Biznesi qeverisë: Shpallni strategjinë
Koha të publikohen përparësitë

Biznesi qeverisë: Shpallni strategjinë<br />Koha të publikohen përparësitë
TIRANE - Në një njoftim publik, grupimi i bizneseve vendase Konfindustria ka kërkuar nga qeveria e re të shprehet sa më shpejt se kush të do të jenë përparësitë ekonomike e financiare, të shpallë publikisht dhe me hollësi strategjinë fiskale. Kjo kërkesë bëhet edhe në sfondin e deklaratave politike, të bëra duke nisur nga vetë Edi Rama, se koncensionet për objekte madhore, si dhe marrëveshjet hidrokarbure apo shitjet e pronave të shtetit, të kryera gjatë qeverisjes së Berishës, do t’i nënshtrohen një ekzaminimi të hollësishëm nga Ekzekutivi i ri.

Në këtë kuadër, Konfindustria, duke marr shkas edhe nga kërkesat në shtim të një numri të madh biznesesh të huaja, të interesuara për investime në vendin tonë, ka këshilluar përfaqësuesit më të lartë të forcave polititike fituese të zgjedhjeve të fundit, që të shprehen zyrtarisht - dhe sa më shpejt - për strategjitë themelore ekonomike dhe fiskale, që do të zbatohen nga qeveria e re.
 
POLITIKAT

Në deklaratën për shtyp, të shpërndarë ditën e djeshme, thuhet se kërkesat dhe pyetjet kryesore të investitorëve potencialë të huaj përqëndrohen kryesisht në tre drejtime. "Së pari, investitorët kërkojnë garanci për vazhdimësinë e politikës fiskale të taksave të ulta, sikundër zbatohet edhe në vendet e tjera të rajonit. Së dyti, kërkojnë të njihen me sektorët ekonomikë, që do të jenë parësore në programin e qeverisë së re, shoqëruar me mënyrat e tërheqjes së kapitalit. Gjithashtu, investitorët e huaj shprehin interes në rritje për politikat e zmadhimit të tregut të Shqipërisë me Kosovën, vendet e CEFTA dhe BE", theksohet në deklaratën e biznesit.
 
INTERESIMI
Konfindustria, mbështetur në të dhënat e ardhura pranë saj, vlerëson se aktualisht ka një rritje të ndjeshme, prej 2 apo 3 herësh, të interesit të investitorëve të huaj për të hedhur kapitale në vendin tonë në gjysmën e parë të vitit 2013, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar.

Shkak i rritjes së interesit vlerësohen kryesisht pasojat e krizës globale që kanë prekur ndjeshëm ekonomitë e vendeve të zhvilluara të BE, por edhe projektet e mëdha infrastrukturore në të cilat Shqipëria do të përfshihet, si TAP, sektori energjetik, etj.
 
RISHIKIMI
Që në tetor të vitit të kaluar, në një takim me biznesin, Rama ka deklaruar se qeveria e ardhshme do të rishikojë të gjitha marrëveshjet në dëm të sipërmarrjes. Vlera themelore, mbi të cilën pretendojmë të ndërtojmë të ardhmen, është liria, u shpreh ai.

Nga ana e tij, edhe ministri i ardhshëm i Industrisë dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, më 5 korrik të këtij viti deklaroi se “nuk është normale që qeveria në ikje të marrë vendime për pagat e pensionet, si dhe të mbledhë KKT-në, pasi as në fushatë s’mund ta bëjë këtë, jo më kur shqiptarët kanë vendosur ta largojnë. Janë vendime që merren për populizëm. Do rishikohet çdo vendim i marrë pas 23 qershorit”, theksoi ai.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 18.08.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument

Agron Gjekmarkaj: Sami Repishti iku, la pas një monument