Rritja e taksave e propozuar në paketën fiskale 2027 mund të largojë investitorët e huaj nga Shqipëria dhe të sjellë çmime më të larta për qytetarët. Paralajmërimi vjen nga Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri (AmCham), e cila kundërshton shtimin e barrës tatimore mbi bizneset dhe i kërkon qeverisë të rishqyrtojë ndryshimet.

Në deklaratën e 29 tetorit, AmCham ngre shqetësimin për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, të TVSH-së standarde nga 20% në 21% dhe të disa normave të reduktuara të TVSH-së nga 6% në 10%. Sipas saj, këto ndryshime mund t'u lënë bizneseve më pak fonde për investime, të rrisin kostot dhe të ndikojnë te punësimi.

Dhoma Amerikane thekson se investitorët e huaj i krahasojnë kushtet fiskale të Shqipërisë me ato të vendeve të tjera të rajonit dhe se rritja e taksave mund ta bëjë vendin më pak tërheqës për investime të reja.

Një tjetër shqetësim lidhet me çmimet. Edhe pse AmCham e vlerëson si objektiv të rëndësishëm lehtësimin e kostos së jetesës, ajo paralajmëron se rritja e TVSH-së për mallra dhe shërbime të tjera mund të zbehë përfitimet që qytetarët pritet të kenë nga ulja e TVSH-së në 6% për ushqimet bazë.

Sipas Dhomës Amerikane, ulja e TVSH-së për ushqimet nuk garanton automatikisht uljen e çmimeve në dyqane, ndaj kërkohet një analizë e ndikimit të përgjithshëm të paketës te buxhetet familjare.

AmCham kundërshton gjithashtu që masat sociale të financohen duke rritur taksat për bizneset që deklarojnë aktivitetin dhe paguajnë rregullisht detyrimet. Ajo kërkon që qeveria t'i japë përparësi luftës kundër informalitetit, zgjerimit të bazës së tatimpaguesve dhe përmirësimit të mbledhjes së të ardhurave.

Dhoma Amerikane kritikon edhe kohën e shkurtër që u lihet bizneseve për t'u përshtatur me ndryshimet, të cilat propozohen të hyjnë në fuqi më 1 janar 2027, dhe i kërkon qeverisë të rishqyrtojë rritjen e taksave, të publikojë analizat e ndikimit ekonomik dhe social dhe të zhvillojë konsultime reale me biznesin përpara marrjes së vendimeve.