Bill Gates “mori përgjegjësi për veprimet e tij” dhe foli për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein gjatë një takimi me stafin e fondacionit të tij të bamirësisë, njoftoi organizata.

“Bill foli hapur, duke adresuar disa pyetje deri në detaje,” tha Fondacioni Gates në një deklaratë.

The Wall Street Journal raportoi se Gates u kërkoi falje punonjësve, tha se kishte pasur dy lidhje me ruse për të cilat Epstein më vonë kishte marrë vesh, dhe lidhur me financierin pedofil deklaroi: “Nuk bëra asgjë të paligjshme. Nuk pashë asgjë të paligjshme.”

Gates është nën syrin e mediave për marrëdhënien e tij me Epstein pas publikimit të dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në janar. Bashkëthemeluesi i Microsoft nuk është akuzuar për ndonjë shkelje nga ndonjë prej viktimave të Epstein.

Gates tha se ishte një “gabim i madh që kishte ndenjur me Epstein”, por këmbënguli se “kurrë nuk ndenji me viktimat, me gratë rreth tij”. “Më vjen keq për njerëzit e tjerë që përfshihen në këtë për shkak të gabimit që bëra,” u tha ai punonjësve, sipas WSJ.

Gazeta raportoi se Gates tha se fotografitë e tij me gra, fytyrat e të cilave janë të mbuluara, të përfshira në të ashtuquajturat dosja Epstein, ishin foto që financieri i ndjerë i kishte kërkuar t’i bënte me asistentet e tij pas takimeve të tyre. Gates i tha stafit të fondacionit se u takua me Epstein në vitin 2011, pasi Epstein ishte deklaruar fajtor për kërkim të një të miture për prostitucion duke shtuar se ishte në dijeni të një “çështjeje 18-mujore” që kishte kufizuar udhëtimet e Epstein, por se nuk e kishte verifikuar siç duhet të kaluarën e tij.

Ai vazhdoi të takohej me Epstein deri në vitin 2014 dhe doli me të jashtë vendit, por “kurrë nuk kaloi natën” apo të vizitonte ishullin e Epstein.

Marrëdhënia vazhdoi edhe pasi ish-bashkëshortja e tij kishte shprehur dyshime: “Për t’i dhënë meritat asaj, ajo ishte gjithmonë disi skeptike për çështjen Epstein”, tha Gates.

Sipas gazetës, Epstein i kishte thënë se kishte lidhje me miliarderë të tjerë dhe sugjeroi se mund të ndihmonte në mbledhjen e fondeve për kauza bamirëse me të cilat Gates ishte i angazhuar.

Një zëdhënës i Fondacionit Gates tha në një deklaratë: “Ky ishte një takim i planifikuar me punonjësit, të cilin Bill e zhvillon dy herë në vit. “Në bisedë, Bill iu përgjigj pyetjeve të paraqitura nga stafi i fondacionit për një sërë çështjesh, përfshirë publikimin e dosjeve Epstein, punën e fondacionit në inteligjencën artificiale dhe të ardhmen e shëndetit global”.

Gates e themeloi organizatën e tij filantropike së bashku me ish-gruan, Melinda French Gates. Ata u divorcuan në vitin 2021 pas 27 vitesh martese.

Në një intervistë me një podcast të NPR më herët këtë muaj, Melinda tha se publikimi i fundit i dokumenteve riktheu një “periudhë të dhimbshme në martesën time”. “Jam shumë e lumtur që jam larg gjithë asaj rrëmuje,” tha ajo, duke shtuar: “Ata duhet të japin përgjigje për ato gjëra, jo unë.”

Mediat amerikane kanë raportuar se para ndarjes së tyre, Melinda ishte e shqetësuar për lidhjen e bashkëshortit të saj me Epstein. Pas shpalljes së ndarjes, Bill Gates pranoi se kishte pasur një lidhje me një punonjëse të Microsoft-it në vitin 2019.