Biznesmenia Lika: “E kam nisur 
me 25000 lekë, tani numëroj miliona”

Biznesmenia Lika: “E kam nisur <br />me 25000 lekë, tani numëroj miliona”
Jo gjithmonë rruga më e mirë për të qenë biznesmen i suksesshëm është të studiosh në degët që parashikojnë diçka të tillë në të ardhmen. Shkurte Lika është diplomuar në zooteknikë dhe më pas ka ndjekur një specializim për laborante, por ambiciet dhe fati kanë bërë që ajo sot të jetë pronare e marketit industrial “Fradio”.

Shkurtja ka rrëfyer për suplementin “Drejt punës” se pas arritjeve të mëdha që gëzon sot, fshihet një punë e madhe dhe shumë sakrifica. E kjo nuk ishte e vështirë të vërehej edhe gjatë kohës që ndodhesha aty për ta intervistuar. Fluksi i punës e kufizonte që të merrej me aktivitete të tjera, pasi edhe sot në moshën 57-vjeçare ajo kujdeset vetë për gjithçka.

Ishte ndërrimi i sistemeve dhe fundi i punës në shtet momenti kur Lika vendosi të ishte pjesë e tregut ashtu si ajo dinte. Në vitin 1994, në Fushë-Arrës me një tavolinë, në shi e borë, vetëm me 250 mijë lekë të vjetra buxhet nisi të shiste stilolapsa, fletore, qirinj, etj.

Prej vitit 2000 ajo e ka zhvilluar biznesin e saj në zonën e Institutit në Tiranë. Tashmë ka ngritur një ndërmarrje të madhe në të cilën janë të punësuar edhe dy fëmijët e saj që duke qenë së janë rritur me modelin e nënës së tyre janë trashëgimtarë të denjë të punës dhe suksesit. Ata me siguri krenojnë babain e tyre Fran Likën, mësuesin e dashur për të gjithë ata që e kanë dashur që nuk ndodhet më në jetë.

Prej sa vitesh jeni në botën e biznesit?
Unë e kam nisur punën në vitin 1994 dhe tani numëroj 22 vite në treg. 

Cilat ishin vështirësitë e fillimit dhe ato aktualet?
Pasi mbaroi puna në shtet alternativat ishin të pakta ndaj pas disa eksperiencave në biznese të të tjerëve vendosa të kem diçka timen. Sado të vogël, por mjaftonte të ishte e imja. E kam nisur vetëm me 250 mijë lekë të vjetra në Fushë -Arrës. Me një tavolinë të vogël. Shisja cigare, fletore, stilolapsa, e kështu gjërash. Me kalimin e viteve punët shkuan mirë, ndaj dhe në vitin 2000 vendosa ta zhvilloj biznesin në Tiranë, që nga ajo kohë vazhdoj këtu. Fitimet nga lekët e fillimit kanë arritur në miliona por vështirësitë nuk mungojnë as tani. Konkurrenca është e lartë, gjithashtu dhe kërkesat. Tendencat ndryshojnë çdo ditë dhe klientët duan më të mirën. Duhet vazhdimisht shumë punë sepse në çdo moment mund ta humbasësh gjithçka.

Cilat janë produktet që tregtoni dhe përse pikërisht këto?
Ne tregtojmë elektroshtëpiake. Qëllimi i biznesit sigurisht që është fitimi, por në vitet që zhvilluam biznesin në Tiranë edhe kërkesat e njerëzve për këto produkte ishin më të mëdhatë. Ashtu si ne kishte shumë familje që lëviznin nga qytetet e tyre drejt Tiranës dhe sigurisht që kishin nevojë për pajisje të tilla. Në ato vite ndërtimi i shtëpive të reja ishte në kulmin dhe kjo bënte që kërkesa për pajisjet që dispononim ne të ishte e madhe.

Klientët janë rastësorë apo keni një klientelë besnike?
Sigurisht që ka edhe njerëz që vijnë vetëm për të parë dhe largohen, e kjo kuptohet sepse jo gjithmonë dëshirat përkojnë me mundësitë. Po janë të shumtë ata që blejnë diçka dhe kthehen sërish. Ne na interesin që klienti të mbetet i kënaqur qoftë edhe më një vizitë në dyqan, apo me një blerje.
Ju jeni grua dhe duke marrë parasysh përgjegjësitë familjare e keni pasur dyfish të vështirë, sa jeni ndihmuar nga familjarët?
Unë kam 4 vajza dhe një djalë. Përveç se kanë ndihmuar njëri-tjetrin të rriteshin kanë ndihmuar edhe mua në punë. Vështirësitë kanë qenë të mëdha, sidomos për rritjen e fëmijëve por fatmirësisht kam arritur ta balancoj dashurinë dhe kujdesin për ta me dëshirën që tu garantoj një të ardhme sa më të mirë. Vajzat më kanë ndihmuar shumë, sepse djali ishte më i vogël. Tani vajza dhe djali punojnë me mua. Ndajmë punën dhe përgjegjësitë të cilat i kuptojnë shumë mirë pasi janë rritur me këtë frymë.

Cilat do të ishin këshillat tuaja për gratë që duan të nisin biznesin? 
Mendoj se për të ndërmarrë një hap të tillë duhet shume iniciativë. Që të jesh biznesmene duhet të rrezikosh dhe të mos dorëzohesh. Biznes nuk do të thotë të fitosh para në gjithçka që shet. Unë mund të shes një abazhur por një tjetër thyhet. Jo çdo produkt ka fitim. Vlera bruto e një produkti është e vogël dhe rruga drejt fitimit është e gjatë. Prandaj mendoj se duhet shumë punë, durim dhe ndershmëri. Fitimi dhe suksesi është dypalësh, kur edhe biznesmeni edhe klienti mbetet i kënaqur nga bashkëpunimi.

shkurte lika

shkurte lika

shkurte lika


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja

VIDEO/ Çudira shqiptare, Apolonia e fillon ndeshjen kundër Partizanit me 9 lojtarë! Arsyeja