Të gjitha bizneset dhe objektet private e publike do të pajisen me kamera të cilësisë së lartë.

Gjykata Kushtetuese ka lënë këtë të martë në fuqi ligjin për “masat shtesë të sigurisë publike”, i cili ishte kundërshtuar nga shoqata e tregtarëve.

Vendimi i Kushtetueses ka qenë unanim, duke rrëzuar kërkesën e depozituar nga përfaqësues të biznesit, të cilët e quajtën antikushtetues detyrimin për të vendosur kamera sigurie me pamje video me cilësi të lartë dhe për t'i vendosur në dispozicion të drejtësisë në çdo rast pamjet.  

gjykata kushtetuese
(Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së tregtarëve)

Shoqatat e Tregtarëve i thanë gjykatës se kamerat e vendosura me detyrim kudo "cenonin të drejtat e njeriut dhe privatësinë", ndërsa hartuesit e ligjit thanë se "qëllimi i vendosjes së kamerave me cilësi të lartë filmimi do të ndihmojë policinë dhe organet e tjera në zbardhjen e krimeve dhe rriten e sigurisë në vend". 

Edhe gjatë shqyrtimit parlamentar pati diskutime të forta për këtë çështje, ndërsa presidenti Nishani e ktheu për rishqyrtim në Kuvend, por Gjykata Kushtetuese nuk ka lënë më asnjë dyshim: kamerat do të vendosen kudo që ka grumbullim njerëzish. 

Gjoba deri në 100 mijë lekë për kamerat
Pas hyrjes në fuqi tani çdo biznes i parashikuar në ligj është i detyruar në instalimin e këtyre kamerave.

Në të kundërt ligji parashikon gjoba të cilat variojnë nga 5 mijë deri në 100 mijë lekë.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com