Presidenti iranian, Masoud Pezeshkian tha të shtunën se vendi i tij nuk do të përulet ndaj presionit nga fuqitë botërore gjatë bisedimeve bërthamore me Shtetet e Bashkuara.

"Fuqitë botërore po rreshtohen për të na detyruar të ulim kokën... por ne nuk do ta bëjmë këtë pavarësisht të gjitha problemeve që po na krijojnë", tha Pezeshkian në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt nga televizioni shtetëror, shkruan Reuters.

Deklarata vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump u konfirmoi gazetarëve mundësinë e një sulmi ndaj Iranit. Trump u pyet të premten nëse po merrte në konsideratë një sulm për ta detyruar iranin drejt një marrëveshje për programin e tij bërthamor.

Hipoteza e një “ndërhyrjeje të kufizuar” ishte përmendur të enjten nga The Wall Street Journal, sipas të cilit Trump po shqyrton një sulm të parë të kufizuar ushtarak kundër Iranit për ta detyruar të pranojë kërkesat e tij lidhur me një marrëveshje bërthamore.

Hapi i parë do të synonte të ushtronte presion ndaj Teheranit për të arritur një marrëveshje, por pa arritur në një operacion në shkallë të gjerë që mund të provokonte një kundërpërgjigje të fortë. Sulmi fillestar, do të godiste disa objekte ushtarake ose qeveritare, sipas burimeve të informuara.

Nëse Irani do të refuzonte të zbatonte direktivën e Trump për t’i dhënë fund pasurimit të uraniumit, Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin me një fushatë më të gjerë kundër strukturave të regjimit, potencialisht e synuar për rrëzimin e regjimit të Teheranit.

Shtetet e Bashkuara ndërkohë, po shqyrtojnë idenë e “eliminimit” të Udhëheqësit Suprem të Iranit, ajatollahut Ali Khamenei, dhe të djalit të tij, Mojtaba Khamenei, si një nga mënyrat e mundshme për të përballuar situatën në Iran, sipas Axios, që citon një këshilltar anonim të presidentit amerikan Donald Trump.

Ditët dhe javët e fundit, SHBA-ja ka bërë grumbullimin më të madh ajror dhe detar ushtarak në Lindjen e mesme dhe Mesdhe që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003.