TIRANE - Trajneri i mirënjohur i disa ekipeve, por edhe i ekipit kombëtar të futbollit Bejkush Birçe gjatë një interviste për gazetën “Shqiptarja.com” analizon problemet me të cilat përballet futbollit shqiptar dhe qëndrimin e komisionit të Etikës ditët e fundit për dënimet për trukim ndeshjesh. Birçe është Presidenti i Shoqatës së Trajnerëve Shqiptarë si dhe nënkryetar i Komisionit të Etikës pranë FSHF-së. Ai e drejtoi ekipin Kombëtar në periudhën 1990-1994.

Z. Birçe pas 100 vitesh shtet, cili është niveli i futbollit shqiptar?

Më vjen shumë keq të them, por niveli i futbollit tonë është shumë i dobët. Jemi katandisur në një gjendje për të ardhur keq. Niveli është zero dhe kjo gjendje duhet të zgjojë shqetësimin e komitetit sportiv, pasi janë në një gjumë letragjik prej kohësh.

Kush janë disa nga problemet me të cilat përballet futbolli?
Problemet janë disa duke filluar nga gjeneza, terrenet sportive, mungesa e një strategjie të qartë nga klubet dhe shteti për të organizuar projektet për të ardhmen. Më vjen keq, por pas viteve 90’ nuk është ndërtuar një stadium, një fushë, një projekt, përkundrazi nga mbi 20 fusha futbolli që ndodheshin në Tiranë para 90’ tani nuk ke i asnjë. Janë mbushur të gjitha me pallate.

Kë fajësoni ju për këtë gjendje që është krijuar?
Sigurisht që fajin për të gjithë këtë kakofoni që është krijuar e ka shteti, i cili nuk ka bërë asgjë për sportin. Qeveria dhe ministria përkatëse bashkë me ministrin e kanë dërguar në pikën e fundit. Le të dalë dikush dhe të më thotë se çfarë ka bërë qeveria për sportin në gjithë këto vite. Përkundrazi, përvec se nuk ka bërë gjë, por ka shkatërruar të gjithë terrenet duke e katandisur rininë në mos më keq.

Pra, fajtor është politika dhe politizimi i sportit?

Në vend që politika të japë ide se si mund të rrisin një rini të shëndetshme që merret me sport, ata e kanë i kanë politizuar me forumet që kanë krijuar duke e ndarë në dy kampe. Ndarja dhe politizimi e rrit rininë me një frymë negative që e sheh shokun dhe shoqen si kundërshtarë, me të cilin duhet të ndeshjet me të gjitha mjetet si liderët e tyre.

Por në instutucionet arsimore si trajtohet ora e edukimit fizik?
Kjo lëndë është harruar plotësisht, të rinjtë në orën e edukimit fizik i sheh në kafe, disko, loto. Ministria nuk e vë ujin në zjarr për këtë, por përkundrazi e rëndësishme është që në cdo miting rinia t’i mbushë sheshet për fushatë. Ky brez është degraduar, pasi nuk ka ku të çlirojë energjinë negative, prandaj është rritur edhe niveli i kriminalitetit vitet e fundit.

Rikthehemi edhe njëherë te futbolli...
Më falni, por si mund të pretendojmë ne për futboll, kur shteti na e ka vjedhur këtë sport kaq popullor, pasi na mori fushat, palestrat dhe nxori jashtë qarkullimit shumë sporte elitare si qitja që ishim gjithmonë në zonën e medaljeve.

A kanë tentuar që t’ju joshin me ndonjë post drejtues dhe ku e shihni shpëtimin e sportit?

Po, më kanë bërë disa oferta, por s’kam pranuar, pasi nuk dua të jem vegël. Ndërsa për të ardhmen jam pesimist nuk kam besim se sporti do të ringrihet në Shqipëri.

Si ju duket platforma e opozitës për sportin?

E nëse kam një fije shprese, ajo lidhet me Fidel Yllin, tek i cili kam besim që mund t’i bëjë të gjitha ato që thotë, pasi e do sportin. Por ai është i vetëm dhe shumë pak për të sjellë në normalitet gjithë këtë katrahurë që kanë bërë pushtetarët.

Cfarë mendoni për Partiznin, Dinamon dhe Superligën?

Partizanin e vodhën, e grabitën i morën fushat e dërguan në pikën e fundit, e njëjta gjë edhe për Dinamon. Tani duan t’ju marrin edhe trofetë, pasi i cilësojnë se janë zhvilluar në kohën e luftë. Kjo është e pabesueshme, nëse do merrej një vendim i tillë do ishte absurde. Ndërsa Superliga vetëm emrin ka super, pasi nuk meriton as notën zero se e ka shumë, ekipit duhet të privatizohen urgjentisht, shembull i qartë është Vllaznia.

Ju jeni anëtar i komisionit të Etikës, si e komentoni dënimin e fundit për dy ekipet e Superligës?
S’mund të komentoj vendimet, pasi janë kolegjiale. Ajo që mund të themë është që në Shqipëri ka trukime si në të gjithë botën. Mendoj që duhet mjete më të sofistikuara për të hyrë më në brendësi të fenomenit dhe për ta parandaluar.

Ndalemi te ekipit kombëtar që këtë edicion pretendon finalet e botërorit. A mund të arrihet një objektiv i tillë?
Personalisht mendoj që është e pamundur, dëshira mund të jetë e madhe, por unë e shoh lart ditën që mund të shkojmë në finalet e një kompeticioni. Trajneri ka bërë një punë të mirë, por është shumë pak për pretendimet. Ekipi përbëhet nga futbollistë të rinj që nuk kanë eksperiencë për të përballuar presionin kualifikimit.

Cfarë mendimi keni për futbollistët me origjinë shqiptare, të cilët e kanë refuzuar fanellën kuqezinj?

Kam dëgjuar shumë për këtë cështje dhe më vjen keq që futbollistët që kanë refuzuar Shqipërinë cilësohen si tradhtarë. Në duhet të jemi krenar që ata luajnë me ekipe të mëdha dhe janë shqiptarë.

Me Shqipërinë nuk do të arrin kurrë atë sukses. Por ta themi hapur, cfarë kemi bërë ne për ata, që ata të pranojnë ftesën. Përse i duam gjërat e gatshme, kur në Shqipëri nuk ndërtojmë një fushë për talentet, por ju marrim lekë për stërvitje.

Ku e shihni futbollin shqiptar pas 20 vjetësh?
Pyetjes suaj do i përgjigjem me përgjigjen e Peles, të cilën kur e pyetën se kush do të dominonte futbollin në të ardhmen ai deklaroi se do të ishte Afrika, pasi atje ka hapësira të bollshme kur të rinjtë mund të stërviten. Në Shqipëri nuk kemi hapësira, kështu që përgjigja dihet se ku do të jemi pas 20 vjetësh.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)26.02.2013