Kreu i Dhomës së Tregtisë, Nikolin Jakaj, tha se shlyerja e detyrimeve te prapambetura për kryerjen e punëve publike është jetike për sipërmarrjen. Sipas tij, të gjitha shoqatat duhet të kenë një përfaqësi të vetme, që të përfaqësoheshin në Komitetin Kombëtar të Ekonomisë, institucion që, sipas premtimit të shkruar dhe të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë tashmë, në programin qeverisës te Partisë Socialiste, do të zëvendësonte Këshillin Kombëtar të Biznesit.
Përfaqësues të biznesit shpesh janë ankuar se qeveria nuk ka marrë parasysh në të shkuarën kërkesat e tyre për hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit ekonomik. Ndërsa kryeministri i vendit, Edi Rama, gjatë periudhës elektorale ka premtuar se këto praktika do të marrin fund dhe politikat e zhvillimit do të hartohen në bashkëpunim me sipërmarrësit, shqiptarë dhe të huaj.
Informaliteti, korrupsioni dhe kreditë e këqija janë shqetësimi kryesor i biznesit, për të cilat kërkon zgjidhje nga qeveria. “I bëj një thirrje qeverisë të krijojë një tryezë me grupin e interesit sa më shpejt të jetë e mundur për të biseduar problematikën që ka biznesi, por, njëkohësisht, edhe për të vendosur në afate apo data të përcaktuara qartë zbatimin e premtimeve që i ka dhënë sipërmarrjes shqiptare.
Duhet të kemi një strategji të veçantë për sistemimin e kredive të këqija, ndërkohë që duhet të diskutohet për partneritetin, bashkëpunimin dhe krijimin e Këshillit Kombëtarë Ekonomik. Ne duhet të kemi dhe një ligj të ri për amistinë fiskale. Ky do të ishte një ligj i plotë për amistinë fiskale, që i vë palët më të drejta të barabarta, kryesisht duke zeruar edhe detyrimet financiare”, tha Nikolin Jakaj, Kreu i Dhomës së Tregtisë Tiranë.
Deri tani, është kryer falje fiskale, por jo amnisti e plotë. Falja është zgjatur deri në fund të këtij viti, por nuk ka shënuar suksesin e pritur. Pritshmëritë e biznesit nga qeveria Rama janë të shumta. Sipërmarrja pret të çlirohet nga ngarkesa të prapambetura fiskale, nga arbitrariteti tatimor dhe të mund të gjenerojë të ardhura nga kthimi i borxhit që qeveria i ka.
Në thelb të poltikës tatimore të së majtës është taksimi progresiv, që ul taksat për 95% të shqiptarëve. Lidhur me këtë politikë, shoqatat e biznesit kanë dhënë OK për taksimin progresiv mbi bizneset që kanë pozita ekskluziviteti dhe monopoli në treg, ndërkohë që kanëe kërkuar të ruhet një taksë e sheshtë për ndërmarrjet e tjera.
Shkrimi u botuar sot (25.09.2013) në gazetën shqiptarja.com (print)
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)