagjerët që do të kryejnë transaksionin me kartë bankare, përfshirë kostot e mirëmbajtjes së këtij sistemi që ofrohet nga institucionet financiare.

Për transaksionet me kartë bankare VISA/MasterCard, komisioni është 2.7% mbi vlerën e pagesës. Përveç këtij komisioni, aplikohet edhe një tarifë fikse prej 30 lekësh për çdo transaksion. Pasagjeri nuk do të paguajë më vetëm tarifën e shkruar në biletë, por do të ketë edhe kosto ekstra. Tatimet, bashkitë dhe institucionet përkatëse duhet të informojnë qytetarët se përse do të paguajnë më shumë. E theksoj se çmimi nuk rritet nga operatorët", tha Kostandin Foni.

Në këtë situatë të paqartë, operatorët kërkojnë që institucionet shtetërore dhe përfaqësuesit e transportit të ulen në një tryezë diskutimi për të gjetur një zgjidhje që kjo kosto të mos rëndojë qytetarët.

“Ne mbështesim implementimin e këtyre pajisjeve, por kërkojmë nga institucionet shtetërore që ky shërbim të jetë pa kosto shtesë për transportin publik”, përfundoi ai.

Pak ditë më parë, në një letër drejtuar Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Bashkia Tiranë dhe Drejtoria e Transportit Rrugor, ngriti një sërë pikëpyetjesh që nga paqartësitë për implementimin e shërbimit dhe kostot shtesë që ngarkojnë udhëtarët dhe operatorët.

Nga institucionet shtetërorë deri tani nuk ka asnjë reagim për këtë shqetësim të operatorëve. Teksa afati për instalimin e pajisjeve POS/POI është deri më 30 Maj 2026./Monitor