/ATSH/- Besimi i bizneseve dhe individëve për zhvillimet në ekonominë shqiptare u përmirësua në tremujorin e dytë të këtij viti.
Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike u rrit me 5.1 pikë, çka e ktheu indeksin në rritje, pas rënies së shënuar në tremujorin e parë. Niveli i treguesit aktualisht qëndron 4.8 pikë mbi mesataren historike. Rritja u përcaktua nga rritja e besimit në industri e në shërbime, si dhe nga rritja e besimit konsumator, ndërsa rënia e besimit në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë dha kontribut negativ.
Treguesi i besimit në sektorin e industrisë u rrit me 5.8 pikë përqindje në tremujorin e dytë, pas rënies së shënuar për dy tremujorë radhazi. Rritja e ka ardhur falë rritjes së balancës së prodhimit, si dhe përmirësimit të gjendjes financiare. Treguesi i besimit në industri qëndron 6.4 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë. Treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve u rrit me 3.7 pikë përqindje në tremujorin e dytë dhe kontributin kryesor e dha vlerësimi i situatës së përgjithshme të biznesit. Gjithashtu, bizneset në sektorin e shërbimeve vlerësuan të përmirësuar kërkesën dhe gjendjen financiare. Treguesi i Besimit të Konsumatorëve u rrit me 6.8 pikë përqindjeje në tremujorin e dytë të vitit 2015 dhe qëndron 3.8 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë.