Valmir Tertini është një regjisor shqiptar që po realizon një dokumentar të pavarur të titulluar “Pinoçhio’s Harvard.” Piceria ikonike pranë Harvardit është frekuentuar nga drejtuesit e kompanive më gjigante të teknologjisë, Bill Gates dhe Mark Zuckerberg.

I ftuar në emisionin “Studio Live” në Report Tv, regjisori thotë se kjo piceri 60-vjeçare, në dukje e thjeshtë, është ‘shtëpia’ e shumë aplikacioneve e krijimeve. Kushdo që viziton Harvardin, duhet të ndalet edhe aty.

“Kjo piceri nuk është e rregulluar shumë mirë, madje nëse do të ishte në Tiranë s’do të hynte askush, por në fakt aty hyjnë yjet e Hollivudit, aty janë krijuar shumë aplikacione dhe gjatë xhirimeve, kam kuptuar çfarë do të vijë në 2027, 2028, studentet vijnë aty, hanë, takohen, punojnë me detyrat, janë edhe njerëzit e tjerë. Po vizitove Harvardin, patjetër që do të shkosh te ‘Pinoçhio’ të provosh një picë', tha ai. 

Tertini thotë se u ka ofruar shumë yjeve që të bëhen pjesë, por të gjithë duan të jenë protagonist. Xhirimet me Gates janë realizuar kohë më parë.

“I kam ftuar të gjithë zyrtarisht, por secili do ekskluzivitetin që të jetë kryesori. Nga Mark nuk kemi marrë një përgjigje, por me Bill është bërë kohë më parë. Ne ishim me ekipin tonë, ai me ekipin e vet dhe mbaruam xhirimet. Ai pranoi, na uroi suksese, ne e kemi Bill Gates në dokumentarin tonë dhe kjo është e rëndësishme.”

Tertini mohoi çdo mundësi lidhur me ndonjë pagesë kundrejt njeriut më të pasur të botës.

“Jo, nuk e kemi paguar fare. Por për të tjerët, aktorët e Hollivudit, i kemi kontaktuar, na janë përgjigjur agjentët dhe na kanë kërkuar para që të jenë pjesë, por ky është dokumentar i pavarur dhe nuk është mundësia që t’i paguajmë', tha ai.

Duke iu rikthyer temës së mësipërme për aplikacionet e së ardhmes, ai tha se do të zënë një vend të rëndësishëm aplikacionet e takimeve ku të dhënat mund të shkëmbehen vetëm me prekje.

“Në takimet me muzikë të lartë ti nuk mund ti japësh të dhënat, por me shtrëngimin e duarve mund të kuptosh cilat të dhëna do t’i japësh', tha ai.

Tertini numëron 34 çmime në karrierën e tij, 32 prej të cilave janë ndërkombëtare.