Diplomati i Dytë i Ambasadës Shqiptare në Romë atë 6 shtator 1998 filloi të shfletonte për të dytën herë buletinin informativ të ardhur nga Ministria e Jashtme. Ai mbulonte sektorin ekonomik dhe jo rrallë ndjente t'i vinin prej disa zyrave të Tiranës pëshpëritjet se punët e kooperimit me Italinë kishin mbetur në vend.Rifilloi edhe njëherë leximin e paragrafit që e shpëtonte nga ajo përfolje: "Italia me 56 për qind të eksporteve dhe 45 për qind të importeve vazhdon të mbetet partneri kryesor në tregti si edhe investitori kryesor në Shqipëri. Tremujori i dytë i vitit 1998, sipas bilancit tregtar të Bankës së Shqipërisë, regjistroi rritje në importe me këtë shtet prej 16 për qind dhe në eksporte prej 12 për qind. Si në importe dhe në eksporte grupmallrat kryesore importues nga Italia shfaqen në rritje”.
Diplomati i Dytë i hoqi sytë nga fletët dhe kërkoi një çast ku t’i përqendronte. Kjo ishte për të një mënyrë për të shijuar mirë një lajm të gëzuar.
Duke e mosgjetur pikën e çlodhjes iu rikthye paragrafëve të tjerë të buletinit. Në të thuhej se në 3 mujorin e dytë të vitit 1998 Greqia pati okupuar rreth 25 për qind të eksporteve dhe 29 për qind të importeve në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë.
Në vijim qe rreshtuar Gjermania. Ajo renditej si partneri i tretë tregtar i Shqipërisë. Kishte rreth 4 për qind të totalit të importit dhe eksportit.
Ra zilja e telefonit. Diplomati i Dytë e ngriti dorezën. Pastaj vuri buzën në gaz dhe shqiptoi "po munde ma sill që tani".
Pak minuta më vonë një fletë e faksuar dridhej lehtas nëpër gishtat e tij. Nga Fiera del Levante e Barit ishte dërguar ftesa për "Ditën e Shqipërisë". Veprimtaria do të mbahej në Sala Tridente-Palazzo del Mezzogiorno. Ajo gëzonte patronazhin e Ministrisë së Jashtme italiane, atë të Rajonit të Pulias, të Provincës së Barit dhe të Bashkisë së këtij qyteti. Tema ishte "Korridori panevropian N.8". Italia, Shqipëria, Maqedonia për zhvillimin, paqen, sigurinë në Ballkan".
Nuk mungonte të shënohej në program se "do të flasë edhe kryeministri i Shqipërisë, kryetari i Rajonit të Pulias, ministrja shqiptare e Kooperimit Ekonomik...".
Dy amerikanë të lartë mbërrijnë urgjentisht në Prishtinë
Euronews në mbrëmje e rinisi ciklin e tij informativ me lajmet për ceremonitë përkujtimore të njëvjetorit të vdekjes së Nënë Terezës. Ndërkohë për shqiptarët u duk qartë ku në të vërtetë ishte vatra e tensionit real për fatin e tyre: Kosova. Atje atë ditë qe dukur për vizitë Xhon Shatëll, nënsekretari amerikan i Shtetit për të Drejtat e Njeriut.
Lajmin Euronews po e përsëriste çdo një gjysmë ore. Shpjegonte edhe përse kishte ngjarë ardhja e ngutshme e zyrtarit të lartë të administratës së SHBA: trupat speciale serbe kishin kapur në një pyll, të fshehur për t’i shpëtuar ndonjë masakre hakmarrëse, rreth katërqind shqiptarë kosovarë.
Turmën e madhe, tashmë të rrethuar nën gryka automatikësh kallashnikovë të "specialeve" serbe, autoritetet e Beogradit e akuzonin se nuk ishin popullsi civile, por një repart i maskuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Një kronikë e dytë e Euronews nxitonte të përcillte imazhe të një vizite tjetër të lartë, të kryer në Prishtinë: po hynte në selinë e Ibrahim Rugovës vetë senatori i shumënjohur amerikan Bob Doll, pak vite më parë kandidat për president i Partisë Republikane.
Si të qe klithmë vrapoi më pas në Euronews lajmi tjetër: gjer ato çaste nga trupat speciale serbe qenë vrarë 900 shqiptarë dhe dhjetë për qind e popullsisë së Kosovës ishe shpërngulur e strehuar nëpër pyje.
