Deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku (Neomalsorja), ka kërkuar nga strukturat akomoduese, por edhe nga të gjitha bizneset e shërbimeve (restorante, bare, kafene) që të vlerësojnë dhe përdorin më shumë produktet vendase, pasi kështu sipas saj, ndihmojnë mijëra familje shqiptare që punojnë për prodhimin e tyre.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku mori rastin e Sherebelës, një bimë që sipas saj ka mbajtur me të ardhura me qindra familje shqiptare, por që fatkeqësisht sipas saj, ajo shitet kryesisht jashtë Shqipërisë, për shkak të mungesës së kërkesës në tregun vendas. Koçeku shtoi se kjo çon në mungesën e vlerësimit për këtë bimë ‘magjike’, pasi sipas saj, inportuesit e huaj e kushtëzojnë çmimin ashtu siç ju leverdis.

Koçeku analizoi se nëse do të rritej kërkesa në tregun vendas, çmimi i bimës së sherebelës do të rritej dhe automatikisht edhe të ardhurat për ato qindra familje që mbështeten ekonomikisht te kjo bimë.

Ligjvënësja ndau edhe një eksperiencë personale, teksa tha se ajo bashkë me familjen e saj, deri në moshën 12-vjeçare kanë siguruar të ardhura përmes bimës së Sherebelës.

“Kjo është një bustinë që shërbehet në çdo lokal, restorant a bujtinë në vendin tonë. Ndërsa kjo është Sherebela, prodhim vendas që mban mijëra familje dhe që rrallë apo hiç e gjen që të shërbehet në strukturat tona akomoduese, apo thjeshtë lokale apo bar kafe. Sherebela neve na bën që të jemi vendi eksportues më i madh në SHBA dhe Europë. Kjo është padyshim treguesi i potencialit të jashtëzakonshëm që kjo bimë e vendit tonë ka. Unë bashkë me familjen time, deri në moshën 12-vjeçe, bashkë me shumë famije të tjera jemi mbështetur ekonomikisht te sherebela dhe bimë të ngjashme të sherebelës.

Gratë që takova dje, ndërsa më rrëfyen sesi sakrificat e tyre për t’u çuar në orën 04:00 të mëngjesit me rregullu shtëpinë, fëmijët, punët me blegtorinë, me udhëtu deri te vendi i punës dhe me punu shpesh në temperatura ekstreme gjatë verës dhe dimrit, por edhe mungesën e vlerësimit ndaj punës së tyre dhe bimës së sherebelës. Sigurisht kur mungon vlerësimi në tregun e brendshëm dhe kur nuk ka politika mbështetëse sa duhet për këtë lloj sektori apo për këtë lloj bime, eksportuesi, ose njerëzit që e blejnë prej nesh, në këtë rast importuesit e huaj, e vlerësojnë me çdo lloj çmimi që e vlerësojnë ata. Dhe kjo ndikon drejtpërdrejtë te siguria financiare e këtyre grave dhe e këtyre mijëra familjeve që mbështeten te kjo bimë.

Është e pafalshme që të vlerësohet maksimalisht jashtë dhe të jetë pothuajse inekzistente në tavolinat dhe vlerësimin që ne i bëjmë së brenshmi. Por edhe më e pafalshme është për biznesin, për strukturat akomoduese që nuk i japin vlerësimin e duhur. Unë besoj se çdo gjë fillon këtu, që nëse ne e përdorim më shumë këtë bimë, nëse është më pjesëmarrëse dhe e përdorshme në industrinë farmaceutike dhe në tërë industrinë e shërbimit, vlera e saj do të rritet më shumë, kështu edhe një vlerë më e lartë te importuesit e huaj dhe një mirëqenie më të madhe në të ardhmen te vetë ato familje që mbijetojnë realisht me këtë bimë magjike të vendit tonë”, tha mes të tjerash Koçeku.