TIRANE- Gazeta “Shqiptarja.com” siguron të plotë dosjen e prokurorisë së Tiranës, në të cilën evidentohen me tabela fotografike 8 arkat me para të vjedhura nga Ardian Bitraj. Oficerë të prokurorisë dhe një ekspert i policisë kriminale kanë mundur të hyjnë brenda në ambientet e Thesarit duke kryer fotografimin e asaj që Bitraj, kishte mundur të kryente me shumë mjeshtëri për rreth 4 vite me rradhë, duke mos u zbuluar nga eprorët e tij dhe inventarizuesit e BSH.

Sot gazeta boton një pjesë të fotografive, ku tregohet se si nga arkat janë hequr shuma të konsiderueshme kartëmonedhash me prerje 5000 lekë dhe në vend të tyre janë vendosur libra dhe topa spango. Veç këtyre materiale brenda në kuti, janë futur dhe manuale që vetë banka publikon si dhe një material me mbishkrimin “Libër i përpunimit të fondeve”.