TIRANE- Gjok Tushaj, (ne foto) biznesmeni i naftës që u kap vitin e kaluar për akuzën e “Falcifikimit të dokumentave”, pasi kërkonte ti fshihej drejtësisë italiane, nuk do të ekstradohet në Itali. Vendimi është marrë pak ditë më parë, nga vetë drejtësia italiane, e cila ka paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kërkesën për njohjen e vendimit penal prej 7 vitesh të të akuzuarit për “Rrëmbim personi” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Tushaj rezulton të jetë dënuar në mungesë nga gjykata Italiane, ndërkohë që për të ishte lëshuar një urdhër-ndërkombëtar. Disa vite me rradhë Tushaj, ka gjetur strehim në Shqipëri, duke mos u ngacmuar nga askush, madje ka arritur të ngrejë dhe disa pika karburanti në zonën e Lezhës. Një vit më parë ai u arrestua nga policia e Shtetit, pasi së bashku me një oficer të Policisë Gjyqësore në Lezhë, nëpërmjet dokumentave të falcifikuara, po planifikonin shmangien e arrestimit të Gjok Tushaj, për të cilin drejtësia Italiane i kishte kërkuar zyrtarisht palësh shqiptare arrestimin e tij. Për këtë çështje në pranga ka rënë dhe oficeri Aleksandër Kolmarku.

Kërkesa në gjykatë
Pas kërkesës së paraqitur nga pala italiane, prokuroria e Tiranës i është drejtuar gjykatës, me një kërkesë të dytë, duke kërkuar njohjen e vendimit penal të huaj. Dosja e prokurorisë është paraqitur në datën 6 nëntor, ndërkohë që për këtë çështje biznesmeni Gjok Tushaj, pritet të dalë para gjykatën në 10 dhjetor. Për këtë proces gjyqësor është caktuar gjyqtari Petrit Çomo. Siç mësohet dhe nga burime pranë prokurorisë, organi i akuzës do i kërkojë gjykatës lënien në fuqi të dënimit Italian me 7 vite burg të Gjok Tushaj. Ndërkohë që mbrojtja e tij, do të kërkojë rrëzimin e kërkesës.

Tushaj në liri
Biznesmeni i naftës Gjok Tushaj, ka qëndruar vetëm pak kohë në burg pasi është liruar nga gjykata e Tiranës. Aktualisht ai është në fazën e gjykimit, ku prokuroria e Tiranës ka ngritur akuzën e “Falcifikimit të dokumentave”. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Tushaj,kërkonte të paraqiste dokumenta siskur ishte punonjës u uzinës së Bakrit gjatë periudhës kur ka qëndruar në Itali. Gjithashtu për tu fshehur ai ka ndryshuar dhe emrin nga Gjergji në Gjok Tushaj.

Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)