Regjistrimet e bizneseve të reja në vend u rritën me 7.5% në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB).
Në periudhën janar-qershor u regjistruan 11,567 subjekte të reja, ose 806 më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Personat fizikë përbënin 75.7% të regjistrimeve, me 8,757 subjekte, ndërsa u regjistruan edhe 2,775 shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (SHPK).
Sipas strukturës së kapitalit, 10,179 subjekte ishin me kapital 100% shqiptar. Regjistrimet e bizneseve me kapital 100% të huaj arritën në 1,240, me një rritje prej 35.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tirana përqendroi 6,039 regjistrime, ose 52.2% të totalit. Pas saj renditen Vlora me 1,347 dhe Durrësi me 1,310 regjistrime. Rritje të regjistrimeve u raportuan edhe në qarqet Lezhë, Shkodër, Dibër dhe Kukës.
Tregtia me shumicë dhe pakicë ishte sektori me numrin më të lartë të regjistrimeve të reja, me 2,771 subjekte. Pas tij renditen akomodimi dhe shërbimi ushqimor, aktivitetet profesionale, transporti, si edhe informacioni dhe komunikacioni. Sipas QKB-së, sektori i pasurive të paluajtshme regjistroi një rritje prej 35.8%, ndërsa transporti dhe magazinimi u rritën me 26.3%.
Në Regjistrin Kombëtar të Lejeve, Licencave dhe Autorizimeve u regjistruan 897 licenca dhe 124 leje gjatë gjashtëmujorit të parë. Numri i lejeve ishte 6.9% më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ndërsa lejet mjedisore të tipit B përbënin kategorinë kryesore.
Në Regjistrin e Pronarëve Përfitues u regjistruan 2,813 subjekte, 7.1% më shumë se një vit më parë. Pjesa më e madhe e regjistrimeve i përkiste shoqërive me përgjegjësi të kufizuar./ Monitor
Komente








