Ashtu si në rastin e rusëve, politikanët dhe biznesmenët shqiptarë që kanë fshehur në këtë “parajsë fiskale” paratë e tyre, të ardhura nga korrupsioni apo që i kanë sjellë për t’i fshehur nga taksat, do të humbasin 10 për qind të shumave të depozituara.
Emra të qytetarëve shqiptarë janë lakuar herë pas here nga kundërshtarët e tyre politikë apo të biznesit, ndërkohë që është mësuar edhe se Fazlliçi e biznesmenë të tjerë kanë përdorur Qipron për depozita bankare të fitimeve në Shqipëri apo për të krijuar kompani fantazmë ku të kryheshin transaksione të dyshimta me transferta parash.
Ka qenë një nga anëtarët aktualë të kabinetit Berisha, që ka përmendur këtë fakt. Në një intervistë në korrik të 2008-ës për revistën “MAPO”, Vangjel Tavo ka thënë se “të paktën pesë anëtarë të kabinetit qeveritar kanë hapur llogari bankare të dyshimta në Itali, Qipro dhe Holandë.
Ne disponojmë shifrat ekzakte të derdhura, që shkojnë në miliona euro, emrat e bankave dhe datat kur janë bërë derdhjet ilegale. Në mos sot, nesër; në mos drejtësia dhe Berisha sot, do t´i tregojmë ne nesër me gisht këta individë”, ka deklaruar Tavo, gjatë kohës që ishte në opozitë.
“Mos më pyesni mua për emrat. Ato mund t´jua thotë më mirë ustai i tyre. Për ta ndihmuar atë, por dhe si një hap përpara ndaj publikut, po jap disa të dhëna shtesë. Dy ministra të kabinetit qeveritar, miq me njëri-tjetrin, kanë udhëtuar në drejtim të Italisë në datën 19 prill.
Pak përpara mesditës të së enjtes, në orën 11.20 minuta, ata janë paraqitur të dy në sportelet e Banca di Roma. Njëri nga ta ka hapur llogari bankare në emër të bashkëshortes së tij, kurse tjetri ka hapur dy të tilla.
Dy ministra të tjerë kanë shkuar në datën 11 qershor 2007 dhe 5 shtator të po këtij viti në Qipro. Në Larnaka, në bankën arabe, ata kanë depozituar shuma edhe më të mëdha se ato të dy kolegëve të tyre.
Doni dhe më tej? Edhe vetë Berisha e di që një tjetër ministër i tij, një nga ata që udhëton shumë jashtë shtetit, ka një llogari të pajustifikuar në sasi – ajo është marramendëse - në Roterdam në Hollandë. E pra, Berisha hesht, ndonëse këto denoncime publike i ka dëgjuar mjaft mirë”, ka thënë Tavo.
Nga pozicioni i tij, tashmë qeveritar, ai nuk ka vijuar më tej me këto denoncime.
Akuza të tillë janë dëgjuar edhe nga pala tjetër kur ishte në opozitë. Pandeli Majko, sipas ish-kryeopozitarit Sali Berisha, ka llogari bankare në Qipro.
Ndërkohë, në shkurt të këtij viti, ministri i Inovacionit, Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, është akuzuar nga Taulant Balla se ka miliona euro në Bankën Arabe të Qipros dhe për këtë ka paditur deputetin socialist për shpifje.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.03.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)