Bizneset vendase: Qeveria
s'na jep 200 milionë euro

Bizneset vendase: Qeveria <br />s'na jep 200 milionë euro
Borxhi i qeverisë ndaj sipërmarrjeve vendase ka arritur në shifrën e 200 milionë eurove, sipas përfaqësuesve të shoqatave kryesore të subjekteve private. Nga ana tjetër, kjo situatë "mbahet nën zap" me kontrolle shumë abuzive të tatimorëve, që denoncohen publikisht nga investitorët e huaj. Pjesa më e madhe e kësaj shume, e konfirmuar tashmë, është detyrimi ndaj kompanive të ndërtimit, kryesisht atyre të infrastrukturës që kanë kryer punë publike.

Sipas të dhënave të konfirmuara nga Ekzekutivi dhe nga Shoqata e Ndërtuesve, afro gjysma e borxheve që qeveria i ka biznesit i përket pikërisht sektorit të ndërtimit, mbi 100 milionë euro. Pjesa tjetër ndahet ndërmjet rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar tek eksportuesit, si dhe detyrime të tjera, ndaj kompanive të ndryshme, kryesisht prodhuese të energjisë apo furnizuese me materiale të ndryshme. Mospagimi i kompanive nga qeveria është bërë një nga pengesat kryesore në zhvillimin e tyre, në një kohë kur paratë në qarkullim janë në minimum. Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka bërë thirrje publike qeverisë që të shlyejë sa më parë borxhet ndaj kompanive private, si një nga mënyrat më efikase për t'i dhënë një nxitje ekonomisë vendase. Me mënyrën se si vepron, qeveria është kthyer vetë në një faktor bllokues të aktivitetit të mëtejshëm të biznesit. Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve, thotë se "megjithëse është premtuar se qeveria do të shlyejë detyrimet që ka ndaj firmave, sidomos ndaj atyre të infrastrukturës, nuk është bërë ende asgjë".

Shumë firma kanë mbyllur pothuajse fare aktivitetin, kanë pushuar njerëz, ose edhe ato që nuk kanë pushuar, kanë bërë ulje të rrogave, në masën deri në 30%.Ndërsa drejtori i "Business Albania", Bardhi Sejdarasi, deklaron se më të prekurit nga mospagimi i TVSH-së janë bizneset që punojnë me material porositës, fasoni. "Këto biznese tashmë janë në mes të zjarreve.

Nga njëra anë, qeveria nuk i shlyen detyrimet që ka ndaj tyre dhe nga ana tjetër, partnerët ndërkombëtarë ua kanë shtuar afatet e pagesës, si pasojë e krizës", sipas tij. Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, thotë se paratë duhet t'i kthehen sa më parë biznesit, sepse në "duart e tij" ato kthehen në investime të reja, në hapjen e vendeve të punës dhe si pasojë, në zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë."Ne kemi raportime dhe ankesa nga antarët tanë për një serë çështjesh lidhur me zbatimin e ligjit, paparashikueshmërinë dhe procedurat arbitrare e administrative në përgjithësi. Shqipëria ka një kontekst ligjor të mirë, por vuan nga moszbatimi i ligjeve.

Kjo është veçanërisht e theksuar në çështjet e taksave, ato të pronësisë intelektuale dhe në dogana", tha Andrea Gebbeken, presidente e Dhomës Gjermane të Tregtisë. Kurse, për David Anderson, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë, "fjala po përhapet tek investitorët e huaj se Shqipëria ndoshta nuk është një vend i mirë për të bërë biznes. Kur biznesi detyrohet të paguajë për të bërë biznes, kjo prek likuiditetin e tyre dhe dëshiren e tyre për të qendruar në biznes", theksoi Anderson. Sipas tij, "korrupsioni frenon si investimet e huaja, ashtu dhe ato lokale".

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 23 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Vetëplagoset me armë zjarri 19 vjeçari në Kukës

Vetëplagoset me armë zjarri 19 vjeçari në Kukës