Pronarët e banesave monument kulture në Berat e Gjirokastër rrezikojnë të humbin pronat nëse nuk përballojnë kostot e restaurimit. Ky është shqetësimi që ngre deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, për projektligjin e hedhur në konsultim publik nga qeveria.
Kritika e saj lidhet me nenin 30. Sipas Zhupës, ministri mund të përcaktojë me urdhër koston e ndërhyrjeve të detyruara në një pronë private.
“Me nenin 30 të projektligjit, ministri merr kompetencën të përcaktojë me urdhër vlerën e shpenzimeve të ndërhyrjeve të detyruara në pronën private. Ky urdhër merr fuqinë e titullit ekzekutiv. Pra, një vendimmarrje administrative e ministrit mund të kthehet në detyrim financiar të ekzekutueshëm ndaj qytetarit.
A e kupton qeveria se çfarë do të thotë kjo për një familje që ka trashëguar një banesë në Gjirokastër apo Berat, por nuk ka mundësi financiare të përballojë kostot e restaurimit? A do të jetë mbrojtja e trashëgimisë një barrë që përfundon duke rrezikuar vetë pronën e qytetarëve?”, tha Zhupa.
Zhupa kundërshton edhe nenin 26, që parashikon përshtatjen e monumenteve për përdorime të reja, ndërhyrje arkitektonike dhe përfshirjen e tyre në projekte zhvillimi. Sipas saj, këto ndryshime mund t’i hapin rrugë kthimit të monumenteve në hotele apo restorante.
“Së dyti, me nenin 26, qeveria hap rrugën për transformimin e monumenteve në funksion të projekteve të zhvillimit ekonomik. Projektligji lejon përshtatje funksionale, ndërhyrje arkitektonike dhe shtesa të reja në pasuritë kulturore, duke parashikuar edhe integrimin e tyre në projekte zhvillimi.
Kush do ta garantojë që nesër një monument kulture të mos shndërrohet në një biznes hotelerie, restoranti apo strukture turistike, ku interesi ekonomik të mbizotërojë mbi vlerën historike? Kush e përcakton kufirin mes restaurimit dhe tjetërsimit të monumentit?”, vijoi Zhupa.
Kritika e tretë ka të bëjë me kthimin e objekteve kulturore të nxjerra në mënyrë të paligjshme nga vendi. Zhupa thotë se afatet që parashikon projektligji për paraqitjen e kërkesave mund ta vështirësojnë rikthimin e objekteve që identifikohen vite pas trafikimit.
Projektligji propozon ndryshime në ligjin e vitit 2018 dhe është në konsultim publik deri më 3 dhjetor. Ai parashikon vlerësimin e ndikimit në trashëgiminë kulturore përpara miratimit të projekteve që mund të prekin monumentet dhe zonat historike. Për pasuritë kulturore në pronësi private, projektligji parashikon edhe mundësinë që shteti të japë grante ose të bashkëfinancojë mirëmbajtjen dhe restaurimin, brenda fondeve buxhetore të miratuara.








Komente
Komento