Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve (DHKPV) ka realizuar një pyetësor për subjektet-anëtare, të cilët pohojnë se ecuria e eksporteve për periudhën janar-qershor është e konsiderueshme dhe rezultatet, premtuese, pasi janë rritur ndjeshëm kërkesat nga kontraktorë të huaj për të rritur investimet, fakt i pohuar nga rreth 95 % e të pyeturve.

Sipas këtij anketimi, rreth 90% e subjekteve pohojnë se kanë rritur eksportet, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2013. Rritje të ndjeshme ka pësuar edhe punësimi, që llogaritet me 10-50% më shumë nga sa ishte numri i të punësuarve vjet.

Rritjen më të lartë të të punësuarëve të rinj e kanë shënuar kompanitë që punojnë për eksport, sidomos të veshjeve të poshtme, këpucët. Kompanitë "Albaco Shoes", "Endi shpk", "Berat Konfex", Eri@O, etj kanë numrin më të madh të të punësuarëve, krahasuar me fundvitin e kaluar.

Më shumë se 50 % e kompanive të pyetura kanë deklaruar se kanë rritur investimet e tyre me importin e makinerive e pajisjeve.Lidhur me lehtësitë që parashikon paketa e politikave mbështetëse për sektorin e fasonit, 76 % e të pyeturve pohojnë njohjen e paketës, ndërsa për ndikimin e saj në aktivitetetet që kanë, e pohojnë 44 % e të pyeturve.

Lidhur me aplikimin e subjekteve të veshjeve dhe këpucëve në skemat e nxitjes së punësimit për të përfituar nga lehtësitë që ofron qeveria, 50 % deklarojnë se kanë aplikuar dhe 12 % deklarojnë se kanë përfituar sipas aplikimit. Tregues më të lartë raportohen për skemat e trainimit.

Problemet e krijuara mes biznesit dhe bankave ka ndikuar që ky grup prodhuesish të ulë kërkesën pasi 56 % janë të shqetësuar nga normat e larta të interesit të kredive.Për pasojë, 25 % e të anketuarve përgjigjen se nuk kanë nevojë për kredi, 30 % janë të shqetësuar nga një sërë procedurash dhe dokumentash që kërkojnë bankat dhe vetëm 10 % e sigurojnë kredinë nëpërmjet kolateraleve.

Rreth 16 % e kompanive janë të kënaqura me rimbursimin ligjor të TVSH të prapambetur, apo të krijuar rishtas, 14 % e kompanive pranojnë se nuk kanë aplikuar për të rimbursuar shumat ligjore të vitit 2014. /ATSH/