Anna Oxa këndon në Tiranë
Atë mbrëmje Televizioni Shqiptar transmetoi në edicionin informativ të orës njëzetë pamje nga koncerti jubilar për Nënë Terezën. Ai qe organizuar në Tiranë tamam në qendrën spitalore, e cila ndërtohej me nismën e saj.
Në skenë ishte Ana Oksa, tek buzëqeshte. E kishte mbajtur fjalën, siç edhe pati njoftuar më 3 shtator në një intervistë tek e përditshmja "Koha Jonë". Vajza e Qazim Hoxhës nga Kruja" do të bënte në Tiranë për Nënë Terezën një koncert "live".
Në një çast, tek ishte nën brohoritje, ajo thirri të ngjitej në podiumin skenik presidentin e Republikës. Rexhep Meidani u shfaq i emocionuar. Filloi të shprehej. Dikush nisi ta përkthejë italisht.
Ky duhej të ishte edhe fragmenti që atë mbrëmje transmetohej në sallën e madhe të Vatikanit dhe për të cilin Diplomatit të Parë të Ambasadës Shqiptare në Romë i kishte folur Skiavaci, regjisori i televizionit me program tematik afër Selisë së Shenjtë, "Telepaçe".
Canale 5 kishte premtuar ta transmetonte këtë koncert më 8 shtator, në orën 21.00.
Ndërkohë mbi koncertin modest të Tiranës, bërë në natyrë të hapur dhe me sfond godinën e papërfunduar të Qendrës Spitalore e qiellin gjer thellë në sfond, fërgëllonte hëna.
Ishte shumë e zbehtë, si flakë e largët qiriri.
7 shtator, lë pushimet dhe rikthehet në Tiranë njeriu i NATO-s
"Zëri i Popullit" sot u shfaq i zëmëruar me ministrin e Brendshëm dhe i kërkon, me një titull me germa të mëdha e të kuqe, që ai të japë dorëheqjen. Arsyet i rreshton që në faqen e parë: "Rendi i çoroditur, dikasteri bën viktimën, rikthehen maskat dhe tritoli, në ministri ka funksionarë që spiunojnë operacionet".
Ndërkaq "Rilindja Demokratike" zbulon para opinionit se zotëronte listën e civilëve të armatosur mirë, të cilët përgjatë demonstratave të aleancës opozitare, Bashkimit për Demokracinë, ruanin vilën e Fatos Nanos. Sipas saj ruajtësit e paligjshëm qenë plot 70 frymë.
Këtë ditë në Durrës Azem Hajdari pati bërë deklaratën e radhës: "Revoltat antidiktatoriale do ta përmbysin Nanon dhe komunistët në pushtet, të cilët erdhën me djegie, vrasje, dhunë, shkatërrime dhe vjedhje një vit më parë".
Po këtë 7 shtator njeriu i NATO-s në Tiranë, një italian, kishte ndërprerë pushimet e tij të zakonshme në atdheun e vet dhe qe rikthyer menjëherë në kryeqytetin shqiptar.
Biseda me diplomatin e huaj: Kush qëndron pas dënimit me vdekje të Ibrahim Rugovës dhe Fatos Nanos?
Ishin në makinë të tre: Diplomati i Parë, i Treti (Topalli) dhe Syri i Qelqtë. Ky i fundit rrinte në timon. Në atë mision brenda Romës nuk e kishin marrë me vete shoferin.
Po ktheheshin. Tek qenë nisur për në takimin e caktuar me një diplomat të huaj patën udhëtuar pothuaj në heshtje dhe nëpër një diell bezdisës që u rrinte përballë si të mos kishte ndërmend të lëvizte dhe perëndonte. Gjithsesi qenë në humor. Madje Syri i Qelqtë pati vënë një kasetë me këngë boshnjake.
Po kalonin ato çaste përmes Piazza Venezia dhe sipas rregullit të zakonshëm vetëm një manovër kthese djathtas do t'i nxirrte në të përpjetën e kodrës Quirinale, pastaj në rrugën për në Stazione Termini. Prej aty do të merrej drejtimi i palëkundur: Ambasada.
Këngët sllave dukej sikur bënin aheng.
-Nuk ka ndonjë gjë radioja? - bërbëliti Topalli.
