TIRANË- Pas largimit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja Marjana Koçeku ka shprehur pendesë për mbrojtjen publike që i ka bërë aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth. Asokohe ajo doli në krah të PS dhe u përball me kritika nga qytetarët se përse nuk i mbrojti përballë fadromave të qeverisë që u prishi ndërtimet pa leje.
Por tashmë, në një tjetër postim në rrjetet sociale, Koçeku tregon se pikërisht ky aksion ishte një nga momentet që shënjoi krisjen me Partinë Socialiste. Ajo u kërkon falje banorëve të Thethit, ndërsa u premton se nga sot do t’i përfaqësojë si duhet.
“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka kenë ndër goditjet ma të mëdha emocionale që kam marrë n’jetën teme. Unë nuk kjaj, por njato ditë kam kja ma shumë se kur m’ka vdekë baba. Betohem në 7 shenjtorët që besoj ma shumë se tash kam me ju përfaqësue si duhet. S’ka me i fye kush ma ato male siç i kanë fye”, shkruan Koçeku.
Vetëm një ditë më parë Koçeku la të nënkuptohet se kishte marrë kërcënim nga grupi i Bajrave, një emër i njohur për problemet e panumërta me ligjin. Koçeku shkruante se nëse familjes së saj i preket qoftë edhe një fije floku, do ta shkatërrojë bandën e Bajrave.
Postimi i Marjana Koçekut
Komente










