TIRANE- Një ditë pasi televizioni A1 Report publikoi rastin e një biznesmeni që pretendonte se kërcënohej nga një shtetase, ka ardhur edhe reagimi i saj. Entela Hasrama thotë për “A1 Report” dhe “Shqiptarja.com” se Ermir Taulla, personi i cili pretendon se ishte kërcënuar me jetë prej saj, nuk është pronari i pijes energjike “Crown”, por vetëm i punësuar atje.

Zonja Hasrama, e shoqëruar nga avokatja e saj, nuk pranoi ta paraqiste versionin e saj me anën e një interviste në televizion, por deklaroi se nuk e kishte kërcënuar ajo zotin Taulla, por përkundrazi ai i kishte bërë presion asaj.

Dje, Taulla tha se i kishte blerë ligjërisht të drejtat eksluzive për pijen energjike dhe se kishte bërë kallzim penal në komisariatin nr 1 të Tiranës. Sipas Taullës, Entela dhe vëllai i saj i kishin kërcënuar edhe motrën, Milenën, teksa edhe kjo e fundit kishte bërë kallzim penal. Arsyeja e presionit, sipas Taullës, është një “urdhër” për të hequr dorë nga kontrata.
Zyrtarisht Policia e Tiranës konfirmoi për A1 Report se kjo histori po trajtohet si vepër penale “përndjekje”. Ndërkaq, zonja Hasrama tregon për “Shqiptarja.com” disa mesazhe kërcënuese që pretendon se ia kishte dërguar Taulla.
 
Hasrama thotë se pronari i kësaj pijeje energjike është një i njohuri i saj, teksa 26-vjeçari Taulla ishte punësuar aty dhe i kishte marrë makinën e punës, duke mos ia kthyer për një kohë të gjatë.
“Më ka terrorizuar mua dhe familjen time. Më marrin fëmijët në telefon, më thonë kë ke kërcënuar. Nuk e besoja që një person që e punëson me mirëbesim, të arrijë deri këtu. Nuk e kam kërcënuar dhe sa për fotot që ai pretendon se ia kam dërguar në facebook, mund t’iu them se ai më ka çkoduar adresën time të facebook-ut”-deklaron Hasrama.
 
Ndërkaq, për këtë histori kanë dhënë versionet e tyre të dyja palët me banim në Tiranë, teksa mbetet edhe deklarata e zonjës Hasrama për kamerat e “A1 Report” për të dhënë versionin e saj, gjë të cilën është e mirëpritur ta bëjë, nëse ka dëshirë.

Redaksia Online
(ak/Shqiptarja.com)