TIRANE - Rritja “e mundshme” e çmimit të biletave për transportin urban duket se do të vijojë të bëjë “ping pong” dhe në vijim, në kushtet kur ministria e Transporteve dhe Bashkia e Tiranës, i shkarkojnë kompetencat njëra-tjetrës kush duhet të jetë vendimmarrësja për këtë. Paralelisht në dy komisione, për herë të parë është diskutuar ditën e sotme drafti për “Rregullimin e transportit urban”, ku duket se i delegohen kompetencat Këshillit Bashkiak, për një rritje të biletës në të ardhmen.

Por dhe këtë herë bashkia e përfaqësuar nga nënkryetari Eno Bozdo në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese nuk ka qenë dakord me atë që propozon drafti.

"Panorama ime ka dy anë, e panë është ana rregullatorë, qeveria nuk mund të delegojë funksione rregullatorë të çmimit pa deleguar më parë edhe fondit përkatës por edhe mundësinë për të ndërhyrë, në mënyrë që ne të bëjmë një analizë po mbi të gjitha në thelb të saj qëndron shmangia që qeveria i ka bërë përgjegjësisë së saj për të negociuar më operatorë për të dhënë një zgjidhje dhe për ta hedhur këtë gje tek pushteti vendor ". - shprehet nënkryetari i Bashkisë, Eno Bozdo

Projektligji për transportin publik parashikon që kompetencat për vendosjen e çmimit të biletave, si dhe për subvencionimin e shtresave në nevojë, t’i marrë pushteti vendor.
 
Ndërkaq kompanitë që ofrojnë shërbimin urban kërkojnë një rritje të çmimit të biletave sepse sipas tyre rritja e akcizës së naftës ka rritur kostot e operimit të tyre në treg.
 
Në draft parashikohet dhe subvencionim për shtresat në nevojë pa u specifikuar dhe për këtë, koston do ta kenë buxhetet e bashkive.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)