SHKODER, 28 Maj/ATSH/- Në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar, Biznes Albania organizoi një aktivitet multidimensional në Shirokë të qytetit të Shkodrës. Aktiviteti i quajtur 'Infoday filloi' me një pastrim të territorit me nxënësit e shkollës të Shirokës dhe vazhdoi me një panair të artizaneve shkodrane.
Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi foli për rëndësinë e zhvillimit të turizmit në zonën e Liqenit si dhe për prioritetet që i kushton ky projekti i financuar nga Bashkimi Evropian për fuqizimin e itinerareve turistike në dy anët e kufirit. Ne, tha ai, duam që artizanet e Shkodrës të jenë pika e referimit të zhvillimit të traditës shqiptare. Në qoftë se operatorët turistik po punojnë për promovimin e zonës nëpërmjet paketave turistike, artizanet do të tregojnë nëpërmjet veprave të tyre të artit historinë, traditën dhe të tashmen e zhvillimit të këtij sektori. Të gjithë së bashku operatorë turisitik, ekspertët e turizmit, mjeshtra dhe artizanete punojmë për këtë trashëgimi të pashtershme që ka Shkodra.
Zëvëndës Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Sipërmarrjes dhe Turizmit, Brunilda Paskali foli për prioritetet e Qeverisë shqiptare për zhvillimin e turizmit dhe për paketën lehtësuese për këtë industri, e cila do të krijojë lehtësira administrative për ardhjen e turistëve në vendin tonë dhe masat mbështetëse të qeverisë për këtë sektor strategjik.
Drejtori i projektit, Koli Sinjari e konsideroi nfoday-in një bilanc i vërtetë aktivitetesh që Biznes Albania ka kryer gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit për të promovuar aktivitetet dhë arritjet në fushën e turizmit rreth Liqenit të Shkodrës. Ne jemi të vetëdijshëm,tha ai, se produkti turistik është kombinimi i një apo më shumë shërbimeve turistike siç janë transporti, strehimi (hoteleria), gastronomia, guida, aktivitete, etj. Mbi bazën e tyre kemi krijuarpremisa për të ofruar turizëm kulturor, urban, rural, familjar, me biçikleta, etj. Të gjitha këto në bashkëpunim me partnerët tanë të Federatës të Punëdhënësve të Malit të Zi. Bashkëpunimi me grupet e interesit bëri që Biznes Albania të punojë në rang kombëtar në interes të këtyre grupeve.
Aktiviteti u përshëndet dhe nga drejtori i projektit nga pala malazeze, Mirza Muleshkoviç, i cili falenderoi Biznes Albanian për këtë organizim të mrekullueshëm dhe foli për bashkëpunimin ndërmjet dy organizatave për promovimin e projektit. Ai ftoi të pranishmit në panairin e përbashkët në Podgoricë, ku një përfaqësi nga Shkodra me më shume se 10 sipërmarrës në fushën e zejtarisë do të marrin pjesë në këtë aktivitet.
Infoday u shoqërua me valle të grupeve të valltareve të Shkodrës si dhe në fund u zhvillua ceremonia e dhënies se çmimeve për konkursin e punimeve më të bukura të nxënësve me motive nga liqeni i Shkodrës./a.g/