Syri i Qelqtë ktheu menjëherë kokën nga ai. Bebëzat e syve, falë edhe miopisë, iu bënë si pikëza të zeza.
-Janë këngë boshnjake - tha shpejt e shpejt - Nuk janë serbe.
Diplomati i Tretë nuk u përgjigj. Ai i kishte akoma para syve pamjet e përcjella nga Euronews të afro katërqind kosovarëve të arrestuar nga trupat speciale serbe dhe të ulur poshtërisht në gjunjë në një shesh të madh. Të gjithë mbanin duart të lidhura pas kokës, si në prag të një kuje.
Diplomati i Parë nuk hyri në dialog. Vetëm shtrëngoi nofullat. Ato çaste as atij nuk i pëlqenin ato melodi.
-Po të ishit dakord unë do t'ju propozoja të kthehemi pak çaste tek Fontana Di Trevi - tha pas pak duke u përpjekur t'i heqë zymtinë bisedës.
Syri i Qelqtë ktheu sërish kokën. Kësaj radhe drejt Diplomatit të Parë. Bebëzat po i zgjeroheshin.
-Dakord - u përgjigj dhe mbylli kasetofonin e makinës. Menjëherë në kabinë vërshoi gjallëria e rrugës. Bashkë me të edhe fluksi i përthyer i dritave të makinave.
Fytyrat e tyre u bënë ngjyrë vjollcë.
-Do të kërkosh të plotësohet ndonjë dëshirë? - ngacmoi Syri i Qelqtë.
Në Fontana Di Trevi ishte zakon që vizitorët, pasi ktheheshin me shpinë nga shatërvani i madh e i kaltër, shqiptonin me vete një dëshirë dhe pa e kthyer trupin, flaknin në ujë një monedhë metalike. Kjo donte të thoshte që dëshira e fshehtë pritej të plotësohej.
Por Diplomati i Parë zgjodhi heshtjen. Kishte rënë në mendime. Dialogu me të huajin e rëndësishëm kishte qenë i vështirë. Më shumë nuk ishin kuptuar me njeri-tjetrin. Ai që në fillim kërkoi të dinte hollësi rreth lajmit të shpërndarë se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin dënuar me vdekje Fatos Nanon.
Diplomati i Parë psherëtiu. Po kalonin nëpër rrugën kryesore të qendrës së Romës, Via del Corso, dhe turma e madhe e shëtitësve dhe e makinave dukej sikur do t'i kërcente sipër trupit të vogël të veturës së tyre "Fiatuno". Duhej ende kohë e durim që t'i afroheshin Pallatit Kixhi, kryeministrisë italiane. Aty më në fund do të merrnin rrugën djathtas dhe do t'i afroheshin shatërvanit Trevi.
Diplomatit të huaj i kishin shpjeguar se prej kohësh qarkullonte lajmi i dënimit me vdekje të Ibrahim Rugovës dhe Fatos Nanos, madje ky më shumë lëvizte në shtypin e Beogradit dhe në disa mjedise të caktuara të Perëndimit. Saktësisht atje ku historikisht kishin lidhje më të afërta me serbët. Në Prishtinë, iu tha, një lajm i tillë dëgjohej më pak se kudo. Kurse në Tiranë, iu vijua më pas, gjykohet si lajm periferik.
Në Via del Corso lumi i makinave vijonte të rrëshqiste i ngadaltë, aq sa të dukej se do të ndalte dhe do të bllokonte të gjithë lëvizjen.
I huaji ishte kokëfortësisht mosbesues para argumenteve të tyre. Atëherë vijuan t'i thoshin se po të ishte e vërtetë që Ibrahim Rugovën udhëheqësit e UÇK-së e kishin dënuar me vdekje atëherë ata mund ta kryenin fare lehtë atentatin e tyre. Në rast se i njëjti ndëshkim ishte formuluar edhe për kryeministrin shqiptar, iu tha, po ashtu do t'i ndihej "krisma".
Në reagim i huaji kishte ngritur supet dhe më në fund pati pranuar dyshimin e kolegëve të tij se kërcënime të tilla, ndoshta të shqiptuara nga individë të veçantë pjesëmarrës në lëvizjen çlirimtare kosovare, amplifikoheshin nga Beogradi për të përçarë faktorin shqiptar dhe për ta izoluar ndërkombëtarisht UÇK-në.
Në një çast tjetri kishte ndërhyrë me fjalët "Mos këta luftëtarë janë thjesht terroristë të zakonshëm?"
I qe kthyer përgjigja: "Po qe se në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishin vetëm disa dhjetëra vetë të izoluar nga përkrahja popullore mundej që ajo të ngjasonte me njësitet "narkos" të Amerikës Latine. Por tashmë bëhet fjalë për një pjesëmarrje në mijëra dhe me një përkrahje totale në qytete dhe në fshatra. Ajo është shndërruar në një lëvizje popullore dhe terrorizmi nuk e bën dot këtë mrekulli, përkundrazi".
"Edhe terrorizmi mbledh njerëz", pati bërbëlitur diplomati i huaj, "Në Amerikën Latine ende ka parti të së majtës ekstreme që i mbajnë në këmbë ushtritë e tyre të quajtura çlirimtare me anë të parave të fituara me drogë".
Diplomatët shqiptarë nuk kishin heshtur dhe pas kësaj. Kishin argumentuar se njollosja me drogën e një lëvizjeje popullore për liri ishte një intrigë. Në manipulimin e kësaj gënjeshtre, shtuan ata, nuk dukej se Beogradi dhe Sllobodan Millosheviçi ishin të vetëm. Tjetri kishte ngritur supet i menduar e pati shqiptuar fjalën mëdyshëse "ndoshta".
Tashmë Via del Corso po afronte imazhin e Pallatit Kixhi dhe kjo donte të thoshte se pas një grime mund të merrnin djathtas e t'i afroheshin Shatërvanit Trevi. Prej andej, për fare pak metra, mund të shkonin në Vicolo Scanderbeg, “Rrugicën e Skënderbeut” dhe të gjendeshin tek sheshi me emrin e tij, përballë bujtinës ku Gjergj Kastrioti pati ndenjur në Romë, për një takim pune tek Papa, dy muaj në kapërcyell të viteve 1466-1467.
Romë, e martë, 8 shtator 1998
I Ngarkuari me Punë nuk u ndje kur ngjiti shkallët e dërrasta të katit të dytë dhe hyri në zyrën e tij. Askush nuk ia dëgjoi hapat, gjë që mund të ngjante fare lehtësisht, sepse ai kishte një peshë trupore modeste. E vetmja shpresë në mund të "interceptohej" nëpërmjet zhurmës ishte kërcitja e çelësit në bravë.
Por shefi i përkohshëm i misionit e braktisi heshtjen e vet në orën 10.00, çast kur thirri Diplomatin e Dytë. Kur ky doli nga zyra e madhe shpjegoi se i Ngarkuari kishte dashur të dinte me hollësi se në çfarë niveli ishin atë ditë masat për përgatitjen e vizitës së kryeministrit shqiptar në Romë dhe në kishte vështirësi për makinat që do të viheshin në dispozicion të delegacionit të madh.
I dyti i diplomatëve ndihej i mëdyshtë në një porosi që kishte marrë në atë takim: duhej që edhe një pjesë të shpenzimeve, për shembull, fjetjen, të mund ta mbulonte Shoqata e Industrialistëve Italianë, Konfindustria.
Më pas në zyrën e madhe hyri Diplomati i Tretë dhe shumë shpejt pas tij, si erë, edhe Syri i Qelqtë. Ky, i vëmendshëm nga natyra, vuri re se i Ngarkuari kapelën e tij borsalinë nuk e kishte vendosur në gardërobë, por lënë shkujdesur mbi syprinën e tavolinës.
Tiranë, po ai 8 shtator
"Rilindja Demokratike", faqja e parë: "Klika nis të tërhiqet. Kryeministri urdhëron Gjykatën të zbusë vendimet...Demokratët njësoj të vendosur në protestën e tyre. Nano të shporret dhe të kërkojë falje. Kryeministri përdhosi ditën e përkujtimit të Nënë Terezës. Ai provoi se i ka urdhëruar vetë arrestimet e 22 gushtit. Opozita do t'i japë përgjigjen e merituar provokimit", "Nano fsheh dorën e thikës", "Nesër Shijaku kundër Nanos", "Orët tona në burg janë orët e fundit për Nanon", "Durrësi: Nano largohu!", "Peshkopi, revoltë masive kundër Nanos".
(Vijon)
Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)